Veprimtari

Prof. Dr. Nusret Pllana
“Diplomat i çështjes shqiptare” në Toronto

Më 1 shtator 2013, në Markland Wood Golf Club, Toronto, dhjetra bashkatdhetarë të të gjitha trevave dhe të huaj, morën pjesë në promovimin e librit historik e kombëtar “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” i Prof. Dr. Nusret Pllanës nga Kosova.

Organizatorët e këtij takimi ishin: Qendra Shqiptare në Hamilton me president Qamil Breznicën; Shoqata Shqiptaro-Kanadeze Toronto me zv/president Xhemi Agaj; përfaqësues të biznesit Bedri e Mehdi Toqani, Bujar Zejnullahu dhe Dashnor Hasku. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre konsujt e Shqipërisë në Toronto, Genc Tirana dhe Ervin Musta, shoqatat nga Londoni e St. Tomasi me presidentë Naser Berisha dhe Ramadan Maliqi, dy përfaqësues të këshillit të nderit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, Prof. Kristian Bukuroshi e Murat Hashani, presidentja e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze Toronto dr. Ruki Kondaj, shkrimtari Rifat Dajti, përfaqësuesi i komunitetit fetar mysliman Muhamet Osmani, poeti  Mustafa Ismaili etj.

Ishin të pranishëm dhe drejtori i Shkollës Amerikane në Kosovë, Prof. Charles Launder, si dhe humanistja me origjinë italiane Isabelle Belleti.

Aktivitetin e moderoi aktori i mirënjohur Xhemi Agaj i cili falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen masive. Takimi u hap me ekzekutimin e hymnit kanadez dhe atij shqiptar, si dhe në mbajtjen e një minute heshtjeje për rreth 570.000 viktimat e popullit të Kosovës, që u vranë e masakruan në periudhën e viteve 1844- 1999, dokumentuar nga Prof. Dr. Pllana në librin e tij.

Pasqyrimin e këtij realiteti nuk e bën më mirë askush se sa ai që e ka jetuar atë personalisht. Dëshmitar i tillë është autori Prof. dr. Nusret Pllana, i cilësuar nga folësit si humanist, luftëtar i lirisë, dashamirës i fjalës së lirë, akademik, shkencëtar dhe diplomat i çështjes shqiptare.

Me këtë botim, studiuesi Pllana mbush një boshllëk të ndjeshëm në fushën e dokumentimit të historisë së popullit shqiptar, pikërisht të asaj periudhe tragjike që ka të bëjë me shtypjen dhe terrorin e regjimeve serbe në Kosovë në periudhën 155 vjeçare. Një pjesë e dokumenteve dhe fotove janë marrë ose grumbulluar nga vetë autori gjatë kohës kur ai punonte si gazetar për radion “Kosova e Lirë”.

Së pari publiku u njoh me një biografi të shkurtër të prof.dr. Nusret Pllanës, si dhe me filmin dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër botë’’. Më pas, Xhemi Agaj lexoi një pjesë nga libri “Ditar lufte” i po këtij autori, i cili u dëgjua me shumë vëmendje e emocion nga auditori.

Më tej përshëndetën konsulli i nderit në Toronto z. Genc Tirana, poeti dhe dashamirësi i letërsisë shqipe nga Kosova z. Mustafa Ismaili, Prof. Charles Launder, humanistja Isabella Belleti, dr. Ruki Kondaj etj. Të gjithë folësit vlerësuan punën voluminoze të autorit bazuar në fakte reale, një pune shkencore e mirëfilltë, me vlera kombëtare e historike. Njëri nga folësit theksoi se atë që ka bërë Prof. Pllana në këtë libër nuk e ka bërë as shteti dhe as vetë politika.

Pllana-2

Mustafa Ismaili: Duke e lexuar këtë libër gjejmë edhe një këshillë të vyer, “të mos biem më në grackën e vjetër të pushtuesit, që të mos përsëritet përsëri Toplica, Sanxhaku, Prekazi, Reçaku etj.”

Prof. Charles Launder: Libri i Prof. Pllanës është një libër historik me vlera të mirëfillta shkencore. Fotot e këtij libri tregojnë një histori të dhimbshme dhe tragjike të popullit shqiptar të Kosovës për një kohë të gjatë.

