Veprimtari

Mbledhja vjetore me anëtaret e Shoqatës, bizneset dhe vullnetarët

Ditën e dielë, datë 30 Mars 2014, në mjediset e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, u zhvillua mbledhja vjetore e shoqatës me anëtarët e saj, për t’i njohur këta të fundit me veprimtaritë e shoqatës si në planin programatik  ashtu edhe në atë financiar. Vend të vecantë zinin vlerësimet  për personat që kontribuojnë në lartësimin e emrit të shqipëtarëve në Ontario dhe njohja e anëtarëve me detyrat dhe pikësynimet e kryesisë për vitin në vazhdim.

Për t’u vlerësuar është fakti se pjesëmarrja ishte mjaft e mirë me familje nga të gjitha trevat shqiptare me një frymë bashkëpunimi dhe vlerësimi mbi punën e lavdërueshme të kësaj kryesie.

Untitled-1

Moderatori z. Ramazan Këllezi, falenderoi në emër të kryesisë të gjithë të pranishmit dhe ftoi Dr. Ruki Kondaj, presidente e Shoqatës, për të paraqitur raportin vjetor. Raporti përmbante qartë dhe tepër transparent, të gjithë aktivitetin një vjeçar të shoqatës, veprimtaritë e realizuara, suksesin e tyre, punën e anëtarëve të kryesisë mbështetur nga Anëtarët e Nderit, Prof. Kristian Bukuroshi. z. Murat Hashani dhe z. Iljaz Loku dhe, falenderimi për të gjithë vullnetarët, sponsorat tanë të nderuar duke i vlerësuar me çmimet   Bronze, Silver, Gold sipas donacioneve të bëra. Ajo prezantoi edhe çmimin e ri Platinium për sponsorizimet me vlera të konsiderueshme  mbi $5000.

Dr. Kondaj u ndal veçanërisht në kontributin e botueseve te reja në komunitet  të cilat ishin të pranishme: znj. Drita Tarifa,  znj. Dhurata Sinani dhe znj. Nina Karamitro e cila përveç anëtarësimit të menjëhershëm në shoqatës, dhuroi edhe disa libra të saj. Një moment i veçantë i kësaj mbledhje ishte vlerësimi që ju bë Dr. Alban Merepezës nëpërmjet një pllake mirënjohjeje për kontributin e tij si mjek sportiv, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në lojrat olimpike dimërore në Sochi, Rusi.

Untitled-2

Prezantimi  nëpërmjet  powerpoint dhe sqarimet  e rastit u vlerësuan shumë nga të pranishmit ku një meritë e madhe pa dyshim i takon Dr. Kondaj, e cila me thjeshtësinë dhe profesionalitetin e saj drejtoi me dinjitet edhe këtë takim të rëndësishëm për shoqatën. Ajo foli edhe për iniciativën më të re të shoqatës: shpalljen e Ditës së trashëgimisë shqiptare në parlamentin e Ontarios në shtator të këij viti që është dhe muaji i Nënë Terezës.

Më pas, Borelda Mila, financiere, në bashkëpunim me Irene Breznica, arkëtare e shoqatës, paraqitën një pasqyrë të saktë të gjëndjes financiare, shpenzimeve dhe të të ardhurave sipas zërave. Ndërsa, antari i bordit  Valbon Shabani shpjegoi në detaje bazën e të dhënave të krijuar prej tij për shoqatën në një vizion të avancuar. Z. Xhemail Agaj, zv/kryetar i shoqatës,  i dhuroi z. Engjëll Cane pllakatën e Antarit të Nderit dhe lexoi një biografi të shkurtër përgatitur nga z. Muharrem Xhaferri, për ish anëtarin e shoqatës z. Muntaz Xhindole, i cili u nda nga jeta më 7 janar të këtij viti.

Të pranishmit që morën fjalën, vlerësuan punën e madhe që është bërë si dhe mbështetën planet e shoqatës për të ardhmen. Në veçanti fjala e Dr. Merepezës ishte një falenderim e mirënjohje për të gjithë këtë punë vullnetare që bëhet nga shoqata dhe vullnetarët për t’i ardhur në ndihmë komunitetit shqiptar në Ontario, për ruajtjen e kulturës e traditave shqiptare “ashtu siç bëhet me vallëtaret e grupit simpatik Shqiponjat e Vogla” – tha ai.

Në fund të mbledhjes, pjesëmarrësit shijuan koktejin e sponsorizuar nga znj. Rudina (Luga) Shehi e cila vlen të falenderohet për paraqitjen dhe shërbimin e te gjellëve tona tradicionale të përgatitura prej saj.

Pas përfundimit të këtij aktiviteti, Dr. Ruki Kondaj dhe z. Xhemi Agaj shkuan për t’i dorëzuar pllakën e nderit z. Frank Figlia, arbëresh dhe aktivist komunitar meqë gjëndja shëndetësore nuk e lejoi t’i bashkohej kësaj mbledhjeje.

Ramazan Këllezi, zëdhënës i shoqatës

Comments Off on Mbledhja vjetore me anëtaret e Shoqatës, bizneset dhe vullnetarët
Translate »