Veprimtari

Përurimi i përmendores së re të Nënë Terezës në Michigan

Jeta dhe vepra e nobelistes me famë botërore, shenjtores dhe shqiptares së madhe Nënë Tereza, në 100 vjetorin e lindjes së saj, ka mbledhur edhe në Michigan qindra bashkatdhetarë pranë Kishës së Shën Palit (Rochester Hills), në një ditë të madhe festive.

Një ceremoni e tillë në përkujtim të Nënë Terezës, e cila me modestinë e saj e quante veten “një pendë në dorën e Zotit” është zhvilluar nën organizimin dhe me mbështjen e shqiptaro-amerikanit Ekrem Bardha, i mirënjohur jo vetëm si biznesmen i fuqishëm në kontinentin amerikan, por edhe si një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare shqiptare dhe priftit dom Anton Kçira.

Pikërisht me ftesë të tyre, në këtë eveniment të rëndësishëm, mori pjesë edhe një grup i shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze (SHBSHK) Toronto. Në përbërje të këtij grupi ishin Dr. Lindita Bushi, Muharrem Xhaferi, piktori Ilir Fico dhe skulptori Hytbi Tarelli.

Ceremonia nisi rreth orës 3 në Kishën e Shën Palit me një simpoziom shkencor kushtuar figurës së shquar të Nënë Terezës. Disa folës referuan mbi jetën dhe veprën e shenjtores shqiptare që tashmë i përket të gjithë botës. Më tej, Iliria TV e Michiganit shfaqi për të pranishmit një dokumentar kushtuar Nënë Terezës i cili u prit me mjaft interes për vlerat e tij dokumentare.

Kulmi i aktivitetit u shënua me zbulimin e bustit të madh të Nënë Terezës, shumë pranë bustit të heroit tonë Skënderbeu që u prit me duartrokitje të shumta. Kjo shtatore prej bronxi, punuar nga artisti Vasiliev Nini, është dhuratë e vëllezërve të njohur veprimtarë Gjojcaj.

Më tej u krye Mesha e shenjtë drejtuar nga famullitari i kishës, dom Anton Kçira. Ai vuri në dukje se Nënë Tereza këto ditë do të kish mbushur 100 vjet dhe një shekull është shumë pak për Terezën e bekuar të Kalkutës. Ai e quajti Nënë Terezën me titullin e dhënë nga Vatikani, ku ajo shihej si e shenjtë qysh kur ishte gjallë.Në fund të takimit, piktori i talentuar Ilir Fico i dhuroi Kishës së Shën Palit dhjetë fotografi dixhitale me portretin e Nënë Terezës, të punuara prej tij.

Në mbrëmje u shtrua një darkë festive me pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë.

Në fund u kontakuan edhe shoqatat e tjera simotra shqiptaro-amerikane, ndërsa në një bisedë të afërt me zotin Bardha u fol për shumë çështje shqiptare si në Shqipëri dhe në diasporë.

Comments Off on Përurimi i përmendores së re të Nënë Terezës në Michigan
Translate »