Uncategorized,  Veprimtari

Përkujtohet përvjetori i Pavarësisë së Kosovës

Është bërë tashmë traditë e bukur që Shoqata Shqiptaro-Kanadeze në Toronto së bashku me shoqatat e tjera simotra përkujton përvjetorin e pavarësise së Kosovës. Në mjediset e Tartu College në Toronto, me pjesëmarrjen e më shumë se 100 personave, përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare, u festua me madhështi 4 vjetori i pavarësisë së Kososvës. Aktiviteti u moderua nga studentja Zigrida Mila dhe si në çdo veprimtari tjetër të Shoqatës, merrnin pjesë anëtarë e aktivistë të përhershëm, përfaqësues të Shoqatave simotra, artistë, intelektualë, biznesmenë, perfaqësues të të gjitha moshave e profesioneve.

Nën valëvitjen e tre flamujve, atij shqiptar, të Kosovës dhe atij kanadez u kënduan himnet e të tre vendeve nga tenori Dion Këllezi. Në emër të Shoqatës, presidentja Dr. Ruki Kondaj, bëri një prezantim shumë dinjitoz dhe informativ me titullin Kosova në 100 vjet, i cili u mirëprit dhe duartrokit nga të gjithë të pranishmit në sallë. Me pas, fjalën e morën me radhë përfaqësuesi i shoqatës Iliria, London ON, Naser Berisha; përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Hamilton Shani Pnishi; Mirlinda Qamili, përfaqësuese e Shoqatës së Londonit e cila recitoi një poezi prekëse për qytetin e saj të lindjes Mitrovica. Një përshëndetje u bë edhe nga anëtari i këshillit të nderit Prof. Krisitan Bukuroshi dhe konsulli i nderit të Shqipërisë në Toronto z. Genc Tirana.

Për këtë ditë festive Shoqata kish përgatitur një program të larmishëm artistik. Pianisti i talentuar Rudin Lengo luajti në piano disa arie të perzgjedhura nga repertori i tij. Më pas aktori i mirënjohur shqiptaro-kanadez Xhemi Agaj recitoi një poezi të Asdrenit kushtuar Kosovës.

kosova_12_3
kosova_12_1

Edhe kësaj radhe nuk mungoi grupi i valleve Shqiponjat e vogla, të përgatitura me mjeshtëri nga koreografi dhe aktivisti i komunitetit z. Ramazan Këllezi, që interpretuan për publikun vallen Shqipëri o nëna ime. Mjeshtrja e madhe e valles Lili Cingu, e pranishme në disa aktivitete me radhe të Shoqatës, interpretoi me elegancë të rrallë Vallen e Rugovës, e shoqëruar nga valltaret e vogla. Kulmi i entuziazmit arriti kur nën tingujt e këngës Xhamadani vija-vija të rinjtë Xhemi Agaj dhe Zigrida Mila valëvisnin flamurët në sallë dhe të gjithë të pranishmit, të ngritur në këmbë, këndonin e vallëzonin. Për nder të kësaj dite u shtrua një koktej i pasur e i larmishëm, i përgatitur me kujdes nga anëtaret e kryesisë Emiljana, Arta, Bora, Monda bashkë me vullnetaret Eranda dhe Lura.

Aktiviteti u mbyll me fotografi të shumta dhe me kujtime mbresëlënese për të gjithë te pjesëmarrësit. Më tej, përfaqësues të Shoqatës sonë morën pjesë në festimet që u bënë edhe në Hamilton e London. Në Hamilton shkuan Dr. Kondaj dhe zj. Rajmonda Demaj, e cila përshëndeti në emër të Shoqatës së Torontos. Në London këtë përshëndetje e bëri Dr. Kondaj.

Comments Off on Përkujtohet përvjetori i Pavarësisë së Kosovës
Translate »