Veprimtari

Shkrimtari Kristaq Turtulli prezanton librin e tij më të ri

Në një nga sallat e Remax-it ku punojnë bashkatdhetarët tanë, bashkëshortët Ardian e Renata Buli, u mblodhën shumë dashamirë të artit dhe kulturës, familjarë, miq e të afërm të shkrimtarit shqiptaro-kanadez Kristaq Turtulli për promovimin e librit të tij të fundit, Syri i Ritës.

syri

Kjo veprimtari u mendua dhe u vu në jetë nga një grup lexuesish dhe artdashësish me në krye zonjën Antigoni Papastathi. Nismëtarë të këtij promovimi ishin edhe Dr. Gerta Sazani, znj. Arta Tafaj, anëtare e kryesisë së Shoqatës sonë dhe z. Roland Lelaj, sekretar i Shoqatës, redaktor dhe dizenjator i disa prej librave të fundit të Kristaq Turtullit.

Në takim morën pjesë rreth pesëdhjetë vetë, dashamirë te librit bashkë me familjet e tyre, gjë që tregon edhe një here vlerësimin për artistin shqiptar dhe veprën e tij në vite. Nga kryesia e Shoqatës merrnin pjesë një grup i madh: Dr. Ruki Kondaj, z.Ylli Loci, z. Ilir Çelaj, z. Leonrad Zoga, si dhe anëtarët e këshillit të nderit Prof. Kristian Bukuroshi e z.Muharrem Xhaferi.

Pas bisedës së moderatores, znj. Papastathi me shkrimtarin Turtulli, disa pjesëmarrës diskutuan dhe i drejtuan pyetje të ndryshme autorit.

Libri “Syri i Ritës” është pjesa e pare e trilogjisë “Hidhësia e puthjes”. Ky është paragrafi në kopertinën e mbrapme të tij: “Rrezearta nuk mund të paragjykonte prindërit e vet, as ti dënonte. Ata qëndronin diku larg në skaj, mbështjellë me enigmë. Kishin qenë fatkeqë të rrëmbyer të mbërthyer nga çmenduria e kohës. Ndërsa lindja dhe braktisja e fëmijës ishin vazhdimësi e fatkeqësisë së pakontrolluar. Vajza kërkonte me çdo mjet të shkëputej nga thonjtë e fatit të parashikuar. Ajo nuk mund të qorrollisej si Della, me mendimin e ngulët e të shpifur se ato ishin jetime dhe fati i tyre ish vulosur njëherë e përgjithmonë me damkën e rrokopujës së pashmangshme, deri në vdekje…”

Tematika e librave të Turtullit shpesh ka në qendër vuajtjet nga sistemi totalitar dhe luftën absurde të klasave, e përsëri në këtë vëllim të ri, protagonitse kryesore është femra shqiptare disa here e shtypur dhe e përbuzur por besnike dhe me karakter të fortë.

Nuk është hera e parë që këtu në Toronto të promovohen librat e z. Turtulli. Siç duket, çdo vit do të kemi ngjarje të tilla që tregojnë për produktivitetin e lartë artistik të këtij poeti-romancier.

Për më të mësuar më shumë mbi autorin dhe librat e tij vizitoni websajtin e tij zyrtar: http://www.kristaqturtulli.com

Comments Off on Shkrimtari Kristaq Turtulli prezanton librin e tij më të ri
Translate »