Veprimtari

Festa e mbylljes së vitit shkollor për klasat shqipe

Ditë e bukur me diell. Fryn një fllad i lehtë që e bëri edhe më të këndshme këtë paradite.
Në zyrën e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze u organizua koncerti i mbylljes së vitit shkollor 2010-2011 për klasat shqipe në Toronto. Në këtë koncert të thjeshtë por domethënës, merrnin pjesë anëtarë të kryesisë së Shoqatës, nxënës të klasave shqipe të shoqëruar nga prindërit, gjyshërit apo dhe të afërmit e tyre. Të binte në sy emocioni dhe gëzimi i fëmijëve pjesëmarrës (ndoshta dhe ndrojtja tek ndonjë fëmijë i vogël) në këtë koncert, të cilët kënduan dhe recituan në gjuhën e bukur shqipe. Drejtonin programin mësueset Nikoleta Kostandini dhe Raimonda Demaj, të cilat së bashku me koleget e tyre Evgjeni Xhakolli, Astrit Demaliaj, Polina Muça në Toronto dhe Merita Alushi (Burlington-Oakville) për vite me radhë kanë bërë përpjekjet maksimale për të mbajtur hapur klasat shqipe. E pranishme në këtë festim edhe “Pasqyra Shqipëtare” e drejtuar me profesionalizëm nga Ilir Lena dhe zonja Carrie Hooper, një qytetare amerikane e verbër e cila flet gjuhën shqipe në mënyrë të habitshme.

Koncertin e hapi mësuese Raimonda, e cila falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe theksoi qëllimin e këtij koncerti të thjeshtë, duke ju bërë thirrje gjithë shqipëtarëve që të sjellin fëmijët në klasat shqipe për të ruajtur dhe përcjellë tek brezat e ardhshëm gjuhën tonë amëtare. Ajo falenderoi dhe qeverinë kanadeze për mundësinë që na jep për të mësuar gjuhën shqipe falas në shkollat publike.

Më pas fjalën e mori kryetarja e Shoqatës, Dr. Ruki Kondaj, e cila vuri theksin tek përpjekjet që bëhen nga mësuesit, prindërit dhe gjithë opinioni shqiptar për të mbajtur hapur klasat shqipe në Toronto, përpjekje të cilat duhen vazhduar për të shtuar më tej numrin e klasave shqipe, sepse aktualisht numri i nxënësve shqiptarë është relativisht i pakët. Dr. Kondaj i dhuroi zonjushes Cooper një skulpturë të Nënë Terezës, punuar nga artisti Hytbi Tarelli, dhe një bluzë me shqiponjën dykrenare ku shkruhej “Proud to be Albanian”.

Në emër të nxënësve përshëndeti vogëlushja Erinda Moglica, e cila tha “Ne jemi sot këtu për tju treguar juve se sa bukur ne dimë të këndojme dhe recitojmë në gjuhën tonë shqipe. Nxënës shqiptarë, ejani të mësojmë, të lexojmë, recitojmë dhe këndojmë së bashku. Prindër, sillini fëmijët në mësonjëtoret shqipe!
Koncerti u hap me hymnin e flamurit, i cili u këndua si nga nxënësit e vegjël ashtu edhe nga të gjithë të pranishmit në sallë. Më tej fëmijët recituan vjersha për atdheun, flamurin, shqiponjën dykrenare, krenarine e të qënit shqiptar etj. U kënduan edhe këngë të ndryshme si: Dhuratë për ditëlindjen, Tring zilja, Rosat po notojnë, etj.

Bukurinë dhe gjallërinë këtij koncerti ja shtoi më shumë e ftuara amerikane e cila tashmë është bërë e njohur në opinionin publik shqiptar në Toronto e GTA nëpërmjet emisioneve të Pasqyrës shqiptare dhe Radios e Djela. Kjo zonjushe jo vetëm që të mahnit me saktësinë e të folurit shqip, por ajo të magjeps edhe me zërin e saj shumë të bukur kur këndon perlat e muzikës shqiptare. Carrie shoqëroi fëmijët me piano gjate gjithë koncertit duke kënduar me entuziazëm bashkë me ta.rnNë fund të programit pati një koktej të thjeshtë dhe pica për të gjithë. Të pranishmit bënë shumë fotografi kujtimi me njeri-tjetrin dhe shkëmbyen biseda të perzemërta midis tyre.
Programi u mbyll duke përcjellë mesazhin: Të punojmë edhe më shumë që klasat shqipe të mos mbyllen dhe gjuha shqipe të mos shuhet.

Comments Off on Festa e mbylljes së vitit shkollor për klasat shqipe
Translate »