85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461
Contact info
85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461

STATUTI BAZË PËR RREGULLIMIN E VEPRIMTARISË SË SHOQATËS SË BASHKËSISË SHQIPTARO-KANADEZE

NENI 1 – EMËRTIMI, SELIA DHE STEMA (LOGO)

Shoqata quhet Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, ose në formë të shkurtuar SHBSHK. Selia qëndrore e Shoqatës do të jetë në qytetin e Torontos, provinca e Ontarios, dhe në atë adresë që do të përcaktohet nga Bordi Drejtues i saj. Shoqata miraton në Mbledhjen e Anëtarëve stemën e saj. Mënyra e përdorimit të stemës së Shoqatës do të rregullohet me vendim të Bordit Drejtues.

NENI 2 – MISIONI

SHBSHK Toronto është një organizatë jo-përfituese që do të ofrojë një zë të bashkësisë shqiptare të Ontarios, duke ndihmuar në zhvillimin e kulturës, artit dhe trashëgimisë shqiptare në Ontario. SHBSHK Toronto vepron pa ndarje fetare, politike apo krahinore për të ruajtur frymën kombëtare shqiptare në Kanada. Ajo e kryen këtë nëpërmjet kultivimit të vlerave, kulturës, traditës kombëtare dhe gjuhës shqipe, si dhe ofrimit të shërbimeve të shumëllojshme për grupmoshat e ndryshme në bashkësinë shqiptare. SHBSHK përpiqet me përkushtim për një përfshirje të nderuar të bashkësisë shqiptare në shoqërinë kanadeze, rritjen e vlerave dhe emrit të shqiptarëve në Kanada, përfaqësimit sa më të plotë të tyre në struktura të ndryshme shtetërore e shoqërore si të barabartë mes gjithë kombësive të tjera në përbërje të shoqërisë shumë-kulturore kanadeze.

NENI 3 – QËLLIMET

Qëllimet e SHBSHK Toronto janë:

3.1. Njoftuese dhe edukative. Duke i furnizuar pjesëtarët e bashkësisë shqiptare me njoftime dhe ligjërata në përputhje me zhvillimin e kulturës së trashëguar, me tubime dhe festime të ditëve me rëndësi kombëtare, si dhe duke nxitur të mësuarit në gjuhën shqipe.

3.2. Kulturore dhe argëtuese. Me anë të mjeteve dhe formave të ndryshme të përhapjes së dijes si botimet periodike (fletë informative, buletine), radio e televizion, veprimtarive muzikore, sportive, letrare dhe në lidhje me bizneset, do të ruhet tradita jonë kombëtare.

3.3. Humanitare. SHBSHK Toronto do të afrojë sipas mundësisë dhe nevojave përkrahje morale dhe materiale për pjesëtarët e bashkësisë shqiptare në Toronto. Shoqata jonë nuk është organizatë politike, por ajo ka të drejtë të përkrahë të gjitha përpjekjet shqiptare që janë demokratike dhe kombëtare, si dhe të mbështesë popullin shqiptar në vendlindje pavarësisht nga përkatësia territoriale apo fetare.

3.4. Mbështetëse. SHBSHK Toronto do të punojë për krijimin e kushteve dhe nxitjen e pjesëmarrjes së gjithe grupeve shoqërore në jetën e bashkësisë shqiptare kanadeze.

3.5. Ndërmarrëse. Do punohet në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin dhe zhvillimin e Shoqatës nëpërmjet shtrirjes së saj në zona të tjera përreth si dhe do të forcohet bashkëpunimi me shoqatat simotra. Bordi Drejtues i SHBSHK do të përcaktojë me vendim kushtet dhe kriteret për ngritjen e degëve të saj.

NENI 4 – VULA E SHOQATËS

Shoqata do të ketë vulën e saj të miratuar dhe ashtu siç paraqitet në fletën e fundit të këtij dokumenti. Kjo vulë është në kontroll të Bordit Drejtues, i cili përcakton udhëzime me shkrim për përdorimin e saj.

NENI 5 – ANËTARËSIA

5.1. Kriteret për anëtarësim. Anëtarësimi në Shoqatë është i hapur për të gjithë personat mbi moshën 18 vjeç, organizata të tjera dhe ndërmarrje private ose publike që janë të angazhuara në veprimtari shumë-kulturore dhe që pranojnë Statutin e Shoqatës sonë.

