Feti Zazani ndërroi jetë në mënyrë natyrale më 27 dhjetor 2013 në Toronto, në moshën 90 vjeçare, në prani të familjes së tij. Shërbesa e përcjelljes së Prof. Fetiut u krye me një protokoll të organizuar shumë mirë në St. John’s Dixie Chapel, Mississauga, Ontario, Canada, në mesditën e datës 29 dhjetor 2013. Dhimbja e largimit të Prof. Fetiut u zbut nga prania e të afërmëve dhe miqve të familjës, kolegëve dhe studentëve të shumtë të tij. Në ekranin e gjerë u shfaqën mesazhet e ngushëllimit nga të afërmit, miqtë dhe kolegët e Profesorit të nderuar nga të katër anët e botës.
Gjatë Shërbimit Përkujtimor u mbajtën fjalime nga Prof. Kristian Bukuroshi – ish koleg, nga vajzat Gerta dhe Lila, nga Saimir Lolja – ish student dhe koleg, Gani Petritaj – ish student; Ramona Prifti – ish studente dhe u kënduan dy pjesë operistike nga sopranoja Margaret Maye, mikeshë e familjes. Shërbimi përkujtimor u mbyll me një jetëshkrim të Prof. Fetiut në formën e një serie pamjesh mbresëlënëse të ruajtura nga familja e tij.
Feti Zazani lindi në Gjirokastër, ndoqi studimet e mesme në degën e Shkencave Natyrore në Liceun e Korçës, dhe u diplomua si inxhinier kimist në prill të vitit 1950, pasi ndoqi studimet e larta në degën e Kimisë Industriale të Universitetit Politeknik të Ëroslavit në Poloni. Me kthimin në Shqipëri, Prof. Fetiu punoi si inxhinier kimist në Fabrikën e Sheqerit në Maliq për dy vjet. Në vitin 1952, ai u emërua Drejtor i Laboratorit Gjeologjik në Tiranë ku punoi për nëntë vjet. Në periudhën 1961-1966, ai punoi si zëvendësdrejtor i Institutit Gjeologjik duke qenë edhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Natyrore (FSHN) të Universitetit të Tiranës. Më 1967 u emërua Shef i Katedrës së Kimisë Analitike në FSHN ku punoi derisa doli në pension. Në dhjetor 1999, familja e Prof. Fetiut emigroi në Toronto.
Në të gjithë mesazhet dhe diskutimet, Prof. Fetiu u kujtua si njeri fisnik në jetë e punë dhe familjar i dashur. Prof. Fetiu dhe kolegët e brezit të tij hodhën themelet dhe ndërtuan një shkollë shqiptare të lartë. Ashtu si kolegët e tjerë, Prof. Fetiu harxhoi shumë mund e kohë për të shkruar libra profesionalë në shqip në fushën e tij të Kimisë Analitike. Që nga viti 1953 e deri në vitn 1988, Prof. Fetiu botoi dhjetë libra (tre si bashkëautor) në fushën e Kimisë Ushqimore dhe Kimisë Analitike. Brezi i Prof. Fetiut edukoi me mirësjellje dhe arsimoi në kimi shumë breza studentësh të cilët kudo ku shkuan e punuan i treguan cilësitë e tyre të larta njerëzore e profesionale. Prandaj edhe mirënjohja është e pranishme midis kimistëve shqiptarë, studentë, kolegë, laborantë, profesorë.
Për familjen shqiptare, prindërit janë të pazëvëndësueshëm të paktën për një arësye: sepse janë pikërisht prindërit që nxorrën në dritë fëmijët, i rritën, edukuan e i shkolluan. Familja e Prof. Fetiut e rrethoi atë me kujdes, ngrohtësi dhe nderim deri në fund. Të dashurit e tij do e kujtojnë gjithmonë atë dhe do t’i buzëqeshin kujtimit të tij.
Familja e Prof. Fetiut falenderon të gjithë pjesëmarrësit në shërbimin përkujtimor që i bënë nderimet e fundit Prof. Fetiut si dhe të gjithë studentët, kolegët e FSHN-së, miqtë në Shqipëri, Kanada e kudo në botë, që i dërguan mesazhe ngushëllimi familjes.
Qofshin të lëvduar prindërit.
Përkujtimore në nderim të Prof. Dr. Feti Zazanit
- January 11, 2014
- 5:11 am
Related Events
- February 11, 2025
- Lajmërime