Veprimtari

‘Shqiponjat e vogla’ në suksesin e radhës

Në datën 20 prill 2013, grupi artistik i fëmijëve shqiptarë nga Toronto “Shqiponjat e vogla” mori pjesë në festivalin e organizuar nga Turkish Culture and Folklore Society of Canada (http://turkishcultureandfolklore
society.blogspot.ca) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të fëmijëve.

Në këtë festival multikulturor merrnin pjesë disa grupe që përfaqësonin komunitetin turk, maqedonas, boshnjak, turkmenistan, azerbajxhan etj. të cilët sollën në skenë atmosfera të ndryshme, larmi e tinguj të vendeve të tyre, duke ndarë mes miqsh gëzimin e festës.

Grupi artistik “Shqiponjat e vogla” në këtë festival u paraqit me dy krijime koreografike, Mozaik vallesh nga treva të ndryshme të Shqipërisë si dhe Vallen me motive të Jugut, të cilat u interpretuan me nivel të lartë artistik nga vallëtaret e vogla shqiptare. Vlerësimet dhe përgëzimet nuk rreshtën gjatë gjithë kohës së qëndrimit tonë në këtë aktivitet. Ajo që vlen të përmendet është dëshira e madhe që spektatorët patën për t’u bërë pjesë të valles sonë të jugut duke vallëzuar dorë për dore me “shqiponjat e vogla”.

Drejtuesit e festivalit kishin bërë një punë të lavdërueshme si në organizimin e koncertit ashtu edhe në mikpritjen e miqve të shumtë që kishin mbushur sallën. Në fund të koncertit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për të gjitha grupet pjesëmarrëse në festival.
shqipet_2
Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Torontos u përfaqësua në këtë aktivitet nga dy anëtarë të bordit: znj. Irene Breznica dhe z. Ramazan Këllezi, të cilët në emër të saj përshëndetën dhe falenderuan drejtuesit për organizimin e domethënien e festivalit si dhe për ftesën drejtuar Shoqatës sonë.

Comments Off on ‘Shqiponjat e vogla’ në suksesin e radhës
Translate »