Veprimtari

Festohet përvjetori i pavarësisë së Kosovës në Hamilton

As dëbora dhe as temperaturat e ulëta nuk e ndalën grupin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos që të merrte rrugën për në Hamilton, ditën e shtunë më 19 shkurt 2011, për të marrë pjesë në festimin e 3 vjetorit të pavarësisë së Kosovës që u organizua nga dega e Shoqatës shqiptare të Hamiltonit.

Në grup merrnin pjesë kryetarja e shoqatës, Dr. Ruki Kondaj, z. Roland Lelaj, sekretar i Shoqatës; anëtarët e kryesisë znj. Raimonda Demaj dhe z. Ylli Loci; anëtari i nderit të Shoqatës Prof. Kristian Bukuroshi dhe Konsulli i nderit të Shqipërisë në Toronto, z. Genc Tirana.

Në sallën e zbukuruar si për festë dhe të mbushur plot e përplot me shqiptare nga të gjitha trevat, ceremoninë e hapi kryetari i Shoqatës së Hamiltonit, z. Shani Pnishi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe ju uroi mirëseardhjen. Mbrëmjen festive e hapi grupi i fëmijëve të klasës shqipe të cilët recituan dhe kënduan në gjuhën tonë të bukur.

Më tej sallën e përshendeti konsulli Tirana dhe kryetarja e Shoqatës së Torontos Dr. Kondaj. Në fjalën e saj ajo midis të tjerash theksoi se “Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë me veprën e tyre jetësore, me punë të palodhshme dhe me sakrificat që kanë bërë, sakrifica këto që i paraprinë kësaj dite të jashtëzakonshme.” Nuk munguan as bisedat e ngrohta dhe as fotografitë e shumta që grupi ynë bëri me të pranishmit në këtë festë ku kishin ardhur edhe miq nga shoqatat e tjera simotra të Ontarios.

 

pavaresia1

Nga e majta: Prof. Kristian Bukuroshi, konsulli Genc Tirana, Kryetari i Shoqatës së Londonit Naser Berisha, Dr. Ruki Kondaj, Rajmonda Demaj, Roland Lelaj dhe Ylli Loci

Të gjithë kënduan, u gëzuan dhe vallëzuan nën ritmin e bukur të këngëve e valleve nga të gjitha krahinat shqiptare.

Po atë natë grupi ynë u kthye në Toronto me automjetin e drejtuar nga i riu dhe aktivisti i shoqatës Gazmend Kondaj.

Comments Off on Festohet përvjetori i pavarësisë së Kosovës në Hamilton
Translate »