Veprimtari

Festimet e 102-vjetorit të Pavarësisë në Toronto

Muaji nëntor ka qenë dhe do të mbetet Muaji i Shqiptarëve pasi në këtë muaj ata festojnë Ditën e Pavarësisë në të gjithë botën. Këtij riti domethënës nuk i anashkalon as komuniteti shqiptar në Toronto e Kanada kur shqiptarët mblidhen dhe festojnë së bashku ditën më të shtrenjtë për ne, Ditën e Pavarësisë që shënon themelimin e shtetit të ri shqiptar.

Për nder të 102-vjetorit të shpalljes së pavarësise, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto zhvilloi një numër aktivitetesh të cilat u mirëpritën nga anëtarët e saj gjë e cila u duk nga pjesëmarrja dhe kontributi i tyre në këto aktivitete.

10801639_722769414475525_5466475279674767483_n

Aktiviteti i radhës që organizohet çdo vit nga Bordi i shoqatës në bashkëpunim me Konsullin e Nderit Genc Tirana, ishte ngritja zyrtare e flamurit kombëtar në mesditën e datës 23 nëntor në Queen’s Park. Ishin ftuar personalitete kanadeze, përfaqësues parlamenti nga Partia Liberale, Yvan Baker dhe nga Partia Konservatore, Bill Watson si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Ottawa, Shkëlqesia e saj, Elida Petoshati, përfaqësues të shoqatave simotra në Ontario, si Shoqata e Londonit me kryetar Naser Berisha, Shoqata e Hamiltonit me kryetar Shani Pnishi, Shoqata Kosova me kryetar Sami Ademin, Shoqata e Bashkësisë së Montrealit me kryetar Hysni Markun etj. Fjalën përshëndetëse e mbajti Elida Petoshati dhe në emër të shoqatës foli Xhemi Agaj zv/President i shoqatës. Me radhë e morën fjalën dhe përfaqësuesit e parlamentit,  shoqatat simotra dhe u lexua mesazhi i spikerit të parlamentit Dave Levac dërguar komunitetit shqiptar. Në këtë ceremoni mori pjesë dhe konsulli i Kosovës në Gjermani Astrit Zemaj. Pas ceremonisë të ftuarit dhe të pranishmit u ftuan në koktejin e shtruar nga konsulli Tirana, i cili kaloi me një atmosferë të gëzuar e miqësore.

DSC_0604

II.

Mbasditja e 23 nëntorit vazhdoi me darkën tradicionale të 102-vjetorit të Pavarësisë organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze në të cilën ishin ftuar artistë nga komuniteti: këngëtarja e re e talentuar, anëtare e bordit të kësaj shoqate, Tringa Rexhepi, sopranoja e talentuar ish-soliste e T.O.B Mirela Tafaj, muzikantët Erind Emiri dhe Përparim Mefaja nga Detroit si dhe mbretëresha e këngës popullore shqiptare, Merita Halili, shoqëruar nga grupi i saj orkestral nën drejtimin e Raif Hysenit, dhe DJ Andi Daci. Moderatorë të ketij evenimenti ishin Xhemi Agaj nënkryetar i shoqatës dhe anëtarja më e re e shoqatës, kandidate per Miss Univers 2014, Zerina Derveni, të cilët pasi i uruan mirëseardhjen të pranishmëve ftuan Dr. Ruki Kondaj, Presidente e Shoqatës për të përshëndetur dhe për të bërë vlerësimin e 12 personaliteteve si anëtarë nderi. Në fjalën e saj Dr. Kondaj theksoi rëndësinë e festimit të kësaj feste dhe transmetimin e kësaj tradite tek brezi i ri. Më pas fjalën e morën me radhë ministrat Brad Duguid e Reza Moridi, parlamentarët Laura Albanese e Yvan Baker, konsulli I Kosoves në Gjermani Astrit Zemaj dhe ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Elida Petoshati. Laura Albanese lexoi mesazhin e dërguar kryesisë nga Kryeministrja e Provincës së Ontarios, znj. Kathleen Wynne.

Në programin e shoqatës për të dytin vit radhazi u shpërndanë pllakata për të vlerësuar punën e personaliteteve që kanë kontribuar në çështjen shqiptare në Kanada e jashtë saj me titull “Anëtar Nderi i SHBSHK Toronto”. Mbrëmjen e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe  Robert Bainer nga Këshilli i Biznesit Kanada-Shqipëri dhe përfaqësues të Shoqatës së Londonit me kryetarin Naser Berisha.

Darka kaloi në një atmosferë tepër festive, me një organizim që la mbresa nën tingujt dhe zërin e mrekullueshëm të Merita Halilit e të këngëtarëve të tjerë. Grupi i valleve Shqiponjat e Vogla nën drejtimin e koreografit Ramazan Këllezi, zëdhënës i  shoqatës, si gjithnjë të pranishme në aktivitetin e kësaj shoqate interpretuan tre valle të cilat lanë mbresa tek të ftuarit duke vlerësuar folklorin shqiptar për larminë e motiveve, kostumeve dhe interpretimin e valleve. Grupi i të rinjve i përbërë nga 6 çifte kërcimtarësh, aktivizohet për të dytën herë duke sjellë për të pranishmit një valle me motive dibrane.

Si çdo vit është bërë traditë prerja e tortës së pavarësisë përgatitur nga Adi e Bruna Brari, sponsorë dhe anëtarë të shoqatës, me praninë e gjithë bordit, një ceremoni që u shoqërua me tingujt e këngëve Xhamadani vija-vija kënduar nga gjithë këngëtarët dhe vetë pjesëmarrësit.

Comments Off on Festimet e 102-vjetorit të Pavarësisë në Toronto
Translate »