Uncategorized

Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë nga ShBShK Toronto

                                                       I

NGRITJA CEREMONIALE E FLAMURIT NË QUEENS’ PARK.

Ditën e Djelë, më datë 25 Nëntor 2012, të gjithë rrugët që të çonin drejt Queen’s Park kuqëlonin nga flamujt kuq e zi të cilët valeviteshin krenar për nder të festës së madhe të 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kudo shikoje të rinj e të reja që mbanin veshur bluza të kuqe me mbishkrime “Shqiperia ime”, “Rroftë Shqipëria”, “ E duam Shqipërinë”, “Jam Krenar  që jam Shqiptar”. Të gjithë uronin: Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Lirinë!  Urim, që buronte atë ditë nga zemra e çdo shqiptari kudo që ishte në Shqipëri, Kosovë, kudo ku jetojnë e punojnë  shqiptarë.

Në sheshin para Parlamentit të Ontarios u mblodhën qindra bashkatdhetarë për të festuar së bashku e për të uruar njëri-tjetrin sipas zakoneve tona. U mblodhën  në shesh të moshuar e fëmijë,  të rinj e të reja, të cilët nën tingujt e  muzikës epike të këngëve tona vallëzonin kapur për dore si një trup i vetëm dhe era shpërndante skaj më skaj  jehonën e këngës së bukur  shqiptare.

Pak nga pak u ngjitën në podium personalitetet tona të cilët do të kujtonin dhe emociononin së tepërmi  të pranishmit me historitë dhe të vërtetat e popullit tonë heroik. Kështu Z. Genc Tirana, Konsull Nderi hapi këtë ceremoni  solemne  duke prezantuar e duke i  lënë vendin personaliteteve që përshëndetën këtë tubim madhështor si  Znj. Elida Petushani, Ambasadore e Shqipërisë në Otawa,  Dr. Ruki Kondaj, Presidente e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze , përfaqësues të Parlamentit të Ontarios, Z.Charles Souza MPP, Znj.  Laura Albanese MPP , Znj.Dona Cansfield MPP, përfaqësues të tre komuniteteve fetare, shoqatat si motra nga London, Hamilton, Shoqata Kosova etj. Ky aktivitet u organizua nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze si përfaqësuese legjitime e komunitetit shqiptar në Toronto dhe si e tillë u vlerësua nga Premieri i Ontarios Dalton McGuinty në përshëndetjen e tij nëpërmjet z.Souza i cili uroi pjesëmarrësit në këtë tubim madhështor, vullnetarët dhe Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, duke theksuar së tepërmi kontributin që po jep komuniteti shqiptar në Kanada. U vlerësuan arritjet e shqiptarëve në fusha të ndryshme si në biznes gjithashtu edhe dëshirën për t’u shkolluar e sidomos një tipar dallues si vlerësues e ruajtës së traditave të tyre patriotike, dokeve e zakoneve që na karakterizojnë. Dr. Kondaj në fjalën e saj falenderoi pjesëmarrësit dhe theksoi se ky flamur që po valëvitet sot ka bërë një rrugë të gjatë, është flamuri i Skëndërbeut që u ngrit mbi bedenat e Krujës më 1443, është po ky flamur që Ismail Qemali ngriti në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë. Në fjalën e saj, si të gjithë parafolësit, u vu theksi në përpjekjet e popullit tonë për të fituar pavarësinë , për diplomatin e plakun e urtë e të mençur,  Ismail Qemalin, i cili 100 vite më parë ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. “Kuq e zi është gjithë Shqipëria , këtu është Kosova këtu është  Çamëria” – kështu thonë vargjet e këngës që e këndonin atë ditë të gjithë shqiptarët .

Në mes të entuziazmit dhe duartrokitjeve Z. Ilir Çela nga Shqipëria, Agako Nouch nga Çamëria, të shoqëruar nga dy fëmijët, Albi dhe Klaudio Pulaj, ngritën flamurin tonë Kombëtar. Ishte me të vërtetë një moment kulminant që ngriti peshë zemrat tona  dhe rindezi këngën dhe vallen në shesh të cilat nuk pushuan për orë të tëra. Një grup të rinjsh shpalosi një flamur të përmasave të mëdha nën të cilin zgjateshin duart e të gjithë të pranishmëve  për ta ngritur atë sa më lart ashtu siç i takon.

Festa i  kaloi të gjitha parashikimet, ajo u shndërrua në një gëzim të madh popullor që do të mbetet në kujtesën e gjithsecilit për kohë të gjatë  dhe kjo festë do të vazhdonte po atë mbasdite me koncertin madhështor të organizuar po nga Shoqata  Shqiptaro-Kanadeze në Toronto.

