Veprimtari

Festohet në Michigan 40 vjetori i meshtarisë së Don Lush Gjergjit dhe Don Ndue Gjergjit

Në një atmosferë të gëzueshme u festua 40 vjetori i shugurimit meshtar të Don Ndue Gjergjit dhe Don Lush Gjergjit në sallen e kishës së Zojes Pajtore në Michigan, ku me një  ftesë të veçantë mori pjesë dhe presidentja e Shoqatës Shqiptato-Kanadeze në Toronto dr. Ruki Kondaj.
Në fjalën e saj midis të tjerash ajo përmendi bashkëjetesën fetare në shekuj, një virtyt I lartë i shqiptarëve. Dr. Kondaj kishte zgjedhur për dhuratë  simbolike portretin e Nënë Terezes, punim nga artisti i komunitetit shqiptar në kanada, Hytbi Tarelli.

Lush-Gjergji1

 

 

Pak fjalë për vëllezërit  meshtarë me mision 40 vjeçar

Don Lush Gjergji, u lind në Stubëll të Epërme të Vitisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Gjimnazin klasik e kreu në Dubrovnik, Kroaci, magjistraturën në filozofi në Romë, ku diplomoi edhe ne teologji e sociologji. Ne vitin 1975 në Universitetin Shtetëror të Romës fitoi titullin Doktor i Shkencave në Psikologji. Eshte shuguruar meshtar në Binçë më 11 gusht 1973, ndërsa Meshën e parë e ka kremtuar në Stubëll më 12 gusht 1973. Qysh mbas shugurimit Dr. don Lush Gjergji ka sherbyer pa nderprerje në Kosovë: Ferizaj, Binçë, Prizren. Sot është vikar i pergjithshem i Ipeshkvisë së Kosovës dhe sherben ne katedralen e re Nënë Tereza në Prishtinë. Vite me radhë ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i revistës fetaro-kulturore e shtëpisë botuese “Drita” me seli në Ferizaj. Është njohës i gjuhës latine, i gjuhës së vjetër greke, i gjuhës italiane, gjermane, frënge, angleze dhe i gjuhëve sllave që fliten në Ballkan.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Gazetarëve dhe Publicistëve Katolikë të Evropës dhe anëtar i Akademisë Evropiane. Don Lush Gjergji është njëri nga intelektualët më të njohur në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë. Deri tani  ka kontribuar në disa fusha të jetës e të dijes. Përveç që është çmuar në misionin meshtarak, për të cilën edhe është shkolluar, aktiviteti i tij ka qënë i dalluar sidomos në misionin humanitar e fisnik, në pajtimin e gjaqeve, e atë të peshës së fjalës së gjallë, që e bëri të dalluar me aftësitë oratoriale e njerëzore, e cila i prek majat e ndërgjegjës së njerëzimit. Ai eshte edhe nje shkrimtar the publicist i njohur. Deri tani ka botuar 60 libra, shumica prej të cilëve janë përkthyer në më se 35 gjuhë te botes.
Don Lush Gjergji eshte studiuesi më i mirëfillte i veprës dhe jetës së Nëne Terezes, nga e cila ai u frymëzua qysh nga takimi i tyre i parë në vitin 1968. Jeta, vepra dhe mendimi i Don Lush Gjergjit eshte i lidhur ngushtë me figurën e Nënë Terezës.Të flasësh për Nënë Terezën nuk mund të rrish pa folur për Don Lushin dhe anasjelltas. Prandaj 13 nga librat e tij i kushtohen shenjtëreshës Nënë Terezë të cilën Don Lushi e quan simbol i rilindjes, depërtimit dhe shpresës. Të gjithë jetën Don Lushi ia kushtoi shërbimit ndaj Zotit, Kishës dhe njerëzimit dhe thelbi i veprues së tij është siç thotë ai: E vërteta në dashuri dhe për dashuri!

Don Ndue Gjergji lindi ne Stubullen e Eperme. Shkollen fillore dhe gjimnazin i kreu ne vendlindje. Eshte diplomuar ne Romë në degën e teologjisë në vitin 1973. Eshte shuguruar meshtar në komunën e Binçës më 11 gusht 1973, nga i ndjeri ipeshkëv Nikë Prela. Pas shugurimit meshtar Dom Ndou ka shërbyer me përkushtim e dashuri në famullinë e Binçës vite me radhë, nga viti 1975-1993. Famulli te cilen me pas e drejtoi Don Lushi deri në vitin 2007.
Ne vitin 1997 Don Ndue Gjergji emerohet ambasador i Kishës Shqiptare të Kosovës në SHBA, pikerisht ne Kishen e Zojës Pajtore, e cila për 20 vite me radhë udhëhiqej nga famullitari i përndershëm, i ndjeri Prek Ndrevashaj. Qysh nga ajo kohe Kisha jone nen drejtimin e don Ndue Gjergjit ka njohur rritje te vazhdueshme, si ne aspektin e fetar e shpirteror te predikimit te fjales se Zotit, por edhe ne aspektin e jetes shoqerore, letraro-artistike, e atdhetare te komunitetit shqiptar ne Michigan. Permend ketu, traditen e festivaleve te pervitshme, kremtimit te vazhdueshem te festave kombetare shqiptare, promovimet e veprave te shkrimtareve, fejesa, dasma dhe hatrave.
Si merite e punes organizuese se Don Ndout dhe pergjigjes ne kohe te komunitetit, u be e mundur sigurimi i këtij ambienti te ri kishtar qe eshte sot. Në kulmin e aktivitetit te tij, ne shtator te vitit 2013, per here te pare kishen e Zojes Pajtore e viziton nje president i Shqiperise, ku me te njejtin rast Kisha jone vleresohet me titullin e larte “Nderi i Kombit”.

 

Comments Off on Festohet në Michigan 40 vjetori i meshtarisë së Don Lush Gjergjit dhe Don Ndue Gjergjit
Translate »