Lajmërime

Të ndërtosh një jetë mbi forcat e errësirës – EULOGJI per zonjën Meshan Çini

meshan

Në 20 janar 2017, kur shumica e botës ishte përqëndruar në përurimin e Presidentit të Amerikës, në komunitetin shqiptar të Torontos perdja e një lajmi mortor ra butë, heshtur, prerë, duke mbajtur pezull frymët e njerëzve: Meshan Çini na la….Kaq mjaftoi që nëpër banka, zyra luksoze korporatash, laboratore, universitete, ministrira, biznese, bashki, trena, taxi, aeroporte, spitale, tastiera pianosh e shtëpi, kudo ku ishin adhuruesit e saj, të ndalohej koha, të ndryshonte graviteti, të heshtej. Aty ku puna nuk mund të ndërpritej, lotët rridhnin dhe ndjenjat u koncentruan në pak fjalë…’E more vesh?’…Kush?… Meshani?…Mos…jo…Teta Meshani na la…e pabesueshme, c’qe kjo që ndodhi?

Meshan Çini ishte kthyer që në të gjallë të saj në një simbol dhe adhurim të jashtëzakonshëm për të gjithë ata që e kishin takuar e aq më tepër për ata që e njihnin nga afër. Meshani ishte kthyer në një sistem moral, në një referencë dinjiteti e fisnikërie, thjeshtësie e embëlsie paralizuese. Po ti shtojme këtyre nurin dhe bukurinë shtangëse të saj, atëhere vetëm heshtja dhe lotët do i shkonin për shtat lajmit të rëndë.

Te premten paradite, më 20 janar 2017, në Toronto, Kanada pushoi së rrahuri zemra e Meshan Çinit, koncentrim i virtyteve më të larta të gruas shqiptare. As Edit Dyrham e as Margaret Juserman që i kanë ngritur himn virtyteve e karakterit të femrës shqiptare, nuk patën fatin ti shohin ato kaq gjerë e thellë sa ç’i pamë ne në personin e Meshanit, kësaj zonje të lartë, te papërsëritshme.

Meshani lindi në Delvinë më 15 korrik 1928 në pallatin e madh të Çinive, nën dashurinë e familjes së saj e mbrojtjen e 300 trimave që ruanin sarajet…dhe i këndonin gjyshit të saj:

‘Telet se c’po venë e vijnë

Nga Janina në Delvinë

Kërkojnë Jaho Çininë

Për Naim Bej Frashërinë

Jaho të na japesh Naimë

S’e jap për Baba Alinë

Ky ishte fillimi i një jete të stuhishme. Jeta e Meshanit dhe skalitja e figurës së saj është përshkruar me profesionalizëm nga Rifat Dajti në librin ‘Bukuria fatale’. Bukur e qartë, me vertetësi e realizëm rrënqethes i ka pikturuar autori dallgët që u perplasën mbi këtë shkëmb të fortë e elegant, se si u perplasën mbi të sistemet morale dhe qytetërimet, forcat e errësires me dritën, muzika olimpike me tallavanë e Xhinxhis Khanit, jeta me vdekjen. U perplasen keto mbi një femër të re që fati në momente të caktuara e la pa mbrojtje në qelitë e burgjeve, internime e fushave të lakrave…dhe se si ajo vetë u ngrit mbi të gjitha këto. Kapërceu rrathët e ferrit një nga një dhe ndërtoi një jetë të bukur me elementet e saj më thelbësore: dinjitetin dhe bukurinë njerëzore. Po si ndodhi kjo? Ajo ma tha ‘sekretin’ e thjeshtë gjatë një interviste për gazetën ‘Jon’:

-‘Zonja Meshan, a keni urrejtje për ata që ju kanë persekutuar? (Se fjalën ‘shkatërruar jetën’ ju me të drejtë nuk e pranoni pasi sipas jush – dhe unë bashkohem plotësisht me ju –vetëm Zoti mund ta bëjë këtë).

Përgjigja e Meshanit: ‘Jo, nuk kam urrejtje. Ajo nuk është në strukturën time. Jam për drejtësi shoqërore. Por jeta ndërtohet vetëm nga dashuria. Aty është burimi i saj dhe unë këtë sens kam zbuluar tek vetja dhe këtë kam ndjekur gjithë jetën. Besoj se dashuria sundon mbi urrejtjen dhe meskinitetin’.

Në janar të këtij viti Meshani na mblodhi përsëri të gjithëve, kësaj radhe në spital, e rrethuar me dashuri, karta e lule. Jashtë binte borë e madhe dhe ajo nuk harroi të shqetësohej edhe për këtë, për vajzat e saj të shumta që e rrethonin vazhdimisht pa e lënë asnjëherë vetëm. Edhe tani Meshan nuk të lëmë!

Le të falenderojmë Edlirën që të gjithë e dimë se si është kujdesur për Meshanin tonë të shtrenjtë.

Më 20 janar shumica e shqiptarëve të Torontos shtangën, heshtën. Burrave të rëndë e grave e vajzave kapedane u rrëshqiti një pikë…apo breshëri lotësh. Por vetëm për momentin se tashmë Meshani ishte kthyer në simbol që do ti referohemi sa të jemi gjallë.

E morët vesh…ajo…u largua…

Në paqe Meshan, në paqe…shpirt i dlirë, i dashur e i shtrenjtë.

 

Toronto, janar 2017         Kliton Verli

Translate »