Veprimtari

Pikniku veror me familjet shqiptare ne High Park

Në 28 Korrik, në gjelbërimin e pemëve të larta në High Park Toronto, fëmijë, të rinj, të rritur e të moshuar u mblodhën së bashku për t’u shlodhur e biseduar nën tingujt e muzikës popullore duke shijuar ushqimet tona tradicionale. Pjesëmarrja kësaj radhe ishte edhe më e madhe se vjet, me 140-150 vetë me origjinë nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Më shumë binin në sy të rinjtë dhe fëmijët që nuk rreshtën së kërcyeri së bashku me të rriturit nën tingujt e muzikës së përgatitur me kujdes nga Andi DJ. Grupi i valleve Shqiponjat e Vogla, që po përgatiten intensivisht për 100 vjetorin e Pavarësisë nga koreografi Ramazan Këllezi kërcyen për publikun vallen e tyre të njohur Moj e bukura More, e më pas luajti në piano vogëlushja Dea Dervishi. Grupit të valltarëve që ndërroheshin grupe grupe iu shtuan shpesh edhe kurreshtarë të huaj që afroheshin të tërhequr nga muzika e bukur shqiptare dhe nga era e ushqimeve që gatuheshin në zjarr. Vajzat aziatike në fillim hidhnin dy-tre hapa të ndrojtura në bisht të rrethit por shpejt e merrnin rritmin dhe bëheshin një me grupin shqiptar.

Si çdo vit, çifti i palodhur e simpatik Armandi me Emiljanën u kujdesën për barbeque-në, me pitet dhe qoftet e shijshme të përgatitura për komunitetin nga aktivisti i përhershëm i komunitetit, z. Beadin Qafleshi.

[anything_slider title=”Foto nga aktiviteti” column=”two-thirds” autoslide=”2000″ slider_id=”151″/]

Anëtarët e kryesisë, si gjithmonë kishin marrë përsipër secili detyrën e tij për të siguruar shërbimin e nevojshëm që të gjithë të kënaqeshin. Iliri ndihmoi në sigurimin e qofteve dhe piteve, Ari dhe Irma kryen transportin e ushqimeve. Landi dhe Nardi u kujdesën për gjeneratorin dhe sigurimin e vazhdueshëm të energjisë, lojrat e fëmijëve etj. Këndi i suvenireve dhe i shitjeve u mbulua nga Arta bashkë me vullnetaret Irma Luli, Irma Sengul, Drita Gjikaj. Të gjithë të pranishmit u përshëndetën nga dy të rinjtë Berati dhe Bora, të cilët mblodhën dhe kuotat simbolike për arkën e Shoqatës. Kryetarja Dr. Ruki Kondaj përshëndeti dhe falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që ishin të rinj në këtë veprimtari i ftoi që të bëhen anëtarë të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze. Gjatë festës u përshëndetën edhe sponsorët dhe anëtarët më të rinj të Shoqatës. Suprizat janë bërë tashmë pjesë e çdo veprimtarie. Këtë vit Dr. Kondaj, në emër të kryesisë i uroi ditëlindjen vogëlushit Xhim Bukuroshi dhe përvjetorin e martesës çiftit simpatik e të pranishëm në çdo aktivitetin tone, Bashkim dhe Irene Breznica.

Dita kaloi në një atmosferë shumë të gëzuar, me këngë, valle, fotografi e njohje të reja. Ndenjëm deri vonë kur dielli perëndoi larg në horizont dhe në park dalëngadalë filloi të bjerë errësira.

Comments Off on Pikniku veror me familjet shqiptare ne High Park
Translate »