Veprimtari

Festa e Kombit midis bashkatdhetarëve tanë në Hamilton

28 Nëntori, një ndër ditët më historike kur u vendosën fatet e kombit shqiptar u përkujtua në mënyrë të veçantë edhe në qytetin e Hamiltonit, On, ashtu siç në të vërtetë e meriton kjo ngjarje e madhe. Parë në të gjitha këndvështrimet, historia e kombit shqiptar është një histori e lavdishme që i bën nder çdo shqiptari. Pikërisht për këto arsye festimet për ditën e flamurit janë ditë feste të vërteta, të cilat angazhojnë çdo pjestar të komunitetit, drejtues shoqatash dhe aktivistë të tjerë të shumtë që kurr nuk i kanë munguar armatës së emigrantëve edhe në Kanada.

Akti i parë i këtij aktiviteti ishte nderimi me hymnin e flamurit të kombit shqiptar dhe më tej nderim dhe respekt për flamurin kanadez, të këtij vëndi të lirë dhe demokratik, me një meritë të madhe për mbështje të emigranteve dhe krijimin e lirive të domosdoshme për realizimin e aktiviteteve të tilla me karakter etnik. 
Në vijim të aktivitetit, z. Shani Pnishi, njëri prej aktivistëve të komunitetit shqiptar të Hamiltonit mbajti fjalën kushtuar kësaj ditë të veçantë. Ai u shpreh ndër të tjera se “Në historinë e gjatë të tij, populli shqiptar është dashur të përballet me shumë padrejtësi historike, duke përfshirë këtu edhe ndarjen gjeografike të tyre, që vazhdon të mbetet e tillë edhe sot. Është ironike të thuhet se kjo ka bërë që më 29 nëntor Shqipëria ta festojë çlirimin nga fazhizmi, Kosova 2 korrikun e 17 shkurtin për Deklaratë Kushtetuese dhe për shpalljen e Pavarësisë, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë kanë një festë të vogël më 13 gusht tek kujtojnë nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit”. Sipas Pnishit “me gjithë këto ecejake ndaras e pa dëshirën tonë, ne dimë të ecim së bashku atëherë kur duhet. Është dita e 28 nëntorit që më shumë se çdo ditë tjetër i bashkon shqiptarët, nga Gjirokastra në Mitrovicë dhe nga Ulqini në Tetovë, ndërsa shqiponja dykrenare e flamurit kombëtar mbetet simboli më i preferuar i shqiptarëve kudo janë apo pika identitare e tyre”.
Në këtë veprimtari të rëndësishme në Hamilton ishte i pranishëm edhe një grup i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos në përbërje të cilit ishin Muharrem Xhaferi, Roland Lelaj, Leonard Zoga, Ylli Loci dhe Sokol Meta.
Grupi ynë përshëndeti të pranishmit me kënaqësi duke përcjellë urimet e Torontos pikërisht në 98 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, 20 vjetorin e themelimit të Shoqatës së Torontos, si dhe per zyrtarizimin e themelimit të degës së parë të shoqatës me qendër në Hamilton.
Ky mbase ishte një lajm i mirëpritur nga gati 350 anëtarët e pranishëm në sallë, të cilët u ngritën me duartrokitje. “Burrat e mençur dhe të urtë asnjëherë nuk iu kanë munguar shqiptarëve. Një ndër ta është edhe Hamdi Tahiri, i cili në bashkëpunim të ngushtë me vëllezër të tjerë nismëtarë, realizuan këtë akt të vyer dhe me një proces demokratik zgjodhën kryetarin (të përkohshëm) z. Shani Pnishi”. 
Këtë mrekulli të 28 nëntorit mendja e ndritur e Ismail Qemalit e realizoi sepse diti të bashkëpunojë dhe të marrë mbështetjen e një mendjeje tjetër të ndritur, dom Nikoll Kaçorrit dhe shumë burrave të tjerë nga Kosova dhe Çamëria.
 Dhe nëse kjo mrekulli pati kosto të lartë, vetëm pak muaj më vonë, pjesa më vitale e trupit të kombit, Kosova, mbeti e robëruar nën tiraninë më kriminale në Europë, Serbinë shoviniste. U deshën të kalonin dekada vuajtjesh dhe lufte për të mbërritur në momentin kur dëshira e një populli për liri do të nxirrte në skenë, luftëtarin e pamposhtur, legjendën e Kosovës, birin e Prekazit, krenarinë e një kombi, Adem Jasharin. Gjaku i mijëra bijëve të Kosovës solli lirinë e përjetshme. Është një ëndërr për të gjithë ne që tani kemi një Kosovë të lirë. Një natë e gjatë, e zezë, e errët, mori fund. Gjaku i këtyre martirëve do të jetë i fundit që derdhën shqiptarët për këtë Flamur.
Më pas fjalën e ka marrë njeri prej nismëtarëve të krijimit të Shoqatës së Hamiltonit, Fatmir Laci, i cili bëri thirrje për përkrahje në këtë drejtim, për interesat e vetë shqiptaro-kanadezëve të Hamiltonit, prandaj edhe kërkoi që njerëzit të anëtarësohen sa më shumë. Poashtu edhe Hamdi Tahiri i ftoi bashkatdhetarët të sjellin ide të reja për ecjen e mirëfilltë të shoqatës.

Programi kulturor-artistik vazhdoi me recitimet emocionuese të fëmijëve dhe interpretimet e këngëtarëve dhe artistëve të komunitetit si Hamdi Raci, Refki Sertolli e Sylë Karellaj, të cilët gjithashtu kanë dhënë kontribut të çmueshëm për të hedhur hapat e parë të shoqatës. Në fund u premtua se shoqata e sapokrijuar do të punojë për realizimin e kuvendit të parë zgjedhor dhe përpilimin e programit të saj dyvjeçar.

Comments Off on Festa e Kombit midis bashkatdhetarëve tanë në Hamilton
Translate »