Veprimtari

Festimet me rastin e 6 vjetorit
të Pavarësisë së Kosovës në Ontario

Më datën 14 shkurt, në Toronto u zhvillua aktiviteti kushtuar 6 vjetorit të Pavaresisë së Kosovës nga një bashkëpunim i suksesshëm i z. Bujar Zejnullahu dhe Flare Entertainment me Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze të Torontos. E ftuar e mbremjes ishte këngëtarja e njohur kosovare Shkurte Fejzaj e shoqëruar nga këngëtarët e komunitetit Tringa Rexhepi e Adavlin Zariu si dhe grupi i valleve Shqiponjat e Vogla me koreograf Ramazan Këllezin.
Koncerti u drejtua nga aktori Xhemi Agaj, nënkryetar i shoqatës. Në skenë u ngjitën për të përshëndetur të pranishmit e uruar festën Konsulli i nderit z. Genc Tirana, përfaqësues të shoqatave motra nga London z. Naser Berisha dhe nga Hamiltoni z. Shani Pnishi.

kosova-2

 

Festën e çeli tenori i ri Dion Këllezi me himnet kombëtare të Kanadasë dhe Shqipërisë për t’ja lënë më pas radhën grupit të valleve «Shqiponjat e Vogla» në interpretimin e dy valleve të krijuara enkas për këtë aktivitet me motive kosovare me solistë Uarda Këllezi dhe Andi Koçiaj. Vallet u pritën me shumë entuziazëm nga publiku.

Kryetarja e shoqatës Dr. Ruki Kondaj përshëndeti të pranishmit në emër të kryesisë së shoqatës duke uruar festën e pavarësisë së Kosovës dhe duke falenderuar bizneset mbështetëse. Së bashku me Bujar Zejnullahun ajo shpërndau çertifikatat e mirënjohjes të gjithë artistëve pjesëmarrës në këtë aktivitet dhënë nga Hon. Jim Karygiannis, anëtar i parlamentit të Kanadasë, përgjegjës për sektorin e multikulturalizmit.
kosova-3
Mbrëmja kaloi në një atmosferë tepër të ngrohtë festive nën tingujt e muzikës shqiptare me orkestrim nga Përparim Mefaja dhe Erdind Emiri. Ushqimet tradicionale të Kosovës ishin të përgatitura me pasion e mjeshtëri nga familja Qafleshi.

kosova-4Një tjetër festim për nder të përvjetorit të 6 të pavarësisë së Kosovës u zhvillua në datën 16 shkurt, në London, Ontario. Në këtë aktivitet Shoqata jonë u përfaqësua nga presidentja e shoqatës Dr. Ruki Kondaj dhe nga zëdhënesi z. Ramazan Këllezi.

Tenori Dion Këllezi këndoi së bashku me zonjushën Qamili hymnet e Kanadasë dhe Shqipërisë, një kombinim i shkëlqyer i zërave rinore. Në emër të shoqatës sonë përshëndeti z. Këllezi i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet shoqatave si frytdhënës dhe që i shërben bashkimit tonë kombëtar. Ai i uroi të pranishmëve festën e pavarësisë për të cilën u desh aq shumë sakrificë e mund.
I ftuar në këtë aktivitet ishte edhe grupi i valleve “Shqiponjat e Vogla” të cilat interpretuan me sukses  dy valle me motive kosovare të cilat përsëri u pritën me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
Atmosfera e mbrëmjes ishte shumë e gëzueshme ku të gjithë kapur dorë për dore këndonin e kërcenin për këtë ditë aq shumë të pritur nga të gjithë shqiptarët.

kosova-5Në Hamilton festa e pavarësisë së Kosovës u organizua në datën 23 shkurt në praninë e shumë pjesëmarrësve, artistëve të ftuar dhe grupit të valleve të Hamiltonit. Në këtë festë ishte e ftuar e veçantë edhe  zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës znj. Edita Tahiri. Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze të Torontos e përfaqësuan presidentja Dr. Ruki Kondaj dhe zëdhënësi z. Ramazan Këllezi.

Atmosferën festive kësaj mbrëmjeje ia shtuan jo vetem zërat e bukur të këngëtarëve por edhe prania e fëmijëve të shkollës shqipe të cilët recituan vargje patriotike për Kosovën e Shqipërinë.

Eshtë bërë traditë e bukur që për festimin e festave kombëtare të gëzojmë të gjithë së bashku edhe me shoqatat simotra, një përvojë e bukur që ka filluar të bëhet zakon këto vitet e fundit.

Comments Off on Festimet me rastin e 6 vjetorit
të Pavarësisë së Kosovës në Ontario
Translate »