II

KONCERTI I 100 VJETORIT TË PAVARËSISË, NJË KONCERT I PAHARRUESHËM PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E TORONOTOS E RRETHINAVE TË SAJ

Dera madhështore e Teatrit u hap dhe një buzëqeshje që më erdhi si papritur kur pashë gjithë ata artistë tek përgatiteshin. Ishte si një  ëndërr. A thua se këta nuk ishin njerëz të thjeshtë dhe të nesërmen do ktheheshin në punët e përditshme. Në dy ekrane të mëdha piktori Genti  Hali   kishte përgatitur një histori dhe vlera të mëdha të popullit tonë të cilat do ta shoqëronin këtë koncert pa ndërprerje ndërsa DJ Endi Alimehmeti përgatiste rradhitjen e pjesëve muzikore që duheshin në koncert . Në skenë shikohej një angazhim i madh i skenografit Rudin Koçi dhe fotografit Gaz Kondaj që i jepnin dorën e fundit vendosjes së gërmave “Kuq e Zi 100 Vjet Pavarësi”. Në krye të këtij organizimi qëndronte  Jani Papadhimitri, drejtuesi artistik i këtij koncerti dhe regjizori Ervin Meço të cilët drejtonin artistët me kujdes të detajshëm. Për një çast u shkëputa dhe vajta në prapaskenë aty ku në dhomat e përgatitjeve fëmijët po bëheshin gati me ndihmën e nënave aq të dedikuara. Ishte koreografi Ramazan Këllezi që i grumbulloi të gjithë dhe në atë pak vend po provonin një prove finale. “Duhet të jeni shumë të kujdesshëm, ok? Nisuni në kohë , buzëqeshni , ndiqni njera-tjetrën, kini vëmendjen tek çdo hap.” – Aq shumë dedikim dhe pasion që shprehej me çdo fjalë dhe këshillë e dhënë në ato pak çaste të fundit para shfaqjes. Mbrapa skene gjithashtu bënin prova dhe orkestra me këngëtarët e njohur, bilbilin e Çamrise, Hysni Alushi, e këngëtaren e ardhur nga Amerika, Entela Kaba, të cilët erdhën enkas për këtë festim madhështor. Skenografia tashmë  ishte përfunduar, perdja u mbyll  dhe  njerëzit filluan të mbushnin sallën e koncertit ndërsa në gjokset e tyre ishte vendosur stema me flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare që ua dhuronin të rejat, Nora Hashani dhe Enina Luli, veshur me kostume popullore. Po vinin një nga një dhe të ftuarit e nderit; Znj.Elida Petoshati Ambasadore, z. Ervin Musta Konsull i Përgjithshëm, Ministri i Ekonomisë së Ontarios Hon.Brad Duguid, anëtari i Parlamentit të Kanadasë Hon. Jim Karyggianis, përfaqësuesit e tre komunieteteve fetare, përfaqësuesi i arbëreshëve Salvadore Greko etj. Në hyrje si gjithmonë qëndronin anëtarët e kryesisë Arta, Irma, Emiliana, Landi, Nardi, Iliri, Bora e me radhë, me biletat gati për pjesëmarrësit në koncert. Salla u mbush plot me zemra patriote, plot me shqiptarë të të gjtha moshave dhe të gjithë trevave. Buzëqeshja s’më kishte ikur nga fytyra që në momentin e parë që shkela në Teater. U dëgjua zëri buçitës i artistit të mirënjohur për të gjithë shqipëtarët  Xhemi Agajt, i cili ishte prezantues i mbrëmjes së bashku me artistët Redina Tili, Arben Krasnica si dhe studentja Uarda Këllezi. Një katërshe fantastike që balanconin furinë e emocioneve me aq mjeshtëri e që për të hapur siparin e kësaj mbrëmjeje ftuan në skenë tenorin e ri Dion Këllezi, i cili këndoi Hymnin Kombëtar të Kanadasë dhe Shqipërisë. Një zë i plotë dhe që rezatoi shumë emocion tek spektatorët të cilët shoqëronin këngetarin nën meloditë e tekstet e bukura të këtyre himneve. Më pas,  një djalosh tjeter, më i ri në moshë, Skot Xoxa,  nën melodinë e këngës së njohur “Për Mëmëdhenë”, i binte mandolinës ndërsa  vajza që qëndiste me dashuri shqiponjën dykrenare mbi copën e kuqe, Eva Tere, e ndriçuan edhe më shumë këtë sfond. Kjo mjaftoi për të dhënë shkëndijen e parë të emocioneve dhe duartrokitjet filluan për të mos rreshtur deri në fund të koncertit.  Interpretuan në skenë pianistë të rinj si Denis Qeska e Elger Baraku e më pas mallëngjimi rrëmbeu sallën kur fëmijët e vegjël, të përgatitur tashmë për muaj të tërë me dedikim e pasion nga drejtuesja Ina Xoxa, kënduan një kolazh këngësh shqiptare me solisten e vogël por të njohur për komunitetin, Ola Xoxën . Një ndërthurje artistike e klasikes me populloren dhe pjesët shqiptare të përzgjedhura me aq kujdes nga drejtuesi artistik, Jani Papadhimitri në bashkëpunim të ngushtë me regjizorin  Meço bëri që koncerti të ndiqesh me shumë interes nga të pranishmit dhe shpesh të dëgjoheshin duartrokitjet që shoqëronin artistët në interpretim.

