85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461
Contact info
85 Ingram Drive,Toronto ON, M6M 2L7(647) 955-7461

KODI I ETIKËS PËR ANËTARËT E SHOQATËS BASHKESIA SHQIPTARO-KANADEZE TORONTO

SHBSHK është një shoqatë jofitimprurëse që ofron hapësirë dhe pjesëmarrje për të gjithë shqiptarët në Toronto e më gjerë në Ontario dhe Kanada, me qëllim parësor kultivimin e kulturës, artit dhe trashëgimisë shqiptare në Ontario, si një parakusht themelor për rritjen e cilësisë së jetës këtu.

Përcaktimi i veprimtarisë së të Shoqatës 
Shoqata nxit interesin, ndërmerr, lehtëson dhe ofron zë dhe hapësirë për bashkësinë shqiptare në Toronto dhe më gjerë në Ontario e Kanada.

Vlerat Themelore
Vlerat themelore të anëtarëve të Shoqatës janë:
- Përkujdesja
- Drejtësia
- Respekti
- Përgjegjësia
- Besueshmëria
- Ndershmëria
- Serioziteti
- Besnikëria ndaj parimeve të Shoqatës

Vlerat themelore që karakterizojnë çdo veprimtari të vetë Shoqatës janë:
- Besueshmëria e organizatës
- Profesionalizmi (në mënyrën sesi vepron Shoqata)
- Standardet e larta
- Gjithëpërfshirja
- Përgjegjësia ndaj anëtarëve dhe komunitetit
- Udhëheqësia
- Transparenca
- Puna në grup dhe këshillimet e vazhdueshme
- Bashkëpunimi me Shoqata të tjera
- Qëndrueshmëria
- Respektimi i Kodit të Etikës

Duke qenë në përputhje dhe duke respektuar ligjet, anëtarët e Shoqatës kanë përgjegjësinë të mbajnë standarde të larta të mirësjelljes, si në anën profesionale, ashtu dhe atë personale. Për këtë arsye, anëtarët e Shoqatës pranojnë përgjegjësitë e mëposhtme.

Përgjegjësitë e anëtarëve ndaj Shoqatës
• T’i shërbejnë jetëgjatësisë dhe mirëfunksionimit të Shoqatës, dhe jo interesave të tjera personale apo të biznesit të tyre.
• Të njohin dhe pranojnë vlerat organizative dhe kulturore që i shërbejnë qëllimeve të Shoqatës.
• Të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj diversitetit kur veprojnë në mjedise multi-kulturore.
• Të jenë të përgatitur për të shpjeguar dhe shfaqur qartë vlerat dhe etikën e anëtarit të Shoqatës si nxitës të multi-kulturalizmit.
• Të jenë të gatshëm të ndihmojnë anëtarët e tjerë të shoqatës për të promovuar etikën dhe vlerat multi-kulturale.
• Të informojnë Bordin Drejtues të Shoqatës nëse ka dyshime serioze përsa i përket sjelljes së ndonjë anëtari që shkel rëndë statutin apo kodin e etikës së Shoqatës.
• Të realizojnë veprimtari të Shoqatës në mënyrë të ndershme, të përgjegjshme dhe të pa fshehur.
• Të përpiqen që sjellja e tyre profesionale të arrijë standardet e njohura ndërkombëtare etike.
• Të jenë të përgatitur që për shkak të llogardhënies së brendshme si Shoqatë të dinë të vlerësojnë pasojat e punës së kryer.
• Të jenë në gjendje të vendosin lidhje të ndershme, në mirëkuptim të ndërsjelltë si dhe marrëdhënie dypalëshe ose shumëpalëshe në lidhje me veprimtaritë e Shoqatës.
• Të nxisin sinqeritetin dhe mirëbesimin kudo që është e mundur, si një hap i rëndësishëm në përmbushjen e kodit të etikës.
• Të respektojnë mos përhapjen e informacionit në rastet kur kjo është e nevojshme.
• Të mos përhapin informacion të fshehtë apo privat pa lejen e Shoqatës, përveç rasteve kur kjo kërkohet nga ligji apo është e nevojshme për interesa të shëndetit dhe sigurisë publike.
• Të shmangin përplasjen e interesave.
• Të bëjnë me dije Shoqatën në rastet kur shërbejnë apo veprojnë për organizata të ngjashme.
• Të mos përdorin kurrë informacion jo-publik mbi Shoqatën apo në emër të Shoqatës për të arritur përfitime personale pa pasur lejen e Shoqatës.
• Të sigurojnë një saktësi të plotë në lidhje me qëndrimet apo deklaratat publike të Shoqatës, përfshirë edhe fushatat promovuese e reklamuese të Shoqatës.
• Të shmangin marrjen e përgjegjësive që nuk mund të kryhen në emër të Shoqatës.
• Të mos pranojnë apo të mos ofrojnë dhurata, përveçse atyre të pranueshme me ligj, që mund të trajtohen si pranim favoresh.
• Të veprojnë me besueshmëri dhe sinqeritet.
• Të shmangin veprimet që përdhosin punën e anëtarëve të tjerë të Shoqatës apo për bashkësinë shqiptare në përgjithësi.
• Secili anëtar i Shoqatës nuk do të angazhohet në rishikimin apo vlerësimin e punës së një anëtari tjetër të Shoqatës, pa e njoftuar fillimisht këtë anëtar dhe pa pasur leje nga Bordi Drejtues i Shoqatës për këtë veprim.

Zbatimi i Kodit të Etikës
Kuptimi i Kodit të Etikës apo problemeve që mund të lindin në zbatimin e tij i mbetet Bordit Drejtues, i cili do të ndërmarrë veprimet e duhura për të dhënë një përgjigje. Anëtarët e Shoqatës me nënshkrimin e kërkesës për anëtarësim në Shoqatë pranojnë edhe respektimin e Kodit të Etikës, si një nga kushtet për të qenë anëtar me të drejta të plota në Shoqatë.

*Ky Kod etike u aprovua nga Bordi Drejtues i Shoqatës më date 17 maj 2012, u prezantua dhe u diskutua në mbledhjen e përgjithshme të anëtarëve të datës 7 korrik 2012 dhe hyri në fuqi menjëherë.

Menu