Veprimtari

Nata Ndërkombëtare në Kolegjin e Forcave Ushtarake

Më 14 maj 2011, një përfaqësi e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, e përbërë nga kryetarja e Shoqatës, Dr. Ruki Kondaj, anëtari i kryesisë z. Leonard Zoga dhe disa bashkatdhetarë të tjerë morën pjesë në festën e organizuar në Kolegjin e Forcave Ushatrake në Toronto të titulluar “Canada international Night” me gatime dhe panaire nga vende të ndryshme të botës. Eshtë hera e parë që në këtë kolegj të qytetit tonë të specializohen ushtarakë shqiptarë. Në programin e tij kolegji, veç dhënies së njohurive e përvojave në fushën ushtarake, ka në qendër të vëmendjes edhe njohjen dhe respektimin e kulturave të vendeve të tjera pjesëmarrëse në kurse. Për bashkatdhetarët tanë Kolegji i Forcave Kanadeze ka ofruar mundësinë për ndjekjen e studimeve për periudhën nga 9 gusht 2010 deri më 26 qershor 2011 në këto drejtime:
– National Security Program, të cilin e ndjek kolonel Perikli Koliqi;
– Joint Command and Staff Program, të cilin e ndjek nënkolonele Afërdita Blaka.

Siç na shpjeguan ushatrakët shqiptarë, gjatë periudhës së parë mësimore janë bërë prezantime mbi Kanadanë, ku ata janë njohur me vendodhjen, kapacitetet politike, ekonomike, ushtarake si dhe traditat e vendit. Gjatë kursit janë organizuar edhe mbrëmje tematike sipas festave kombëtare që ka Kanadaja, duke përcjellë tek studentët e huaj jo vetëm nivelin e lartë të kulturës kanadeze, por edhe atë të mësimdhënies, të organizimit dhe përcjelljes së demokracisë.

Në këtë natë feste mbresëlënëse përveç këndit me suvenire artizanale, me flamuj shqiptarë dhe me peisazhe nga vendi ynë, nuk mungoi edhe tryeza me gatime tradicionale shqiptare. Në mes të tavolinës, një qengj i pjekur në hell tërhoqi vëmendjen e të ftuarve. Përreth mishit kishte fërgesë Elbasani në tavë balte, kulaç gruri, gjizë dhe salcë kosi, petulla, byrekë, e sallatra të ndryshme.

Në festë morën pjesë rreth 400 të ftuar të cilët në mbyllje shprehën fjalët më të mira për organizatoret dhe pjesëmarresit që e bënë më të plotë e të gjallëruar këtë aktivitet.

Pavioni ynë u vizitua nga shumë të ftuar dhe nuk munguan fjalët e mira të vlerësimit për ushqimin më të mirë që shijuan në këtë natë. Mbrëmja u mbyll me falenderime të dyanëshme për ushtarakët tanë që u ndjenë të nderuar e të respektuar nga komuniteti shqiptar i Torontos, poashtu edhe për ftesën që na u bë neve.

Në këtë ceremoni pamë diçka të veçantë: çdo i ftuar kishte një pasaportë kanadeze ku prezantoheshin të gjitha vendet pjesëmarrëse. Kur vizitoje një vend, merrje një vulë qe e kishe shkelur atë vend.

KRYESIA E SHOQATES SHQIPTARO KANADEZE TORONTO

Comments Off on Nata Ndërkombëtare në Kolegjin e Forcave Ushtarake
Translate »