Veprimtari

100 vjetori i krijimit të Shoqatës patriotike Vatra, New York

Me ftesë të presidentit të Federatës Panshqiptare Vatra, Dr. Gjon Buçaj, me 28-29 prill 2012, Dr. Ruki Kondaj, presidente e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto mori pjesë në festimet e 100 vjetorit të kësaj shoqate patriotike. Në këtë veprimtari morën pjesë shumë personalitete të qeverisjes nga Shiperia, Maqedonia dhe Kosova, përfaqësues të gjithë komuniteteve fetare shqiptare, përfshi këtu edhe arbëreshët, vatranë të rinj e të moshuar dhe familjet e tyre, aktivistë shqiptarë nga e gjithë diaspora. Aktiviteti u organizua në dy ditë.
Dita e parë ishte sesioni shkencor ku u fol gjerë e gjatë për Vatrën dhe vatranët, për misionin e saj historik dhe rolin e saj te shqiptarët në mërgim. Ditën e dytë, në mbremjen ceremoniale, iu dha fjala për të përshendetur edhe Dr. Ruki Kondaj, e cila vlerësoi punën shumëvjeçare të Vatrës dhe sigurimit të vazhdimësisë me vatranët e sotëm. Ajo shprehu një mirënjohje të thellë për të gjitha figurat historike të kombit shqiptar, që nga rilindasit, patriotët e pavarësisë dhe të gjithë ata shqiptarë në diasporë që kontribojnë për çështjen e madhe shqiptare.

Në emër të Shoqatës së Torontos, Dr. Kondaj bëri disa dhurata simbolike me figurat tona kombëtare: Dr. Buçajt iu dha figura e Skënderbeut; z. Dalip Greca iu dha figura e Ismail Qemalit dhe kongresmenit amerikan, mikut të shqiptarëve, z. Eliot Engel iu dha figura e Nënë Terezës.

vatra_2Dr. Kondaj me kongresmenin amerikan z. Eliot Engel

Mbrëmja ishte madhështore, e shoqëruar me një koncert po madhështor, me një pjesëmarrje prej rreth 1000 vetash. Gjatë kohës së qëndrimit në NewYork, grupi i Shoqatës sonë pati rastin të takohej në një darkë miqësore edhe me zv. Kryeministren e Maqedonisë, zj. Teuta Arifi dhe përfaqësues të tjerë shqiptarë nga Maqedonia.

Comments Off on 100 vjetori i krijimit të Shoqatës patriotike Vatra, New York
Translate »