Përvoja ime shumëvjeçare në shkollën amerikane të Kosovës, si ligjërues, ka një rëndësi të madhe për mua dhe familjen time, siç ka rëndësi edhe pjesëmarrja ime në këtë takim bashkë me popullin mik shqiptar. Edhe pamja e kësaj salle e ka një domethënie të veçantë, në ballë të saj qëndrojnë bukur tre flamuj të tri shteteve demokratike: flamuri i Kosovës, ai i Shqipërisë dhe flamuri i shtetit tim, Kanadasë.

Izabelle Belletti: Uroj nga zemra Dr. Pllanën për këtë libër kaq të rëndësishëm, jo vetëm për historinë e shqiptarëve, duke i dëshiruar  suksese edhe më të mëdha në përhapjen e së vërtetës të popullit mik shqiptar, edhe pse kjo e vërtetë ka qenë tepër e hidhur për të. Përmes këtij manifestimi përurues ju dëshiroj paqe dhe mirëqenie gjithë shqiptarëve kudo që janë sepse ata e meritojnë këtë. Bile, kam përshtypjen që ky popull ka shumëçka të përbashkët me popullin italian: bujarinë e mikëpritjen, janë dy popuj me vlera të larta historike.

Genc Tirana: Është një kënaqësi e veçantë për mua sot, që marr pjesë në promovimin e një libri kaq historik. Ajo që më ka bërë shumë përshtypje dhe më ka lënë pa fjalë është numri i madh i pamjeve autentike që ka ky libër voluminoz me 490 faqe dhe me përkthim në katër gjuhë të huaja. Ky është një libër që nuk ka vetëm vlera historike, kombëtare e diplomatike, por ka edhe vlera të mirëfillta shkencore, prandaj Prof. Pllana nuk është vetëm historian, nuk është vetëm një akademik, por është një shkencëtar, e mbi të gjitha është një diplomat i çështjes shqiptare.

Libri i Prof. Pllanës ka bërë atë që siç e pamë edhe nga filmimet, nuk e ka bërë dot as shteti. D.m.th. ky libër u ka shkuar në dorë edhe të huajve e institucioneve që kanë zë për të folur për Kosovën, theksoi diskutuesja Dr. Ruki Kondaj.

U vazhdua me pyetje dhe përgjigje dhe në fund e mori fjalën Prof. dr. Nusret Pllana, i cili mes duartrokitjeve dhe gjithë sallës të ngritur në këmbë, ai falënderoi organizatorët për këtë aktivitet madhështor, i një niveli të lartë profesional, surprizë për autorin, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit në këtë eveniment që i tejkaloi përmasat e një promovimi të zakonshëm libri. Gjithë aktiviteti u xhirua nga kameramani Zef Luca dhe u fotografua nga Genti Hali. Njerëzit të etur për të blerë ata pak ekzemplarë të librit që mezi kishin arritur në Toronto për shkak të peshës së tyre të rëndë, u gjendën në radhë duke marrë edhe autografe nga autori. Një mbrëmje e paharrueshme për të gjithë, e cila u kurorëzua me një koktej të përgatitur me ushqime shqiptare, nga familja kosovare Qafleshi.

Sponsorët e këtij promovimi:
1. Besi Auto Collision (me pronarë Bedri dhe Mehdi Toqani)
2. Agjencia turistike Travelonly (me pronarë Bujar Zejnullahu dhe Dashnor Hasku)
3. Five Star Motors me pronar Adnan Aliti
4. Brothers Auto Sale me pronarë Faik dhe Agim Shabani
5. Beqiri Acconting me pronar Ylli Beqiri
6. Crown Plaster and Stuco Design me pronar Milazim Sylejmani
7. Visar Zejnullahu – DJ Viss
8. Burim Zejnullahu – Manager në Country Golf Club
9. Qendra e Komunitetit Shqiptarë Hamilton (me kryetar Qamil Breznica
10. Shoqata Shqiptaro-Kanadeze Toronto (me kryetare dr. Ruki Kondaj)
11. Pasqyra shqiptare me producent Ilir lena.

Comments Off on Prof. Dr. Nusret Pllana
“Diplomat i çështjes shqiptare” në Toronto
Translate »