5.2. Kërkesa për anëtarësim. Individët, organizatat dhe ndërmarrjet private ose publike që dëshirojnë të anëtarësohen në Shoqatë duhet ta kërkojnë anëtarësimin dhe të paguajnë kuotën e plotë të anëtarësimit. Një organizatë, një ndërmarrje private ose publike duhet të caktojë një person si përfaqësuesin e saj. Të gjitha kërkesat për anëtarësim duhet të shoqërohen me pagesën e plotë të kuotës së anëtarësisë. Kërkesa e nënshkruar pa pagesën e kuotës quhet e pavlefshme.

5.3. Shqyrtimi. Bordi drejtues i Shoqatës shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën për antarësim brenda nje muaji.

5.4. Kategoritë e anëtarësisë. Shoqata do të ketë disa kategori anëtarësimi:
(a) Anëtarë të përgjithshëm; (b) Organizata apo shoqata; (c) Ndërmarrje private ose publike; (d) Anëtarë nderi

5.5. Kuotat e anëtarësimit. Bordi Drejtues do të përcaktojë kuotat e anëtarësimit, të cilat miratohen në Mbledhjen vjetore të radhës të anëtarëve të Shoqatës. Bordi drejtues mund të zbatoje kohë pas kohe politika të caktuara të kuotave sipas grupeve shoqërore. Kuotat e anëtarësimit janë vjetore dhe të pakthyeshme.

5.6. Të drejtat e anëtarëve.
(a) E drejta për të votuar për çdo anëtar hyn në fuqi pas pranimit të anëtarësimit dhe marrjes së kartës së antarësisë;
(b) E drejta për të marrë informacionet dhe lajmërimet zyrtare të Shoqatës;
(c) E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në përputhje me nenet përkatëse;
(d) Përfitime të tjera apo shërbime që mund të ofrojë Shoqata.

5.7. Anëtari i nderit. Bordi Drejtues mundet që me një shumicë votash prej dy të tretash (2/3) t’i japë statusin e Anëtarit të Nderit çdo personaliteti që ka dhënë një ndihmesë të dallueshme në shërbim të bashkësisë shqiptare në Toronto, Kanada apo vende të tjera, të njohur e të pranuar prej Shoqatës. Anëtari i nderit do të ketë të gjitha të drejtat që gëzojnë edhe anëtarët e tjerë të Shoqatës, perveç të drejtës për të votuar. Anëtari i nderit përjashtohet nga pagesa e kuotës së anëtarësimit, përveç rasteve kur ai/ajo dëshiron të marrë pjesë në proçesin zgjedhor të shoqatës.

5.8. Përfundimi i anëtarësisë
(a) Çdo anëtar mund të tërhiqet nga anëtarësia në Shoqatë duke nisur një letër dorëheqjeje me shkrim, por anëtarët e dorëhequr nuk mund të përfitojnë ndonjë kompensim për kuotën e paguar vjetore të anëtarësimit. Përfundimi i anëtarësimit do të jetë data e pranimit të letrës së dorëheqjes. Mospagesa e kuotës së anëtarësimit deri në 90 ditë pas skadimit të antarësimit do të gjykohet si dorëheqje nga anëtarësimi në Shoqatë.
(b) Bordi Drejtues mund të përjashtojë çdo anëtar që kryen shkelje statutore apo shkelje të Kodit të Etikës së Shoqatës.

