Kremtimi i 99 vjetorit të Pavarësisë në Toronto
Festimet e përvjetorëve tё pavarёsisё janё bёrё tashmё njё traditё e bukur pёr mbarё diasporёn shqiptare nё botё. Ndёr ta dallohet edhe komuniteti shqiptar nё Toronto. Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të qytetit organizon çdo vit këtë ditë duke filluar me ngritjen zyrtare të flamurit kuqezi në Queens Park, përpara parlamentit të provincës së Ontarios, e vazhdon më tej me darken tradicionale që kurorëzon festimet e kësaj dite historike.
Për disa vjet me radhë, SHBSHK-ja në bashkëpunim me konsullin e nderit në Toronto, z. Genc Tirana dhe parlamentin e Ontarios organizojnë ngritjen zyrtare të flamurit. Edhe pse ishte një ditë e vrenjtur me shi, kjo nuk e pengoi komunitetin shqiptar në Toronto të realizonte ngjarjen më të rëndësishme të vitit. Merrnin pjesë për herë të parë përfaqësuesi i qeverisë federale, deputeti John McKay, përfaqësuesja e qeverisë provinciale, znj. Donna H. Cansfield, dy përfaqësues nga Këshilli i Europës Qendrore dhe Juglindore në Kanada (CEEC), presidentja e kongresit të Lituanisë në Kanada prof. Joana Kuras dhe presidentje e kongresit të Ukrainës znj. Oksana Radovic. Në tribune ndodheshin edhe anëtarët e këshillit të nderit të Shoqatës sonë, prof. Kristian Bukuroshi dhe z. Muharrem Xhaferi, përfaqësuesit e shoqatave simotra nga Hamiltoni me z. Shani Pnishi e z. Hamdi Tahiri, z. Sami Ademi nga shoqata Kosova, përfaqësuesit e komuniteteve fetare me z. Bedri Bylyku, ish kandidati për deputet në Parlamentin e Ontarios z. Gerti Dervishi, dy mjeshtret e mëdhaja znj.Irini Qirjako dhe znj. Liljana Cingu.
Ceremonia u moderua nga konsulli i nderit z. Tirana, i cili përshëndeti në emër të ambasadores së Shqipërisë në Ottawa, znj. Petoshati. Z. Tirana ja dha fjalën më tej dr. Ruki Kondaj, presidente e SHBSHK-së e cila në përshëndetjen e saj theksoi: “Jemi mbledhur këtu të kremtojmë këtë 99 vjetor si një ditë të shënuar historike të mbarë popullit shqiptar dhe të shpalosim krenarinë tonë kombëtare”. Më pas dr. Kondaj bëri pak histori për prejardhjen e flamurit dhe krenarinë e të qënit shqiptar. Përshëndetën gjithashtu z. John McKay, znj. Donna Cansfiled, prof. Joana Kuras dhe z. Sami Ademi.
Nën tingujt e hymnit kombëtar u ngrit flamuri shqiptar i cili u valvit në lartësi dhe u ndoq me emocion e durtrokitje nga gjithë të pranishmit. Ngritjen e flamurit e kryen sekretari i shoqatës, z. Roland Lelaj, ish kryetari i parë i Shoqatës, z. Murat Hashani dhe vogëlushi Mbretion Brenznica nga Prishtina, i veshur me kostum kombëtar.
Pjesa e dytë e ceremonisë vazhdoi me mbrëmjen tradicionale që ishte një mbrëmje madhështore me një program të pasur artistik që përfshinte grupin e fëmijëve të talentuar shqiptarë në GTA drejtuar nga regjizori Ervin Meço dhe koreografi Ramazan Këllezi, grupin e valleve “Fluturimi i shqipes”, mjeshtret e mëdhaja Irini Qirjako dhe Lili Cingu, orkestrën e Torontos me Shkëlqim Tafajin e Gazmir Topçiun, këngëtarët e komunitetit Jovan Tere e Lorenzo Dushi dhe balerinin Oltion Shaba. Regjizori Meço përpiqej të drejtonte provat finale një orë e gjysëm para fillimit të shfaqjes. Fëmijët ishin shumë të gëzuar, sidomos ata të cilët do të kërcenin një valle apo do këndonin një këngë.
Vajzat e vogla valltare vazhdonin provat në një pjesë të sallës me drejtuesin Ramazan Këllezi i cili me një vullnet dhe pasion të madh bëri të mundur që femijët të prezantonin me sukses të madh dy valle tradicionale nën motivet e këngës arbëreshe “Moj e bukura More” dhe këngës “Shqipëri o nëna ime”.
Këngëtarja Irini Qirjako ndiqte me një buzëqeshje kënaqësie se si të gjithë artistët e vegjël përgatiteshin dhe se si të gjithë po merreshin me rregullimin e sallës. – Teta Irini mund të bëjmë një foto? – pyet me ndrojtje një vogelushe. – Po patjetër xhan! – dhe bashkë me foton ajo i dha dhe një të puthur në faqe. Kush nuk mori pjesë në këto prova, nuk arriti të njihte një anë tjetër njerëzore të Mjeshtres së madhe të këngës. Ajo nuk është vetëm mjeshtre e zërit melodioz por një mjeshtre e vertetë e jetës. Një grua e dashur, e thjeshtë, me një pozitivizëm që rrezatohej sapo filloje të bisedoje me të.
