Veprimtari

Festimi i pavarësisë së Kosovës me Shoqatën e Hamiltonit

Ditën e premten në datën 15 shkurt 2013, në një ditë të ftohtë e me shumë dëborë, një përfaqësi e Shoqatës së Torontos me presidenten e saj Dr. Ruki Kondaj, zv/presidentin z. Xhemail Agaj dhe ish antëarin e bordit z. Leonard Zoga morën pjesë në festimet e 5 vjetorit të Pavarësisë me komunitetin shqiptar në qytetin e Hamiltonit.
Shoqata shqiptaro-kanadeze e Hamiltonit, si gjithnjë e organizuar më së miri, edhe në këtë përvjetor jubilar pati një mbrëmje festive me pjesëmarrjen e rreth 400 vetëve festen e 5 vjetorit. Këtë mbrëmje e parapriu një tour i gjatë rreth e rreth qytezës së Hamiltonit me një varg të gjatë makinash që valëvisnin flamujt e shumtë kuqezi.
Organizimin festiv e hapi presidenti i Shoqatës z. Shani Pnishi, që uroi pjesëmarrësit e të ftuarit dhe lexoi përshëndetjen e ambasadores Petoshati dërguar posaçërisht për këtë manifestim. Merrnin pjesë shumë të ftuar shqiptarë dhe disa anëtarë të Parlamentit të Ontarios për zonën e Hamiltonit. Kësaj radhe kishin ardhur edhe përfaqësuses nga shoqata e Bullgarisë dhe disa komunitete të tjera. Më pas iu dha fjala nënkryetarit të SHBSHK Toronto, z. Xhemail Agaj, i cili i përshëndeti pjesëmarrësit dhe iu uroi 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Si gjithmonë koncerti u filmua nga Pasqyra Shqiptare me producentin Ilir Lena.

Këngëtari i komunitetit Hamdi Raçi dhe fëmijët e përgatitur më së miri nga drejtues Refkiu për këtë koncert si dhe grupi i valleve të vajzave të Hamiltonit i dhanë një gjallëri të madhe festës.
Mbrëmja kaloi shumë bukur, me këngë, valle popullore dhe recitimet e fëmijëve që e gjalleruan këtë sallë kaq të madhe. Nuk munguan fotot e shumta si dhe urimet në fytyrat e gëzuara të gjithë pjesëmarrësve në këtë organizim mbresëlenës.

GEZUAR PER SHUME VJET PAVARESINE NANA KOSOVE!

Comments Off on Festimi i pavarësisë së Kosovës me Shoqatën e Hamiltonit
Translate »