Veprimtari

Koktej mirëseardhjeje për ambasadoren e re Petoshati

Me datën 18 shtator 2011, me iniciativën e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto u zhvillua një koktej mirëseardhjeje për nder të ambasadores së re të Shqipërisë në Kanada, znj. Elida Petoshati.

Në këtë takim të përzemert morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të komunitetit shqiptar të Torontos, Hamiltonit, Kitchenerit, Londonit, artistë, bisnesmenë, aktivistë e anëtarë të nderuar si dhe kandidatët shqiptarë për deputet në Parlamentin e Ontarios, z. Gerti Dervishi dhe z. Mark Jagg.

Dr. Ruki Kondaj, presidente e Shoqatës, pasi prezantoi të gjtihë të pranishmit, i uroi znj. Petoshati mirëseardhjen duke e përgëzuar për detyrën e re dhe të rëndësishme dhe njëkohësisht i shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë midis Ambasadës dhe Shoqatës sonë. Ajo e siguroi ambasadoren se Shoqata e komunitetit shqiptar në Toronto është dhe do të mbetet e angazhuar për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen konkrete midis dy institucioneve për të mirën dhe integrimin e shqiptarëve në Kanada.

Ambasadoren e uruan të gjithë të pranishmit për sukses dhe bashkëpunim në drejtim të mbështetjes dhe ndihmës profesionale nga shteti shqiptar me qëllim ruajtjen dhe transmetimin më tej tek brezat e ardhshëm të kulturës, gjuhës e traditave kombëtare edhe këtu në Kanada.

Ambasadorja falenderoi të gjithe për pritjen e mrekullueshme dhe emocionale nga ky mikrounivers shqiptar i Torontos duke shprehur respektin e lartë per Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze, drejtuesit e saj dhe gjithë komunitetin shqiptar në Toronto. Znj. Petoshati transmetoi edhe përshëndetje të përzemërta të Shtetit shqiptar për komunitetin shqiptar në Kanada.

koktej_2
koktej_3
koktej_4
koktej_5

Ajo theksoi se është e nderuar të shërbejë në një vend si Kandaja, një vend mik aq i mirë i Shqipërisë. Komuniteti shqiptaro-kanadez tha ajo më tej, është shumë i lidhur me atdheun edhe pse ndodhet larg gjeografikisht. Znj. Petoshati i siguroi gjithashtu të pranishmit për vullnetin e ambasadës dhe angazhimin maksimal për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për realizimin e iniciativave të përbashkëta që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe shtimin e vlerave shqiptare.

Znj. Petoshati i dhuroi Dr. Kondajt një hartë të Shqipërisë dhe kjo e fundit i dhuroi ambasadores një skulpturë të Nënë Terezës, punuar nga artisti i mirënjohur Hytbi Tarelli, anëtar i kryesisë së shoqatës. Më tej e morën fjalën dy kandidatët për deputetë provincialë, Gerti Dervishi dhe Mark Jagg. Prof. Kristian Bukuroshi në fjalën e tij iu drejtua shtetit shqiptar për ndihma në drejtim të teksteve shkollore të të gjitha lëndëve për fëmijët shqiptarë në Kanada. Përshëndetën edhe shkrimtari Rifat Dajti si dhe aktivisti i mirënjohur i komunitetit, z. Iljaz Loku. Ky i fundit i drejtoi një pyetje ambasadores për vizita të dyanshme të të rinjve shqiptarë studentë në të dy vendet dhe premtoi se një shembull të tillë ai do ta mirëpriste vetë duke strehuar studentë shqiptare në shtëpinë e tij.

Kokteji u mbyll me biseda miqësore e fototgrafi midis miqsh nën tingujt e muzikës shqiptare duke shijuar ushqimin e ofruar nga Shoqata Shqipatro-Kanadeze të gatuar nga biznese shqiptare.

Comments Off on Koktej mirëseardhjeje për ambasadoren e re Petoshati
Translate »