Veprimtari

Pikniku tradicional i Shoqatës me fëmijët tanë të gëzuar

Të dielën, më 29 Gusht 2010, Shoqata Shqiptaro-Kanadeze në Toronto organizoi piknikun tradicional të verës në parkun Sunnybrook, në zonën lindore të qytetit. Dielli shkëlqente qysh në mëngjes dhe qielli ishte blu dhe i kthjellët, kohë ideale për të kaluar një ditë midis miqsh në gjelbërim. Të gjithë kaluan një ditë të mrekullueshme me argëtim, ushqime, lojra, këngë dhe valle. Në piknik morën pjesë rreth 150 veta, të moshuar, të rinj e fëmijë.

Grupi i madh i fëmijëve ishte e veçanta e kësaj veprimtarie që i shtoi edhe më shumë gëzim e hare ditës. Të drejtuar nga Leonard Zoga, fëmijë të vegjël e të mëdhenj, bënë gara vrapimi, tërheqje me litar, rendje me thesa, tollumbace me ujë, lojra ping-pongu, ndeshje futbolli dhe gara recitimi në shqip. Disa prej tyre nuk ngurruan por i ndoqën prindërtit e tyre dhe morën pjesë në valle e këngë shqiptare.

 

pikniku2
pikniku4

Të gjithë shijuan me endje paninet me qofte, hot-dogët, si dhe ushqime e ëmbëlsira të tjera tradicionale që u dhuruan nga bashkatdhetarët. Parku ishte i mbushur me tavolina e grupe që bisedonin me njëri-tjetrin, qeshnin, luanin me top dhe shijonin muzikën shqiptare që luante në sfond. Disa të tjerë nuk ju rrezistuan dot tingujve të muzikës popullore dhe u ngritën në valle të bukura shqiptare. Gjatë ditës u kënduan edhe shumë këngë të trevave të ndryshme.

 

pikniku5

Pranë tavolinës së ushqimeve ishte krijuar edhe një kënd me suvenire e simbole shqiptare: flamurë shqiptarë, stema simbolike, bluza me shqiponjën dykrenare, libra të ofruar nga shkrimtari Kristaq Turtulli. Gjatë ditës u kryen edhe disa anëtarësime në Shoqatë gjë që tregon se interesi dhe vëmendja për të po rritet çdo ditë e më tepër. Ndër këto anëtarësime u fitua edhe një çmim tjetër argjendi nga agjentja e shitblerjes së shtëpive, Znj.Teuta Guci. Çertifikatat e arit, argjendit e bronzit u jepen atyre individëve apo kompanive që ofrojnë përkatësisht 1000, 500 dhe 250 dollarë në mbështetje të veprimtarive të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze.

pikniku3

Falenderojmë nga zemra të gjithë pjesëmarrësit në piknik por edhe ata që kontribuan në ralizimin me sukses të këtij takimi popullor. Një falenderim i veçantë shkon për z. Blendi Kozmaqi i cili dhuroi të gjithë bukët, zj. Sefire Xhaferri për përgatitjen dhe ofrimin e revanive, z. Albert Lame mjeshtri i qofteve dhe hot-dogëve dhe zj. Vasilika Gurma për pregatitjen dhe ofrimin e gurabieve. Falenderojmë gjithashtu të gjithë ata që kryen anëtarësimin e tyre vjetor në Shoqatë.

Comments Off on Pikniku tradicional i Shoqatës me fëmijët tanë të gëzuar
Translate »