
Festim i Përvjetorit të parë të muajit të Trashegimisë Shqiptare në Ontario – 20 Nëntor, 2017
Te henën më 20 nëntor 2017, në një nga sallat e Parlamentit të Ontarios (Kanada), u zhvillua ceremonia e pervjetorit të parë të shpalljes së muajit Nëntor, Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Provincën e Ontarios. Veprimtaria organizohej nga grupi parlamentar liberal në bashkëpunim me SHBSHK dhe drejtuesen e grupit të trashëgimisë, Dr. Ruki Kondaj
Vitin e kaluar, Parlamenti i Ontarios, me nismën e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos me lobimin e zonjës Ruki Kondaj, drejtuese e grupit të trashëgimisë dhe presidente nderi e shoqatës, si edhe me mbështetjen e veçantë të deputetëve liberalë Laura Albanese dhe Shafiq Qaadri, e ktheu në ligj propozimin e një grupi deputetësh për ta shpallur nëntorin “Albanian Heritage Month”.
Në këtë ceremoni të bukur festive ishte e ftuar sopranoja Inva Mula, Nderi i Kombit, njeriu që pas hapjes së Shqipërisë në vitet 90 u dha Shqipërisë dhe shqiptarëve një vend në hartën e artit skenik botëror. Ceremonia u drejtua nga aktorja, këngëtarja dhe producentja shqiptaro-kanadeze Ana Golja. Në të moren pjese Kryetari i Shoqatës Ramazan Këllezi, Ministrja Albanese, deputetët liberale Yvan Baker, Shafiq Qaadri, Cristina Martins, Joe Dickson etj. si edhe anëtarë te bordit te shoqatës, biznesmenë e sponsorë, aktivistë të hershëm te komunitetit dhe të ftuar të tjerë. Morën pjesë gjithashtu dy artistë të tjerë të shquar shqiptaro-kanadezë: Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo.
Gjate mbrëmjes te pranishmit shijuan disa pjese shqiptare dhe të repertorit botëror, të kënduara me mjeshtëri nga sopranoja Inva Mula ne shoqërimin e mjeshtrit Papadhimitri e të riut të talentuar Lengo, të cilët gjithashtu i dhane nje emocion të veçantë mbrëmjes duke luajtur edhe si solistë.
Shoqata nderoi me titullin “Anëtar Nderi” Zj. Inva Mula, MPP Shafiq Qaadri dhe gazetaren e veprimtaren shqiptaro-amerikane Marjana Zeneli-Bulku.
Të pranishmit u njohën edhe me përshendetjet e dy ambasadorëve, respektivisht Z. Ermal Muça, Ambasador i Shqipërisë në Ottawa si edhe Z. Lulzim Hiseni, Ambasador i Kosovës ne Ottawa, të cilët për arsye pune nuk ndodheshin në Toronto. Përshendetjet u lexuan nga zv. Presidenti i shoqatës Z. Bujar Zejnullahu
Të pranishmit shijuan produktet ushqimore karakteristike shqiptare të ofruara nga sponsorët si edhe torten e trashegimisëe te punuar me mjeshtëri nga Adi dhe Bruna Brari .
Ndihmuan në realizimin me sukses kesaj ngjarjeje sponsorët: Oldmill Pastry & Deli me pronar Nazim Qafleshi, Albacatering me pronare Rudina Luga, European Pattisserie me pronarë Adi e Bruna Brari, Dr. Alban Merepeza, Port Hope Center, anëtarët e bordit Gary Bogdani, Amarda Selimi dhe Arta Tafaj, drejtuar nga Dr. Ruki Kondaj. Veprimtaria u pasqyrua në programin “Pasqyra Shqiptare” me producent Ilir Lena
Fotot nga fotografët Gazmend Kondaj dhe Genti Hali.

