85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461
Contact info
85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461

Flamuri shqiptar

Albanian flag

Flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të kuqe dhe një shqiponjë dykrenare të zezë në mes. Flamuri shqiptar e ka prejardhjen nga një vulë e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i udhëhoqi shqiptarët në një kryengritje të përbashkët në shekullin XV kundër Perandorisë Osmane duke i sjellë trojeve shqiptare pavarësinë për një kohë të shkurtër (1443-1478). Shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti e cila e ka zanafillën në perandorinë bizantine.

Origjina
Shqiponja ka qenë dikur, në periudhën e Romës antike, simbol i këtij shteti. Edhe sot të dy klubet e njohura të futbollit në Romë si Roma dhe Lacio mbajnë përkatësisht simbole antike, nga ku i pari kokën e ulkonjës së kapitalit dhe i dyti shqiponjën me krahë të hapur. Si simbol i Romës, shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh, Çezari, etj. Ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Çezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i Madh. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për dhjetë shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej “qytetit të përjetshëm” (Romës). Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562) që kishte origjinë ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës ti identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë me kalimin e kohës me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe si princat rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë, etj. Kjo eshtë arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një dyzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë patur kontakte të ngushta ekonomike e kulturore me Bizantin. Ndërkohë që ai shfaqet si simbol i Kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë Perandorisë së Lindjes. Flamuri origjinal bizantin ruhet sot në një nga manastiret e malit të Shenjtë (Athos) në Greqi, në ngjyrat e tij fillestare me shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.

Deri më sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri i tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi se kur Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenore. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princi (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika shqiptare, Tirane 2000, fq. 27). Shqiponjën dykrenore e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lek Dukagjini, etj. Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V-të, Mbreti i Napolit, me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës më 26 Mars 1451. Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arnaldo Fonoleda. Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti i biri i heroit mori titullin “Fisnik i Republikës”. (Akademia e Shkencës, Historia e Popullit Shqiptar, fq. 434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Marisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali). Njëlloj si në flamur Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër, edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentat zyrtare. Ndërkohë kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre.

Për më shumë informacion…

Menu