NENI 6 – ORGANIZIMI I SHOQATËS

6.1 – Mbledhjet e Anëtarëve të Shoqatës
(a) Minimumi i nevojshëm. Pesëmbëdhjetë për qind (15%) e anëtarëve të Shoqatës do të përbëjnë minimumin e nevojshëm për çdo Mbledhje të anëtarëve të Shoqatës. Në qoftë se gjysmë ore pas kohës së përcaktuar për fillimin e mbledhjes, ky minimum nuk është arritur, me vendim të anëtarëve pjesëmarrës përcaktohet një datë dhe kohë tjetër për fillimin e mbledhjes. Në rast se edhe në këtë rast minimumi i nevojshem prej pesëmbëdhjetë për qind nuk arrihet, anëtarët e pranishëm do të përbëjnë minimumin e nevojshëm.
(b) Votimi. Votimi në Mbledhjet e Anëtarëve të Shoqatës do të jetë individual. Çdo vendim i marrë në Mbledhjet e Anëtarëve të Shoqatës do të merret me shumicë të thjeshtë votash. Në rast të numrit të barabartë të votave mbi një temë të caktuar, vota e Presidentit të Shoqatës është përcaktuese.
(c) Mbledhja e jashtëzakonshme.
(i) Presidenti i Shoqatës do të thërrasë një Mbledhje të Jashtëzakonshme brenda 15 ditësh pas marrjes së një peticioni të nënshkruar nga 15 përqind të antarësisë.
(ii) Në çdo rast tjetër kur kërkohet një Mbledhje e Jashtëzakonshme nga Bordi Drejtues.
(iii) Vendimet e marra nga Mbledhja e Jashtezakonshme e Antarësisë janë të vlefshme vetëm në rast se miratohen nga 3/4 e antarëve të regjistruar të shoqatës.
(iv) Njoftimi dhe qëllimi i mbledhjes do t’i dërgohet çdo anëtari të paktën pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes.
(v) Mandati i presidentit dhe i çdo antari të bordit drejtues është i pacënueshëm përveç rasteve siç përcaktohet në këtë statut.
(d) Koha e mbledhjes së antarëve. Shoqata do të mbajë një Mbledhje vjetore të detyrueshme të anëtarëve në fund të çdo viti por jo me vonë se 31 janari pasues. Njoftimi për këtë mbledhje do të dërgohet me të gjitha mjetet e mundshme të informimit. Shoqata mundet gjithashtu të mbajë Mbledhje Vjetore të tjera gjatë gjithë vitit kalendarik në se gjykohet e nevojshme nga Bordi Drejtues. Mbledhja e anëtarëve të Shoqatës që përkon me mbarimin e mandatit të Bordit do të quhet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës. Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës zgjedh Bordin e ri Drejtues të Shoqatës.
(e) Proçesverbali. Sekretari i Shoqatës së bashku me dy anëtarë të përcaktuar nga Mbledhja e Anëtarëve të Shoqatës do të jenë përgjegjës për proçesverbalin e Mbledhjes së Anëtarëve.

6.2. Organet drejtuese. Në përputhje me këtë Statut, si dhe me udhëzimet që mund të dalin nga votimet me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm në mbledhjet e Anëtarëve, Bordi Drejtues udhëheq punët dhe drejton Shoqatën. Bordi Drejtues ka një numër minimal prej trembëdhjetë anëtarësh (13), ku përfshihen Presidenti, Zëvendës Presidenti, Sekretari dhe Financieri, si dhe nëntë anëtarë. Në rastet kur volumi i punës është i madh, Bordi Drejtues mund të kooptojë anëtarë këshillues pa të drejtë vote.

6.3. Udhëheqja ndërmjet mbledhjeve të Bordit Drejtues. Në qoftë se rrethana të veçanta e bëjnë të pamundur mbledhjen e Bordit Drejtues, ose faktori kohë kërkon marrjen e një vendimi të shpejtë, Presidenti, Zëvendës Presidenti, Sekretari dhe Financieri sebashku mund të marrin vendime, me kusht që Bordi Drejtues në mbledhjen e ardhshme do të njihet dhe ratifikojë vendimin e marrë.

6.4. Zgjedhja e Bordit Drejtues
(a) Bordi Drejtues zgjidhet me votim të fshehtë në Asamblenë Zgjedhore të Anëtarëve të Shoqatës një herë në dy vjet.
(b) Votimi do të bëhet për të zgjedhur Bordin Drejtues sipas listës shumë-emërore të kandidateve për anëtarë të Bordit.
(c) Bordi drejtues me votim të fshehtë në ditën e zgjedhjeve voton për zgjedhjen e presidentit të shoqatës.
(d) Bordi drejtues në mbledhjen pasuese zgjedh zv/presidentin, sekretarin dhe financierin e Shoqatës.
(e) Bordi Drejtues i mëparshëm do të synojë që të paktën 50% të antarëve ekzistues të tij të konkurojnë dhe jenë kandidatë për Anëtarë Bordi në zgjedhjet e reja të Shoqatës.

