85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461
Contact info
85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461

BIOGRAFIA E NËNË TEREZËS

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqë.

Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup, të Shqipërisë te pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Republika e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë me 1 Janar 1918 ne baze te traktatit te Versajes. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlande. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 te ketij muajit po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkruaj dy tri rreshta per juve. Lamtumire, e deshiroj qe Zoti t’ju jap gjithcka qe ju deshiron zemra. Dua t’ju fal gjerat më të përzemerta, Gonxhja”.

Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Por Shqipëria nuk heshte. Republika Popullore Socialiste e Shqiperisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhane as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri ne fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogel ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar në një lagje të zhurmëshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Këtu, mu në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: “Mother Teresa.”. Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si: mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.

Disa nga çmimet dhënë në vite Nënë Terezës:

Çmimi Damian Dutton
1962 – Çmimi Ramon Magsaysay
1973 – Çmimi Templeton
1978 – Çmimi Balzan
1979 – Çmimi Nobel për Paqe
1980 – Çmimi Bharat Ratna
1985 – Çmimi Medal of Freedom
1996 – Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
1996 – Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës
Në vitin 2003, Aeroportit të Tiranës, Shqiperi iu dha emri “Nënë Terezës”. Në hyrje të këtij aeroporti më 2007 u inagurua edhe busti i saj.

Medaljet Urdhri “Nënë Tereza”

Urdhri “Nënë Tereza” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit. Dekorata prej ari i jepet me dekret nga Presidenti i Shqipërisë.
Medalja humanitare “Nëna Terezë” është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në fushën e humanizmit. Shprehja e mirënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë dekoratë bëhet nga presidenti i Kosovës.

Wikipedia, Enciklopedia e Lirë, Gusht 2010

Menu