85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461
Contact info
85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461

Jehona e Koncertit te 100 Vjetorit organizuar nga SHBSHK

Manushaqe Salianji, ish kineaste në Kinostudion Shqipëria e Re, Gazeta Standard

Emocionet që përjetuam në koncertin e përgatitur nga artistë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Toronto e që debutuan para publikut shqiptar, bashkatdhetarëve të tyre, ishte vërtet për t’u mbajtur mend. Kishte një pjesëmarrje të gjerë, me rreth 500 spektatorë. Salla dhe galeria ishin mbushur plot. Koncerti u hap me një gjetje të bukur regjisoriale. Në atmosferën e skenës së errët, që u ndriçua ngadalë, drita ra mbi një djalë 10-vjeçar që luante në mandolinë. Pak më tutje, një vajzë e re që qëndiste flamurin, personifikonte Marigonë.

Pastaj skena u ndriçua ngadalë dhe një djalë këndoi himnin e flamurit shqiptar dhe atë kanadez. Të gjithë pjesëmarrësit u ngritën në këmbë e mes qetësisë, u dëgjua zëri i ngrohtë e i plotë i 15-vjeçarit Dion Këllezi. Pastaj luajtën në piano Denisi, Elgeri dhe koncerti vazhdoi me korin e fëmijëve, të drejtuar nga Ina Xoxa, e cila punoi me dashuri e përkushtim, duke i bërë provat në shtëpinë e saj. Këngët e tyre na ngjallën emocione të fuqishme.
Pas fëmijëve, u dëgjua me shumë interes kënga e Entela Kabës, e cila erdhi enkas nga Amerika për t’iu bashkuar zërit të Hysni Alushit, që gjithashtu erdhi nga Shqipëria për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme e të dy të shoqëruar nga orkestrina interpretuan këngën çame, labe, shkodrane dhe atë të Shqipërisë së Mesme. Ende i kam mbresat që përjetova nga zërat e kombinuar të tyre. Ata u duartrokitën disa herë dhe ngritën peshë publikun tepër të kulturuar shqiptar.
Vajzat dhe nuset e reja u ngritën dhe varg ashtu, njëra më e bukur se tjetra, të veshura me elegancë, të lidhura dorë për dore përshkuan tërë sallën, duke vallëzuar hijshëm e me dinjitet. Ishte një moment i paharruar.
koncerti_100
Më pas u ngjit në skenë grupi polifonik i Torontos që krijoi shumë emocion me këngët e krijuara posaçërisht për 100-vjetorin e pavarësisë.
Pjesa e parë e programit u plotësua bukur me interpretimin e pjesëve të kompozitorëve të shquar shqiptarë, si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj., nga instrumentistët e talentuar Granit Kamberi (cello), Sofiola Papadhimitri, Rudin Lengo (piano), Bardhyl Gjevori (korno) dhe violinat nga Jani Papadhimitri, Agustin Simoni, Petraq Papajani, Entela Kallushi e Irena Podja. Shumica e këtyre artistëve janë orkestrantë që i njeh skena dhe publiku shqiptar, që shumë herë i ka duartrokitur në Tiranë.

Në pjesën e dytë, u dëgjua kolazhi poetik i interpretuar nga Xhemail Agaj, Arben Krasnica, Uarda Këllezi e Rudina Tili, të cilët drejtuan mirë programin e ishin të sinkronizuar me njëri-tjetrin. Fjalën e tyre e thanë me kulturë dhe ngjyrë artistike e që e hijeshonte edhe kostumi popullor i qëndisur e që i jepte shkëlqim skenës.
Më tutje, grupi valleve i përgatitur nga koreografi Ramazan Këllezi, si dhe zëri i mrekullueshëm i Tringa Rexhepit ngriti sallën në këmbë.

marigoja
mandolina

Ndërmjet të tjerash, dr. Ruki Kondaj theksoi: “Ishin mbi 80 pjesëmarrës të moshave të ndryshme, që nga 5-vjeçarja Adea, e deri te violinisti Agustin Simoni, që ditën të na dhuronin një koncert aq të bukur për festën e 100-vjetorit të flamurit”.

Në këtë sukses, është puna e palodhshme e regjisorit Ervin Meço, e drejtuesit artistik Jani Papadhimitri, e orkestrantëve, e solistëve, e fëmijëve, e valltarëve, e prezantuesve që na dhanë këtë koncert të bukur. Programi i cili zgjati 3.5 orë, na mbajti në vëmendje për ta dëgjuar dhe shikuar. Në këtë ngjarje ishin të ftuar dhe morën pjesë personalitete qeveritare të Ontarios si dhe ambasadorja e Republikës të Shqipërisë në Kanada, znj. Elida Petoshati.

This article was written by albcan

Menu