6.5. Kohëzgjatja
(a) Anëtarët e Bordit Drejtues do të kenë një mandat në përputhje me nenin 6.4.
(b) Presidenti i Shoqatës nuk mund të zgjidhet më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme.
(c) Një anëtar i Bordit Drejtues mund të përjashtohet nga ky Bord për shkelje statutore apo shkelje të Kodit të Etikës me vendim të Bordit Drejtues. Mungesa e pajustifikuar e një anëtari te Bordit në tre takime të njëpasnjëshme të Bordit do të gjykohet si heqje dore vullnetare nga kjo detyre dhe mandati quhet i përfunduar.

6.6. Vendet e lira në Bordin Drejtues. Një vend do të quhet i lirë në Bordin Drejtues në rast:
(a) Të një letre dorëheqjeje me shkrim të dorëzuar minimumi dy javë para mbledhjes së Bordit Drejtues ose në rast të largimit vullnetar sipas Nenit 6.5 pika c.
(b) Një vendimi për përjashtim të një anëtari të Bordit, të marrë me shumicë votash të anëtarëve të Bordit Drejtues.
(c) Në rast të vdekjes së anëtarit të Bordit Drejtues.
(d) Vendi i lirë në Bordin Drejtues do të plotësohet nga kandidati që ka marrë numrin më të madh të votave në listën shumë-emërore të votimit për në Bordin Drejtues.

6.7. Shpërblimi
(a) Anëtarët e Bordit Drejtues do të shërbejnë pa u paguar. Anëtarët e Bordit Drejtues nuk mund të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë për shkak të pozicionit të tyre në Bordin Drejtues.
(b) Bordi Drejtues mund të angazhojë kontraktorë dhe të paguajë shuma të arsyeshme në raste kur shihet e nevojshme me qëllim përmbushjen e detyrave të përcaktuara nga Mbledhjet e Anëtarëve dhe vendimet e Bordit Drejtues.

6.8. Presidenti. Presidenti është zyrtari kryesor zbatues dhe përgjegjës i Shoqatës që do të udhëheqë dhe do përfaqësojë çdo takim të Shoqatës dhe të Bordit Drejtues. Ai është i ngarkuar me drejtimin e përgjithshëm dhe të kontrollit të punëve dhe veprimtarisë së shoqatës. Presidenti përcakton dhe zhvillon programe dhe mbikqyr këtë proçes duke udhëhequr dhe udhëzuar. Presidenti vlerëson ecurinë e këtyre programeve dhe përcakton vazhdimësinë apo përfundimin e tyre. Gjatë mungesës dhe pamundësisë së Presidentit, detyrat ushtrohen nga Zv/Presidenti. Për t’u kualifikuar për në pozicionin e Presidentit, kandidatët duhet të kenë qenë së paku nje vit si anëtarë në Shoqatë, të jenë me statusin e qytetarit kanadez ose të banorit të përhershëm në Kanada.

6.9. Zëvendës Presidenti. Në mungesë dhe në pamundësi të Presidentit, Zëvendës Presidenti do të zbatojë detyrat dhe të drejtat e Presidentit të Shoqatës. Gjithashtu, ai mund të kryejë edhe detyra të tjera që mund t’i ngarkohen nga Bordi Drejtues. Për t’u kualifikuar për në pozicionin e Zëvendës Presidentit, kandidatët duhet të kenë qenë së paku nje vit si anëtarë në Shoqatë, të jetë qytetar kanadez ose banor i përhershëm në Kanada.

6.10. Sekretari dhe ndihmës sekretari
(a) Sekretari i Shoqatës ka për detyrë organizimin e takimeve të Bordit Drejtues, mbajtjen e proçesverbaleve të mbledhjeve, regjistrimin e anëtarëve pjesëmarrës, mirëmbajtjen e dokumentacionit, mbajtjen dhe përdorimin e vulës së Shoqatës në përputhje me rregullat për përdorimin e saj, si dhe detyra të tjera që mund t’i ngarkohen nga Bordi Drejtues dhe/ose nga Presidenti.
(b) Bordi Drejtues i Shoqates mund të caktojë edhe një zv/sekretar i cili ndihmon Sekretarin në kryerjen e detyrave të tij.