Koncerti kishte një shtrirje të gjërë artisitike me performanca të një niveli të lartë artistik siç ishte interpretimi në violinë i artistit e Drejtorit Artistik të koncertit Z. Jani Papadhimitri, apo artistëve të tjerë të njohur për interpretimin e tyre jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë saj pasi kanë interpretuar në skena të mëdha botërore siç ishte  Augustin Simoni,  Granit Kamberi, Dhimitër Hotova, Bardhyl Gjevori, Rudin Lengo, Petraq Papajani, Sofiola Papadhimitri, Irena Podja, Entela Kalushi. Të gjitha pjesët, e sidomos 4 violinat, sollën një emocion të veçantë në sallë. Një auditor i mrekullueshëm me shumë  nivel, një qetësi dhe dukartrokitje të parreshtura shoqëruan çdo numër që përformohej në skenë. Kështu ndodhi me këngëtarët Alushi e Kaba nën shoqërimin e orkestrës popullore nën drejtimin e Xhovalin Çunit, Ditar Sherifit, Erlin Erebara, Edmond Grosha dhe Fatmir Fanit në kitarë, sollën një gjallëri në sallë dhe nga salla filluan të kërcejnë grupe-grupe njerëzish. “Një Komb, një Flamur”, këngë të cilën e solli në skenë këngëtari i mirënjohur, Jovan Tere, e këngëtarja e re shumë premtuese e së ardhmes, Tringa Rexhepi, që u prit mjaft mirë nga të pranishmit. Me shumë dinjitet u prezantua grupi yne polifonik, i pari grup i formuar enkas për këtë koncert me këngëtarin dhe rapsodin Hazbi Bellaj. Emocionet ishin te papërshkruara, tekstet e këngëve dhe shoqërimi i tyre ishin i një niveli shumë të lartë profesional dhe publiku nuk i kurseu duartrokitjet. Nuk mund të mos përmend këtu edhe duetin klasik të interpretuar me shumë emocion nga balerini yne , Ari Karemani, dhe Eva Tere nën tingujt e muzikës së këngës “Valsi i Lumturisë”, interpretuar me aq madhështi nga e madhja Vaçe Zela me koreografinë e Ramazan Këllezit . Një pjesë shumë e rëndësishme e koncertit ishte dekorimi i Presidentes  së Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze,  Dr. Ruki Kodaj me çmimin “Queen Diamond Jubille Award”, i akorduar nga Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë dhënë nga Ministri i Financës së Ontarios, Hon. Brad Duguid në 60-vjetorin e hypjes në fron të Mbretëreshës Elizabet II. Të pranishëm në shpërndarjen e çmimit ishin edhe Ambasadorja  e Shqipërisë për Kanadanë, Znj. Ellida Petoshati, si dhe Hon.Jim Karyggianis, Anëtar i Parlamentit të Kanadasë për multikulturarizëm . Ky çmim ishte një moment krenarije dhe vleresimi jo vetëm për  Dr. Kondaj dhe shoqatën që ajo drejton por për të gjithë shqiptarët e Torontos. Më pas koncerti vazhdoi i gërshetuar me orkestrime dhe muzikë popullore të Tiranës, Shkodrës, me këngetarët Hysni Alushi, Entela Kaba dhe Xhovalin Çuni. Në sallë kishte më shumë se kurdoherë fotografë e kamera, ja këtu shikon perveç të rinjve të  përhershëm në aktivitet e Shoqatës si Gazi e Zigrida, edhe të nderuarin fotograf Lulëzim Bardhoshi, i cili së bashku me të rinjtë, si një ekip i mrekullueshëm, nuk lanë detaje pa fotografuar. Në fund të sallës,  me kamer në sup, i përhershmi i aktiviteteve në komunitet, Ilir Lena, përfaqësues i medias së vetme shqiptare që pasqyron këtë larmirshmëri aktivitetesh me pasion e profesionalizëm të lartë.

