Tendosje shpirti

Tendosje shpirti

gonxhe
Historia e jetës së Nënë Terezës është vërtetë frymëzuese sepse nëse jo frymëzimi prej saj, çfarë e tërhiqte lebrozin e pashpresë të Kalkutës të ngrihej nga trotuaret e vdekjes, apo në të kundërtën, të kalonte pragun e jetës, njësoj, pa iu ndarë buzëqeshja?

Gjerësia e zemrës nuk kishte kufi. Me veprimtari plot përkushtim si murgeshë e përkorë, ajo arriti të quhej “Nëna e Nënave”. Shpesh citohej të thoshte se titulli “Nënë” ishte nderi më i madh që i ishte bërë ndonjëherë. Të tjerë thonë se çmimi Nobel ishte nderi më i madh. Nënë Tereza ishte aq modeste sa edhe këtë çmim e priti me rezervë, por në fund e pranoi vetëm nëse e lejonin ta merrte në emrin e “të varfrit më të varfër”.

“Zoti nuk kërkon prej nesh sukses por vetëm përpjekje”, thoshte ajo, duke komunikuar urtësinë se “vetëm Zoti është i përsosur, por kjo nuk do të thotë që njeriu të mos përpiqet”. Debatet bëhen për një bust këtu apo një kishë atje – në hyrje, në dalje a në qendër të qytetit – një shesh, një rrugë, një park me emrin e saj, një rivarrim në vend tjetër. Debate ndizen edhe për ta monopolizuar, apo se kush ka të drejtë t’a nderojë e kush jo. Pas një jete pune për afrim e pajtim, ajo do të çuditej e zhgënjehej nga debate të tilla, si atëhere (vitet ’60) kur me ankth priste në një konvent të Romës për telefonatën që nuk erdhi kurrë, për një vizë nga ambasada e një shteti (shqiptar) që nuk e lejoi të takonte nënën e saj plakë. Debatet e sotme – kush e do më shumë, kush e ka më afër, cilin popull ndihmoi më shumë a më pak – janë jo vetëm për të qeshur, por largojnë edhe vëmendjen nga misioni i saj, ndihma për më të varfërit kudo në botë, në vendin që vetë zgjodhi e në trojet prej nga erdhi, ku jetimë e të varfër nuk ka pak. A është Nënë Tereza një shenjtore? Shumë thonë de facto po. Por ata që e vendosin në qendër të vorbullës së debateve pa mirëkuptim, sikur duan ta mbajnë lidhur në tokë, ndërsa shpirti i saj stërgjatet, tejzgjatet, tendoset në qiell drejt pragut të portës së shenjtërimit.

Shpirti nuk ka moshë por po të ishte gjallë fizikisht, më 26 gusht 2010, Nënë Tereza do të mbushte plot një shekull.

Astrit Lulushi

Translate »