6.11. Financieri dhe arkëtari
(a) Financieri i Shoqatës do të mbajë të gjitha shënimet financiare të Shoqatës, do të paraqesë raportin e kontrollit të brendshëm financiar para Mbledhjes së Anëtarëve, do të propozojë për miratim Dokumentin për Politika dhe Procedura Financiare të Shoqatës, si dhe do të zbatojë çdo detyrë që mund t’i ngarkohet nga Bordi Drejtues. Kandidatët për pozicionin e Financierit duhet të jenë individë që kanë dëshmuar besueshmëri, duhet të jenë anëtarë të Bordit Drejtues, si dhe duhet të kenë përvojë pune dhe shkollime në fushat e llogari-mbajtjes apo financave.
(b) Bordi Drejtues do të caktojë dhe një person që do të jetë arkëtari i Shoqatës. Arkëtari kujdeset për fletoret (regjistrat), shkresat dhe dëftesat financiare si dhe për mirëvajtjen e fondeve të Shoqatës. Arkëtari po ashtu mban llogari për çështjet dhe detyrimet tatimore duke bashkëpunuar edhe me ndihmës-arkëtarin.

6.12. Anëtarët e Bordit Drejtues
(a) Anëtarët e Bordit Drejtues duhet të jenë individë me besueshmëri të si dhe të komunikojne në gjuhet shqip dhe anglisht ose frëngjisht.
(b) Vendet e lira në Bordin Drejtues në periudhën mes Asambleve të Përgjithshme Zgjedhore plotësohen nga bordi drejues sipas listës shumë-emërore të votuar në asamblenë e përgjithshme.
(c) Një individ nuk mund të kualifikohet për zgjedhje në Bordin Drejtues në rast se ai/ajo është më pak se 18 vjeç; në rast se ka probleme mendore të vërtetuara si dhe të mos jetë i dënuar ligjërisht.

NENI 7 – MBLEDHJET E BORDIT DREJTUES

7.1. Mbledhjet e Bordit Drejtues. Mbledhjet e Bordit Drejtues do të mbahen aq herë sa të jetë e nevojshme, por jo me pak se katër (4) herë në vit. Mbledhjet thërriten nga Presidenti i Shoqatës. Mbledhjet e veçanta të Bordit Drejtues mund të thërriten nga Presidenti i Shoqatës pas kërkesës me shkrim të së paku tre anëtarëve të Bordit Drejtues, ku njoftohet dhe për temat pse kërkohet takimi.
(a) Njoftimi. Mbledhjet e Bordit Drejtues kërkojnë një njoftim paraprak që i drejtohet secilit anëtar të Këshillit.
(b) Minimumi. Gjysma plus një anëtar e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Bordit Drejtues përbën minimumin e nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes së Bordit Drejtues. Mbledhja e Bordit Drejtues mund të mbahet pa minimumin e nevojshëm, me kusht që të gjitha vendimet të ratifikohen në mbledhjen e ardhshme me minimum të nevojshëm të Bordit Drejtues, përndryshe mbledhja pa minimumin e nevojshëm do të quhet e pavlefshme.
(c) Votimi. Votimi në mbledhjet e Bordit Drejtues do të jetë individual. Çdo vendim i marrë në mbledhjet e Bordit Drejtues do të merret me shumicë të thjeshtë votash. Në rast të numrit të barabartë të votave mbi një temë të caktuar, vota e Presidentit të Shoqatës do të jetë përcaktuese.
(d) Procesverbali. Sekretari i Shoqatës është përgjegjës për mbajtjen e proçesverbalit të takimit të Bordit Drejtues.

NENI 8 – VITI FISKAL.

Viti fiskal në Shoqatë fillon më 01 Janar dhe përfundon më 31 Dhjetor të çdo viti kalendarik.

NENI 9 – DOKUMENTAT ME SHKRIM

Dokumentat me shkrim të Shoqatës që kërkojnë vulë dhe nënshkrim do të nënshkruhen nga Presidenti i Shoqatës dhe do tё ciklohen nga Sekretari. Këto dokumenta përfshijnë çeqe, kontrata, transferta bankare, memorandume dhe marrëveshje bashkëpunimi, fatura financiare, urdhërpagesa, vendime, si dhe letërkëmbime të rëndësishme.