Një buqetë me lule shumëngjyrëshe do ta konsideroja mozaikun e valleve nga të gjitha trevat e Shqipërisë,  shqiptarëve të Prespës, Kosovës, Valles Dardhare , valles së Tiranës, për të kaluar më pas tek vallja Mirditore, për ta mbyllur me motivet e Tropojës dhe “Shqiperia, Nena ime”. Rreth 25 valltare, të moshave nga 6 deri 14 vjeç, të veshura me kostume nga të gjitha trevat shqiptare interpretuan për 12 minuta këtë mozaik dhe bënë që e gjithë salla të dridhej nga brohoritmat  dhe duartrokitjet e spektatorit të cilët tashmë vallzonin kapur dorë-për-dore. Nuk mund të lëmë pa përmendur vullnetarët që ndihmuan fëmijët hap-pas-hapi, si Gentiana Aliaj dhe Luçiana Beqo, si dhe dy vëllezërit Hali, Kestri e Kalter Hali,  që të sinkronizuar ne veprime dhanë një kontribut të çmuar në këtë koncert. Emocione të papërshkruara sollën në skenë dhe interpretimi live i Xhanko Mustafait në lodër apo flamurit që mbahej lart nga dy djem përfaqësues së dy trevave , Jugut dhe Veriut të Shqipërisë. Mozaiku mbyllet me një moment statik ku në ajër ngrihen lart shkronja të kuqe të cilat formojnë  togfjalëshin “ SHQIPËRIA IME”. Emocion i paparë. Në këtë moment në skenë dëgjohet zëri i mprehtë i Tringa Rexhepit, një artiste e formuar që përformon me nivel të lartë jo vetëm këngën e Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, por edhe këngën “Një komb, një flamur. E ndërsa Tringa këndon këngën popullore “Xhamadani  vija-vija”, në skenë improvizohet një mbyllje Galá e koncertit në të cilin marrin pjesë 86  artistët pjesëmarrës  në koncert , e ndërsa grupi polifonik në qendër të skenës valvit flamurin Shqiptar, në cepin tjetër të skenës valëvitet flamuri i Kosovës e ai Kanadez. Një festë e madhe që shkriu në një, artistë e spektatorë, njerëz të lumtur që festonin së bashku këtë ditë të madhe, 100 Vite Pavaresi, një privilegj që natyra na bëri ta marrim me vete përgjithmonë. Një mbrëmje e paharrueshme që do të ngelet në kujtesën e kujtdo që pati fatin ta shijonte këtë koncert madhështor.  Gëzuar 100 Vite Pavarësi Shqipëria Ime, qofsh e bekur përgjithmonë!

III

NGA FESTIMET E 100 VJETORIT TË PAVARËSISË NË HAMILTON DHE NË OTAWA

 

SHBSHK mori pjesë dhe në festimet  e 100-vjetorit në Hamilton, ku dy përfaqësues të kryesisë shkuan të ftuar nga shoqata e Hamiltonit; si sekretari i shoqatës, z.Roland Lelaj dhe z.Leonard Zoga. Kjo është bërë tashmë traditë e bukur që përfaqësi të shoqatave si motra festojnë së bashku festat  tona kombëtare.

Në pritjen që ambasada jonë në Otawa organizoi  për 100-vjetorin e Pavarësisë, me ftesë të Ambasadores Petoshati, mori pjesë Presidentja e Shoqatës Dr.Ruki Kondaj, koreografi i mirënjohur, Ramazan Këllezi, të organizuar në një grup të mirë me përfaqësuesit e komuniteteve fetare si Imamin Muhamet Osmani dhe Dom Xhovani si dhe Konsullin  e Përgjithshëm në Toronto, z.Ervin Musta. Pritja kaloi në një atmosferë shumë të këndshme vëllazërore.

Festimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë do të mbeten të paharruara në zemrën e çdo shqiptari në tërë botën anembanë.

DSC_0020 DSC_0036 DSC_0042 DSC_0046 DSC_0076 DSC_0097 DSC_0138 DSC_0285 DSC_0321 DSC_0332

Comments Off on Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë nga ShBShK Toronto
Translate »