Veprimtari

Në Toronto ngrihet flamuri kuqezi dhe festohet Pavarësia

Paraditen e 28 Nëntorit 2010 një numër i madh shqiptarësh u mblodhën përpara ndërtesës së Parlamentit të Ontarios në Toronto për të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kuqezi, dhe për të festuar me krenari këtë ditë të shënuar mbarëkombëtare. Kjo ceremoni e organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze dhe konsulli i nderit, z. Genc Tirana tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme. Merrte pjesë, si përherë, dhe ambasadori i Shqipërisë në Ottawa, z. Besnik Konçi. Edhe pse moti ishte i ftohtë, është për tu përmendur pjesëmarrja e lartë dhe entuziazmi i të pranishmëve. Ngjyrat kuqezi mbizotëronin gjithë sheshin përpara parlamentit dhe shumë fëmijë e të rritur ishin veshur me bluza, kapele e shalle me shqiponjën dykrenare.

Fjalën e hapjes e mori përfaqësuesi i Parlamentit të Ontarios, z. Tony Ruprecht, mbështetës i hershëm i kauzës shqiptare, i cili me sensin e tij të humorit përshëndeti gjithë shqiptarët në këtë ditë të shënuar dhe falenderoi bashkatdhetarët e Torontos për komunitetin solid që ata kanë formuar. Përshëndetjen në emër të shtetit shqiptar e bëri ambasadori Konçi, i cili theksoi se kjo ditë festohet nga të gjithë shqiptarët si një komb i vetëm. Në emër të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos përshëndeti kryetarja e saj, Dr. Ruki Kondaj, e cila i uroi të gjithë shqiptarëve festën e flamurit dhe e vuri theksin tek ruajtja e simboleve dhe traditave kombëtare, që i kanë qendruar dhe do ti qendrojnë gjithë kohërave. Më tej përshëndetën me radhë përfaqësuesi i Shoqatës Kosova, z. Sami Ademi dhe përfaqësuesja e rinisë Borelda Mila. Pas ngritjes zyrtare të flamurit nga dy përfaqësues të respektuar të zgjedhur nga kryesia e Shoqatës, Prof. Kristian Bukuroshi dhe ish kryetari Ferzi Bekiri, shoqëruar me durtrokitje të fuqishme, të gjithë u ftuan në një nga sallat e Parlamentit për një koktej të organizuar nga konsulli Tirana. Gjithçka kaloi në një atmosferë të ngrohtë shqiptare që kulmoi me prerjen e tortës në formën e flamurit kuq e zi të përgatitur me mjeshtëri nga çifti pastiçier Brari.

Festa e 28 Nëntorit do të përmbyllej me një mbrëmje madhështore të organizuar nga Shoqata shqiptare në Capitol Banquet Centre në Missisauga, ku ishin të pranishëm rreth 600 vetë, të rritur e fëmijë. Mbrëmja u drejtua me profesionalizëm nga të rinjtë e talentuar Zigrida Mila dhe Ergest Plaku të cilët e çelën mbrëmjen duke ftuar këngëtarin Jovan Tere dhe fëmijët për të interpretuar hymnin shqiptar dhe atë kanadez që u pritën me duartrokitje të fuqishme.

Edhe në mbrëmje patëm nderin të kishim midis nesh ambasadorin shqiptar në Kanada, konsullin e nderit në Toronto, anëtarin e Parlamentit të Ontarios, z. Tony Ruprecht dhe kryetarin e bashkisë së qytetit Oakville, z. Robert Burton. Në sallë ishin të ftuar edhe një grup ushatrakësh shqiptarë që përgatiten në bazën ushtarake në Borden dhe përfaqësues nga Shoqata shqiptare në Hamilton e cila iu bashkua muajin e fundit Shoqatës sonë.

tavolina

Në pjesën artistike të programit u kënduan këngë patriotike e popullore dhe u kërcyen valle tradicionale. E ftuara kryesore e festës ishte këngëtarja Ermira Babaliu e shoqëruar nga një trio orkestrale nga Toronto. Pjesa zyrtare e programit u fokusua në kremtimin e ditës së flamurit, përkujtimin e 20 vjetorit të krijimit të Shoqatës Shqiptaro-kanadeze dhe vlerësimin e gjithë kryetarëve ndër vite. Dr. Ruki Kondaj, përshëndeti të pranishmit me një mesazh falenderimi në emër të kryesisë për mbështetjen dhe praninë e madhe të njerëzve në sallë, sidomos të rinisë studentore nga universitetet e qytetit. Më pas ajo ftoi ambasadorin Konçi që të përshëndesë të pranishmit.
Fjalën për të kujtuar historinë e krijimit të Shoqatës dhe respektuar të gjithë simpatizantët e saj ndër vite e mori sekretari i përgjithshëm i Shoqatës, z. Roland Lelaj. Ai e vuri theksin tek puna dhe kontributi i palodhur i dhjetra bashkatdhetarëve që me aktivizimin vullnetar kanë bërë që kjo shoqatë të kthehet në një simbol bashkimi e shembulli edhe për të tjerët.

