Lajmërime

GJENOCIDI GREK MBI ÇAMËRINË, PENGU I EUROPËS

Çdo vit që kalon nga ai 27 qershor 1944, e bën më të qartë atë çfarë ka ndodhur në tokën e Çamërisë, por edhe qartëson përse u hesht dhe përse vazhdon të mos vihet dorë mbi një padrejtësi çnjerëzore me emrin “gjenocid”.

Edhe pse i pranuar nga vetë dëshmitarët okularë dhe komisioni i ngritur miks në atë vit, që dëgjoi rrëfimet dëshpëruese dhe tronditëse të familjeve që vuajtën masakrat fashiste të shovinistëve grekë, por e pranuar edhe nga vetë akademikët grekë para disa vjetësh, Greqia dhe qarqet progreke vazhdojnë të mos flasin dhe ta mohojnë këtë gjenocid që mori mijëra jetë njerëzish. Por krah kësaj heshtjeje ka edhe një Europë që përsëri hesht, edhe pse dihet dhe njihet që në Çamëri u shkelën mizorisht të drejtat e njeriut dhe pati masakra ndaj popullatës së pambrojtur civile çame.

Shpesh violina greke ka pasur vetëm një tel dhe i ka rënë këtij teli të çakorduar, sepse e dinte që, sido të fliste Greqia, ajo kishte Europën në mbështetje dhe krah për të qenë avokate e çdo padrejtësie që mund të bënin grekët, aq më tepër ndaj shqiptarëve. Akuzat pa dëshmitarë dhe pa fakte të grekëve ndaj çamëve janë absurdi që ne shqiptarët e Çamërisë kemi 69 vjet që i dëgjojmë, por i dëgjojnë edhe kanceleritë europiane që gjithnjë e mbajnë peng gjenocidin grek në Çamëri, në mungesë të një projekti për të dhënë drejtësi.

Që nga pushtimi i Shqipërisë nga Greqia pas padrejtësisë së Konferencës së Londrës më 1913, që e ndau tokën shqiptare në pesë pjesë, Çamëria është toka europiane që nuk është çliruar asnjëherë deri më sot. Edhe gjatë pushtimit fashisto-nazist të Greqisë 1940-1944, ligjërisht Çamëria nuk është bashkuar me Shqipërinë, siç u bë me Kosovën. Në këtë mënyrë, Ligji i Luftës që ende mbahet nga grekët midis Shqipërisë e Greqisë, nuk ka asnjë lidhje me ne shqiptarët e Çamërisë, sepse edhe në atë kohë ne ishim dhe ligjërisht ende jemi shtetas grekë, sepse Greqia nuk ua ka hequr zyrtarisht çamëve shtetësinë greke. Atë e hoqi arbitrarisht dhe brenda një nate qeveria e Tiranës, ku çamët ishin të vendosur si refugjatë në vitin 1953.

Nga ana tjetër, edhe akuza greke ndaj çamëve është një tjetër absurd dhe një padrejtësi që europianët e dëgjojnë dhe nuk reagojnë, kur arkivat europiane e dinë shumë mirë se cila është e vërteta e asaj që ndodhi në Çamëri 69 vjet më parë. E dinë këtë edhe arkivat e nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë që e bënë këtë luftë, po aq sa edhe arkivat e Aleancës Antifashiste. Se si ka mundësi që të ndodhë një masakër çnjerëzore në mes të Europës dhe të mos kenë dijeni drejtuesit e shteteve, kur ata ishin në Korfuz, ishin në Janinë, ishin në Athinë, ishin në Shqipëri dhe kur vetë forcat e EAM-it e dinin se do të bëhej një gjenocid i tillë spastrimi etnik.

Nga ana tjetër, duhet thënë se gjatë gjithë periudhës së Luftës II Botërore në Greqi ka pasur vazhdimisht qeveri kuislinge greke dhe ata kanë administruar edhe Çamërinë. Ne çamët s’kishim si të ishim bashkëpunëtorë me pushtuesin, kur bashkë me pushtuesit gjermanë ishte vetë “qeveria greke” e Ralisit.

Pikërisht këto fakte dhe këto të vërteta janë një gong i fuqishëm që komuniteti çam në Shqipëri, por edhe në SHBA i bie fort, por që përsëri heshtet, nuk thuhet asnjë fjalë, në një kohë që drejtësia europiane e Hagës e kërkon kriminelin e Serbisë në çdo vrimë ku të ishte futur, ndërsa e di që Napoleon Zerva ishte një ideator dhe zbatues i politikës zyrtare greke me miratimin edhe të kishës greke dhe nuk thotë qoftë edhe një fjalë të vetme se si është e mundur që të ngrihet një monument në Çamëri për një kriminel që ka vrarë foshnjat në bark të nënës, qoftë edhe për një rast të vetëm e jo më për një popullatë të tërë 50 mijë vetëshe. Komuniteti çam ka 69 vjet që thërret e kërkon drejtësi në emër të ligjit e të Zotit për pafajësinë e mbi 3 mijë shqiptarëve të Çamërisë, të vrarë e therur e po aq të vdekur më pas nga vuajtjet e rrugës e urisë. Nëse ka një shtet që bërtet më shumë në botë për respektimin e të drejtave të shtetasve të tij në botë, ajo është Greqia. Njëherazi e them me gojën plot se nëse ka shtet që shkel me të dyja këmbët të drejtat e njeriut brenda vendit të tij, ajo është Greqia. Çfarë emri i duhet vënë kësaj?

Hyqmet Zane, Nacional Albania

 

Comments Off on GJENOCIDI GREK MBI ÇAMËRINË, PENGU I EUROPËS
Translate »