Lajmërime

Promovim libri në Toronto: Mustafë Ismaili

Në praninë e disa krijuesve, miqve të librit, kritikëve letrarë, publicistëve dhe një numri dashamirësish të fjalës së bukur artistike, më 13 prill në zyrën e Shoqatës së Bashkësisë Shqitaro-Kanadeze të Torontos u promovuan dy libra të shkrimtarit Mustafë Ismaili: “Jeta ka një kahe”, vëllim poetik, dhe romani “Rruga pa adresë”, të dy botuar gjatë vitit 2013 në ndërmarrjen botuese “Jeta e Re” në Prishtinë.

Nga diskutuesit të ardhur enkas për këtë eveniment të letrave shqipe, u dëgjuan komente lavdëruese për vlerën letrare të poetit Mustafë Ismaili, gjithnjë duke iu përmbajtur rregullit të meditimeve, përplasjeve, ndijimeve që dalin nga etja dhe dashuria për të parë e përjetuar ëndrrën e përbashkët të bashkimit kombëtar.
Duke e përcjellur krijimtarinë e autorit Ismaili, mirë dhe bindshëm mund të dëshmohet se ai në asnjë çast nuk i ikën atij synimi, rrjedhës së historisë, asaj kënge e cila shndërrohet në lapidar kohe e këndimi për peshën që ka ecja drejt bashkimit të gjërave, por edhe periudhave kohore në një tërësi.
Drejtuesit e promovimit, aktori shqiptaro-kanadez Xhemi Agaj dhe drejtuesja e emisionit Radio e Diela, Remka Huruglica, thanë se librat që po promovohen të lënë mbresën  e reflektimit mbi shpirtin rinor, human e kombëtar për më shumë aromë lirie në vendin e tij, në Kosovën deri vonë të robëruar.
Sikur në poezi, ashtu edhe në prozë shkrimtari lë gjurmë mbi jetën, sfidat, ëndrrat, dhe veprimtarinë e tij për këtë vend. Referenca të shkrimtarit janë situata të njohura botë­risht të  realitetit të trishtë kosovar të përgjatë luftës.
Pas interpretimit të fragmenteve nga romani “Rruga pa adresë” dhe pas reciti­mit të disa poezive nga Xhemi Agaj, fjalën e morën kryetarja e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos, Dr. Ruki Kondaj, shoqatë e cila ishte edhe organizatorja kryesore e këtij evenimenti. Më pas shkrimtari dhe drejtori i gazetës “Flas Shqip”, Përparim Kapllani, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit Shani Pnishi, shkrimtari i njohur Kristaq Turtulli, etj.
Pothuajse të gjithë diskutantët u pajtuan se në pasqyrën shpirtërore të autorit Mustaf Ismaili reflektohen peizazhe të Atdheut që mbushen si afreske kujtimesh të vargëzuara vit pas viti, ngjarje pas ngjarjeje, e poeti referon mbi to, si një folës lirike vatrash atdhedashurie.

SELI MURATI

Comments Off on Promovim libri në Toronto: Mustafë Ismaili
Translate »