Drejtuesit e programit ftuan kryetarët në vite si dhe Dr. Kondaj për t’ju dorëzuar çertifikatat e mirënjohjes të përgatitura nga kryesia e shoqatës. Ne emër të kryetarëve përshëndeti ish kryetari dhe anëtari i nderit z. Muharrem Xhaferi. Ishin çaste mbresëlënëse ato kur pas shumë vitesh ata u takuan të gjithë bashkë me njerit-tjetrin në këtë përvjetor.

ceremoni

Pas mbarimit të ceremonisë së parë, filloi programi i shumëpritur muzikor ku vogëlushi Luigj Ndoja, me kostum popullor, këndoi bashkë me këngëtaren Babaliu këngën “Shqipëri o Nëna ime”. Pas një kolazhi këngësh të bukura shqiptare nga treva të ndryshme, programi vazhdoi me një përshëndetje për të falenderuar të gjithë bizneset që kanë kontribuar ne mbështetje të Shoqatës gjatë vitit të fundit. Më tej u ftuan me radhë biznesmenët të cilëve iu shpërndanë çertifikatat e mirënjohjes.
Një çmim nderi, statuja e Nënë Terezës, punuar nga artisti i mirënjohur Hytbi Tarelli, iu dhurua z. Ruprecht në shenjë falenderimi për mbështetjen e tij ndaj komunitetit shqiptar dhe një dhuratë tjeter, bazoreliev po me Nënë Terezën iu dha kryetarit të bashkisë së Oakville, z. Burton.

Programi vazhdoi me ceremoninë e tretë të vlerësimit të artistëve dhe shkrimtarëve që kontribojnë dhe bashkëpunojnë ngushtë me komunitetin tonë si Hytbi Tarelli, Ilir Fico dhe Kristaq Turtulli. Drejtuesit e programit dhe anëtari i kryesisë, z. Ilir Çelaj, ftuan artistët për tiu dhuruar çertifikatat e mirënjohjes.

Dhe ja në skenë dalin fëmijët e shkollave shqipe të veshur me bluzat e kuqe me shqiponjën e zezë në gjoks, të drejtuar nga anëtarja e kryesisë, zj. Raimonda Demaj, e veshur edhe ajo me një kostum tradicional të Shqipërisë së mesme, për të vallëzuar një valle popullore. Më tej këta fëmijë recituan edhe vargje patriotike të rilindasve tanë të shquar.

Përshëndetjet nuk rreshten dhe një e tillë erdhi nga përfaqësuesi i degës së Hamiltonit, z. Hamdi Keka, i cili përveç urimeve falenderoi kryesinë e Shoqatës së Torontos për ndihmën dhe këshillat e vyera për krijimin dhe organizimin e kësaj dege të re.

Mbrëmja vazhdoi me një larmi këngësh e vallesh ku të gjithë nxitonin që të shijonin sa më shumë nga kjo natë mbresëlënëse e 28 Nëntorit mes shqiptarëve të Torontos. Si gjithmonë, e pranishme ishte edhe kamera e “Pasqyrës Shqiptare” per ta prezantuar këtë aktivitet në programet e saj si dhe artisti i merituar Lionel Konomi, ish operator i Kinostudios Shqipëria e Re, i cili filmoi veprimatritë e shqiptarëve të Torontos në prag të 28 Nëntorit.

 

valle

Një falenderim i vecantë shkon për të gjithë anëtarët e kryesisë të cilët punuan me përkushtim të madh, vullnetarisht e prej muajsh për këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për kremtimin e Festës kombëtare. Shoqata falenderon sinqerisht të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit që e kthyen këtë aktivitet në një festë të madhe popullore dhe jane më se të mirëpritur në aktivitete të tjera të radhës.

Comments Off on Në Toronto ngrihet flamuri kuqezi dhe festohet Pavarësia
Translate »