Veprimtari

Pjesëmarrje në përurimin e librit “Toronto’s Many Faces”

Këto ditë nën kujdesin e anëtarit të Parlamentit të Ontarios, z. Tony Ruprecht, doli në dritë botimi i pestë i librit me titull Toronto’s Many Faces (Shumë fytyrat e Torontos).
Libri është një nga shembujt e politikës largpamëse kanadeze për të krijuar dhe ndërtuar një shoqëri shumë-kulturore, shumë-etnike dhe shumë-besimesh në një botë që ka nevojë për mirëkuptim dhe paqe.

Mjaft vende në botë e marrin si shembull modelin kanadez me arritjet e tij të deritanishme; shumë duan të dinë se si breza të terë emigrantësh nga të gjitha anët e globit kanë arritur të ndërtojnë një shoqëri të përbashkët të begatë nëpërmjet mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. E ky vend renditet gjithashtu në krye të listës së vendeve me mirëqenie dhe nivel jetese të lartë.

faces

 

Të mërkurën, më 23 shkurt 2011 pasdite, u organizua ceremonia e përurimit të vëllimit në fjalë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve etnike që banojnë në Toronto. Mernin pjesë edhe Presidentja e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze Dr. Ruki Kondaj, z. Hytbi Tarelli, artist dhe anëtar i kryesisë, profesor Kristian Bukuroshi dhe z. Muharrem Xhaferi, të dy anëtarë nderi të Shoqatës, z. Ilir Fico, artist, si dhe bashkatdhetarë të tjerë që janë dalluar për veprimtarinë e tyre në shërbim të mbarë komunitetit.

grupi

Foto simbolike e unitetit: nga e majta artistët Ilir Fico dhe Hytbi Tarelli, z. Muharrem Xhaferi, z. Tony Ruprecht MPP dhe Dr. Ruki Kondaj, presidente e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze
Midis flamujve ngjyra-ngjyra të kombeve të ndryshme, pranë flamurit kanadez valëvitej edhe flamuri ynë kuqezi i mbajtur lart nga i riu shqiptar G. Kondaj, i veshur me kostum kombëtar të krahinave të jugut të Shqipërisë.

Pas ceremonisë së përurimit, në koktejin që u dha me këtë rast, folën përfaqësues të komuniteteve të ndryshme. Ndër të tjera, z. Ruprecht i dha fjalën edhe Dr. Ruki Kondaj e cila foli dhe përshëndeti të pranishmit në emër të Shoqatës dhe të komunitetit shqiptar që jeton e punon në Toronto. Mbrëmja u mbyll në një atmosferë të këndshme miqësore e shoqëruar me biseda e disa foto grupi.

Kryesia e Shoqatës

Comments Off on Pjesëmarrje në përurimin e librit “Toronto’s Many Faces”
Translate »