Lajmërime

Gëzuar Lirinë, gëzuar Pavarësinë, gëzuar 5 vjetorin Kosovë!

SHBSHK u përcjell mijëra shqiptarëve që jetojnë në Toronto e rrethinat urimet më të mira që burojnë nga zemra në këtë ditë të shënuar të 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kosova (historikisht Dardania, zyrtarisht Republika e Kosovës, është tashmë vend i pavarur në Evropën Juglindore. Me shpalljen e pavarësisë më 2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë. Pra, kaluan plot 5 vjet nga kjo ngjarje historike e shumëpritur e cila është jo vetëm një ditë feste në kalendarin e shqiptarëve, por edhe një ditë kur të gjithë shqiptarët ndalen për një moment të vleresojnë arritjet dhe të shohin përpara të ardhmen e tyre të ndritur.
Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë me veprën e tyre jetësore, me punë të palodhshme dhe me sakrifica e vetëmohim. Asnjëherë nuk duhen harruar ato përpjekje që i paraprinë kësaj dite të jashtëzakonshme. Përulemi me respekt për ata që luftuan e humbën jetën për lirinë e atdheut Kosovë, nënat dhe baballarët të cilët përjetuan vështirësi të papërshkrueshme që bijtë dhe bijat e tyre të mund të jetonin një ditë të lirë.

Kosova sot është një vatër stabiliteti në rajon me qëllime e objektiva të qarta për të ardhmen, me synimin për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe anëtarësuar në NATO. Ajo është krenare sepse është vazhdimësi e pandarë e qytetërimit të lashtë Iliro-Dardan, ruajtjëse dhe bartëse e gjuhës shqipe, ruajtësë e vlerave të mëdha të folklorit, traditave, dokeve e zakoneve, mjaft të rëndësishme për identitetin e një kombi. Kosova e mbajti gjithmonë lart flamurin kombëtar i cili e frymëzoi për të mbajtur gjallë edhe nën pushtimin e egër serb ndjenjën e atdhedashurisë që nga foshnjet në djep deri tek pleqtë flokbardhë.
Sot ju këndojmë Kosovës e shqiptarëve të saj për burrërinë dhe vendosmërinë. Ata i urojmë nga zemra: Ta gëzoni Kosovën që aq shumë e duam të gjithë; ta gëzoni lirinë që aq shumë e kërkuat dhe derdhët aq shumë gjak. Ky është urimi që buron sot nga zemra e gjithë shqiptarëve kudo që ata janë.

newborn

Comments Off on Gëzuar Lirinë, gëzuar Pavarësinë, gëzuar 5 vjetorin Kosovë!
Translate »