<

NENI 10 – RREGULLORE DHE POLITIKA

(a) Bordi Drejtues mund të hartojë dhe miratojë rregullore dhe politika që nuk bien ndesh me këtë Statut, që kanë të bëjnë më administrimin dhe veprimtaritë e Shoqatës, me kusht që këto rregullore dhe politika të miratohen në Mbledhjen e radhës së Anëtarëve të Shoqatës.
(b) Bordi Drejtues do të rishikojë kohë pas kohe Kodin e Etikës së Shoqatës dhe do të sigurojë që ky kod të bëhet i njohur për të gjithë anëtarët.
(c) Bordi drejtues pergatit proceduren e zgjedhjeve dhe mbikqyr proçesin zgjedhor.

NENI 11 – GRUPET E PUNES

Shoqata mund të ketë grupe pune të përhershme dhe të përkohshme. Puna e këtyre grupeve do të rregullohet si më poshtë:
(a) Grupet e përhershme ngrihen me propozim të Bordit Drejtues duke vënë në dijeni Mbledhjen e Anëtarëve.
(b) Grupet e përhershme pushojnë së ekzistuari me vendim të Mbledhjes së Bordit Drejtues duke vënë në dijeni mbledhjen e antarëve.
(c) Grupet e përhershme dhe të përkohshme do të raportojnë në mbledhjet e Bordit Drejtues.
(d) Grupet e përhershme dhe të përkohshme do të përgatisin një raport vjetor pune për Mbledhjen e Anëtarëve të Shoqatës.

11.1. Grupe të përhershme. Grupe të përhershme mund të jenë grupe pune për edukim dhe kulturë, financa, për shërbime ndaj Anëtarëve; emërime dhe zgjedhje, Komisioni i Anëtarësisë dhe Disiplinës dhe të tjera sipas nevojës.

11.2. Grupe të përkohshme. Bordi Drejtues mund të krijojë kohë pas kohe grupe ad-hoc për të kryer detyra të veçanta. Këto grupe apo komitete shkrihen me mbarimin e detyrave të ngarkuara.

NENI 12 – KËSHILLI I NDERIT

12.1. Këshilli i nderit është trupë që shërben për garantimin e parimeve të Statutit të SHBSHK. Këshilli i nderit këshillon dhe udhëzon Bordin Drejtues rreth gëzimit të së drejtës dhe ankesave, si dhe largimin apo pushimin nga anëtarësia. Veç kësaj, ai mund të veprojë si ndërmjetës midis palëve (me marrëveshje).
12.2. Këshilli i nderit përbëhet nga kryesuesi dhe dy anëtarë të zgjedhur, minimumi tre vetë të zgjedhur nga Bordi drejtues i Shoqatës. Mandati i një Këshilli nderi është katër vjet, me mundësi përtëritjeje.

NENI 13 – BURIMET FINANCIARE.

Burimet financiare të Shoqatës do të përbëhen nga: kuotat e anëtarësimeve si dhe nga mjetet financiare që vijnë nga dhurimet apo nga veprimtaritë për shtimin e fondeve. Çdo veprimtari e hapur e Shoqatës do të shfrytëzohet edhe si mundësi për shtimin e fondeve. Bordi Drejtues është përgjegjës për miratimin e një Plani Vjetor për shtimin e fondeve të Shoqatës, si dhe për mënyrën e përdorimit të fondeve që vijnë prej dhurimeve dhe veprimtarive që bën Shoqata për shtimin e fondeve.

NENI 14 – KONTROLLI FINANCIAR

14.1. Librat financiarë dhe dokumentat e Shoqatës do të rishikohen në fund të çdo viti fiskal nga dy ekspertë që përcaktohen nga Bordi Drejtues. Ky raport rishikimi i bëhet i njohur Bordit Drejtues që merr vendimet e nevojshme sipas këshillimeve në raportin e shkruar.
14.2. Financieri i Shoqatës do të paraqesë situatën financiare dhe një raport të detajuar për vitin fiskal në çdo Mbledhje të Anëtarëve të Shoqatës.

