Veprimtari

Takim i përzemërt me presidentin Topi në Michigan, USA

Më 22 shtator 2010, me ftesë të z. Ekrem Bardha, konsull nderi i Shqipërisë në Michigan, edhe një përfaqësi e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze Toronto e përbërë nga kryetarja e Shoqatës Dr. Ruki Kondaj dhe anëtari i kryesisë z. Ylli Loci, mori pjesë në takimin e zgjeruar të gjithë shoqatave shqiptare të Amerikës me presidentin e Republikës së Shqipërsië, z. Bamir Topi.

Pjesëmarrja në këtë takim ishte mjaft e madhe edhe pse ishte ditë pune; makinat ecnin në rresht njera pas tjetrës dhe vargu i tyre nuk kishte të sosur. Të gjithë donin ti uronin mirëseardhjen dhe donin të bashkëbisedonin me presidentin.
 Ceremonia filloi me vizitën në monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe atë të Nënë Terezëz të inaguruar vetëm para pak ditësh. Më pas programi vazhdoi me një takim të ngrohtë në sallën e madhe të Kishës së Shën Palit, e cila ashtu siç u permend dhe gjatë tubimit është ndërtuar me punën e madhe të malësorëve që jetojnë e punojnë në Michigan dhe ju shërben gjithë shqiptarëve. Në takim ishin të pranishëm mbi një mijë persona: përfaqësues të pushtetit vendor, senatorë, n/kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Naim Maloku, Ekrem Bardha e Don Anton Kcira, njerëzit e palodhur të diasporës të cilët presidenti Topi i falenderoi për kontributet e tyre te çmuara për çështjen kombëtare.

Dreka tradicionale kurorëzoi ditën e këtij aktiviteti dhe atje u shpreh një shpirt i lartë atdhedashurie, bashkëpunimi dhe një mesazh mirësie e vëllazërimi jo vetëm për shqiptarët e Amerikës por për gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë brenda e jashtë Shqipërisë.
Gjate drekës u kryen biseda, u shkëmbyen mendime dhe u bënë fotografi me presidentin e Republikes z. Bamir Topi.
 Ne si Shoqatë u ndjemë të privilegjuar për një ftesë e pjesëmarrje të dytë pas 26 gushtit në Michigan, ku shkuam për përurimin e shtatores së Nënë Terezës dhe tani në këtë kuvend madhështor shqiptarësh i cili i dedikohet z. Bardha për vemendjen që tregon ndaj çështjes shqiptare. 
Ky aktivitet për ne radhitet në vazhdën e veprimtarive tona për një bashkëpunim të hapur e vllazëror me shoqatat e tjera shqiptare në Kanada, SHBA e më gjerë. Aktivitete të tilla na nxisin dhe na shtojnë përgjegjësinë si shoqata përfaqësuese shqiptare që të punojmë shumë për çështjen kombëtare ashtu siç kanë punuar shqiptarët e diasporës ndër vite, gjurmët e të cilëve i shohim dhe i ndjekim ne dhe brezat që do të vijnë. 
Një falenderim i veçantë shkon për zotin Ekrem Bardha për këtë ide dhe organizim të shkëlqyer për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që janë e për të mbajtur lart frymën kombëtare.

Comments Off on Takim i përzemërt me presidentin Topi në Michigan, USA
Translate »