Piktura Pema e jetës dërgohet nga Toronto në Vatikan
DHURATA E ÇMUAR “PEMA E JETËS” I DËRGOHET PAPËS NË ROMË
NGA SHOQATA SHQIPTARO-KANADEZE NË TORONTO
Më 10 shtator, një grup i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Toronto i përbërë nga Dr. Ruki Kondaj, Prof. Kristian Bukuroshi, anëtar i këshillit të nderit të shoqatës dhe artisti i njohur Ilir Fico udhëtuan drejt Ottawës me një mision të rëndësishëm në kuadër të veprimtarive të organizuara në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Ky mision ka të bëjë me dhurimin për Papën të një pikture me portretin e shenjtores shqiptare titulluar “Pema e jetës” të përgatitur nga artisti Fico, punë kjo disavjeçare dhe me një vlerë prej rreth 150,000 dollarësh.
Për të realizuar këtë mision u kontaktua me ambasadorin e Vatikanit në Ottawa, Pedro Lopez Quintata. Takimi u krye në një atmosferë miqësore ku ambasadori foli me aq respekt e dashuri për Nënë Terezën sepse ai vetë e kishte takuar disa herë atë në zyrat e Vatikanit dhe më pas gjatë vizitës së tij në Indi. Ambasadori i Selisë së Shenjtë u tregua i interesuar të dinte më shumë për pikturën-dhuratë, për ngjyrën e gjelbër të veçantë të saj. Autori i veprës, Fico, tregoi se kjo ngjyrë është frymëzim nga Bethoveni, pasion ky i artistit shqiptar të paraqitjes së muzikës me mjete vizuale e koloristikë. Përveç veprave të Bethovenit, Wagnerit, Verdit, Puçinit, Berliozit në arkivin e punimeve të Ficos bëjnë pjesë edhe frymëzime nga muzika e lehtë dhe moderne si ajo e Bitëllsave, Gershuinit, Shwarcit etj.
Takimi u mbyll me falenderime të dyanëshme dhe u shoqërua me disa foto për ta plotësuar evenimentin e radhës i cili ishte shumë mbresëlënës.
Ilir Fico kërkoi një takim të veçantë me ambasadorin papal për mbresat që kish ai mbi Nënë Terezën për të gjetur frymëzime të reja dhe ky u tregua i gatshëm ta presë një herë tjetër për këtë bisedë.
Shoqata Shqiptaro-Kanadeze i drejton një falenderim të veçantë artistit bujar Ilir Fico dhe familjes së tij për këtë gjest fisnik dhe për bashkëpunimin e ngushtë me shoqatën për realizimin e këtij takimi të rëndësishëm. Ky bashkëpunim do të shoqerohet edhe nga të tjerë për identifikimin dhe afrimin e potencialeve intelektuale më pranë komunitetit shqiptar në Toronto.
Më poshtë pak fjalë edhe për artistin Ilir Fico
Ai lindi në Tiranë më 1949 dhe u diplomua në Universitetin Shtetëror të Tiranës për arkitekturë. Artet e bukura ishin pjesë e vazhdueshme e edukimit të tij profesional. Specializime në Itali, Francë, Danimarkë, Austri dhe Greqi, bënë pjesë në formimin pasuniversitar. Siç dihet, stili i lirë dhe modernist nuk pranoheshin nga ideologjia komuniste prandaj ai nuk pati asnjë mundësi veprimtarie të hapur para rënies së Murit të Berlinit.
Pas rënies së regjimit totalitar, punimet e Ficos u ekspozuan në publik për herë të parë në Itali, si pjesëmarrës në ekspozitën shëtitëse “Piktorë shqiptarë të Rilindjes, 1993”. Pas këtij “debutimi” pasuan shumë të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Art Diary 1998/1999”, një botim ndërkombëtar i arteve vizuale e ka renditur Ficon në listën e artistëve më të njohur të vendit.