NENI 15 – PËRPLASJA E INTERESAVE

Përplasja e interesave brenda këtij Statuti nënkupton përplasjen e interesit të Shoqatës dhe interesit privat që mund të kenë anëtarët e Shoqatës apo anëtarët e organeve drejtuese të saj. Për të shmangur këtë, para çdo votimi të Shoqatës do të bëhet kërkesa për shpalljen prej sejcilit të përplasjes së mundshme të interesave. Në rast se përplasja e interesave ekziston, atëherë personi përsoni përkatës nuk do të votojë ose nuk do të votohet.

NENI 16 – GJUHA ZYRTARE

Gjuhë zyrtare të Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze janë gjuha shqipe dhe gjuha anglisht ose frëngjisht. Në Mbledhjet e Anëtarëve, Bordit Drejtues, Grupeve të përhershme dhe të përkohshme gjuhë e parë do të jetë gjuha shqipe, pa përjashtuar përdorimin sipas dëshirës të gjuhës anglisht ose frëngjisht. Bordi Drejtues do të miratojë rregullat për përdorimin e gjuhëve zyrtare të Shoqatës në rastet e korrespondencës dhe dokumentacionit të Shoqatës.

NENI 17 – BOTIMET DHE FAQJA NË INTERNET

Shoqata mund të botojë në mënyrë periodike buletinin e Shoqatës. Bordi Drejtues do të vendosë për botime të tjera të mundshme prej Shoqatës. Shoqata do të ketë faqen e saj zyrtare të internetit. Qasjen për të bërë botimin e materialeve në këtë faqe do ta kenë vetëm personat e autorizuar nga Presidenti dhe Bordi Drejtues. Faqja në rrjetet shoqërore të Shoqatës do të drejtohet vetëm nga persona të autorizuar nga Presidenti i Shoqatës. Miratimin për postimin e materialeve dhe njoftimeve në këtë faqe do ta japë Presidenti i Shoqatës.

NENI 18 – SHPËRNDARJA E SHOQATES

Vendimi për shpërndarjen e shoqatës mund të meret vetëm në mbledhjet e jashtëzakonshme që mund të ndodhin për arësye madhore. Shpërndarja e Shoqatës mund të ndodhë me vendim të Mbledhjes së Përgjithshme të Anëtarëve të Shoqatës. Ky vendim do të jetë i vlefshëm vetëm në se është aprovuar me votim të fshehtë dhe ka marre votat e të paktën 3/4 të numrit të përgjithshëm të antarëve të regjistruar të Shoqatës.

NENI 19 – RISHIKIMI I STATUTIT

Statuti i Shoqatës mund të rishikohet, ndryshohet, plotësohet me vendim të veçantë të Bordit Drejtues i cili mund të krijojë një grup pune të posaçëm për këtë qëllim. Për aprovimin e ndryshimeve në statut nevojiten votat e tre të katërave (3/4) të antarëve të Bordit. Ndryshimi i Statutit i miratuar në mënyrë të tillë, i bëhet i njohur Mbledhjes së Anëtarëve.

NENI 20 – INTERPRETIME

Në këtë Statut dhe në çdo akt tjetër të Shoqatës që do te aprovohet më pas sipas përmbajtjes të fjalisë, një fjalë në numrin njëjës duhet të nënkuptojë dhe numrin shumës dhe anasjelltas, dhe gjithashtu nënkupton dhe përdorimin sipas përmbajtjes së fjalës ne gjininë femërore, mashkullore ose për subjekte siç dikton logjika.

NENI 21 – DISPOZITA KALIMTARE

Duke qenë se mandati i anëtarëve ekzistues të Bordit Drejtues, Presidentit dhe funksionarëve të tjerë të zgjedhur të Shoqatës mbaron në muajin Qershor 2012; duke ndjekur frymën dhe nenet e këtij Statuti, për të siguruar vazhdimësinë e drejtimit dhe të funksionimit normal të Shoqatës; me hyrjen në fuqi të këtij Statuti, mandati i Bordit Drejtues ekzistues, Presidentit dhe funksionarëve të tjerë të zgjedhur të Shoqatës do të zgjatet deri në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Shoqatës siç parashikohet në Nenin 6.1(d) të këtij Statuti.

Ky Statut është aprovuar nga Bordi Drejtues i Shoqatës më date 17 maj 2012, prezantuar dhe diskutuar në mbledhjen e përgjithshme të anëtarëve të datës 7 korrik 2012 dhe hyn në fuqi menjëherë.

Menu