Disa nga ne patëm fatin të shëtisnim me Irinin, e cila këndonte sa herë që ne kërkonim ndonjë këngë dhe ndjesia që të vinte kur dëgjoje atë zë bilbili ishte e papërshkruar. Asnjëherë nuk prishte qejf dhe buzëqeshte gjithnjë. Presidentja e shoqatës, dr. Ruki Kondaj, e palodhur si gjithmonë po shihte nëse gjërat po shkonin sipas planit. I tërë bordi drejtues i Shoqatës po punonte me dedikim: Iliri, Arta, Landi, Emiljana, Bora, Leonardi, të gjithë në pozicionet e tyre të ndihmuar edhe nga vullnetaret e palodhur Neritana, Afërdita, Gerta, Aleksandri, Drini, Leonardo, Besi. Të gjithë ishin të preokupuar që të rehatonin njerëzit në vendet e tyre.
Salla ishte madhështore dhe ndriçonte në mënyrë graduale me shandeljerët në fillim e më poshtë tavolinat me mbulesë të kuqe e piceta të zeza, ngjyrat tona kombëtare. Treshja e muzikantëve të Torontos kish filluar të luante disa pjesë muzikore si mikpritje. Dallohej kënaqësia e njerëzve që hynin me një buzëqeshje dhe krenari për këtë festë të rëndësishme për popullin shqiptar që donin ta kalonin mes bashkatdhetarëve.
Midis të ftuarve arritën edhe konsulli i nderit z. Genc Tirana, parlamnetarët federalë e provincialë me ministrin e ekonomisë, z. Brad Duguid, ish deputeti z. Borys Wrzesnewskyj dhe znj. Yasmin Ratansi, përfaqësuesit e Këshillit CEEC, Markus Hees dhe prof. Joana Kuras, shoqatat simotra, komunitetet fetare e me radhë të gjithë bashkatdhetarët që prisnin të gëzonin këtë natë të paharrueshme të festës kombëtare. Ilir Lena, producent i emisionit shqip “Pasqyra shqiptare”, ndonëse kishte ardhur për të shijuar mbrëmjen me familjen e tij, përsëri e mori kamerën dhe xhiroi momentet më pikante të festës.
Dr. Ruki Kondaj në fjalën e saj theksoi se në këtë mbrëmje një vend të veçantë zë edhe programi me femijët shqiptarë. E, ky ky është pikërisht vendi i duhur ku të rinjtë dhe femijët tanë do të mësojnë për shqiptarizmin. Vazhduan të përshëndesin me radhë edhe të ftuarit si përfaqësuesi federal, minsitri i ekonomisë dhe zhvillimit, presidenti i CEEC etj.
Me pas, z. Lena shprehu mirënjohje për këtë organizim dhe punën e palodhur të bordit drejtues të Shoqatës dhe i ftoi bashkatdhetarët që të mbështesin më shumë këta njerëz vullnetarë që punojnë për komunitetin. Ai e mbylli fjalën e tij me shprehjen “Kush punon di dhe të bashkëpunojë”.
Fjalimet u mbyllën me aktorin shqiptaro-kanadez Xhemi Agaj, i cili i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të tilla organizime dinjitoze të bëhen më të shpeshta që ta mbajnë gjallë frymën shqiptare.
Ishin dy të rinjtë Zigrida dhe Ergesi, që për herë të dytë radhazi drejtuan këtë mbrëmje deri në fund, në shqip dhe në anglisht. Ata lajmëruan programin, falenderuan pjesëmarrësit dhe sponsorët mbështetës për realizimin me sukses të festës. Të binin në sy më shumë se kurrë veshjet kombëtare, jo vetëm në podium te prezantuesit dhe artistët, por edhe te spektatorët në sallë. Një larmi e mrekullueshme ngjyrash.
Programi u hap me himnet e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kanadasë, të kënduar nga tenor i ri Dion Këllezi, zëri i të cilit pushtoi sallën, i shoqëruar në piano nga regjizori Ervin Meço.
Këngëtari i mirënjohur Jovan Tere hapi këtë pjesë të programit me këngën që tashmë është bërë si himn, “Për ty Atdhe”.
Më pas dolën në skenë femijët e talentuar me veglat e tyre muzikore: Scott dhe Ola Xoxa që kënduan këngë në shqip, Sidney Balili në piano me pjesën e Jani Papadhimitrit “Baresha e vogël”, Denis Qeska me një pjesë në piano nga Ramadan Sokoli, Kristal Sinaj në piano etj.
Grupi i valleve “Shqipet e vogla” drejtuar nga Ramazan Këllezi interpretoi dy valle që gjallëruan krejt sallën. Pas tyre edhe grupi i studentëve “Fluturimi i shqipes” interpretoi me pasion e profesionalizëm një valle të bukur tropojane.
E s’kishte si të ndodhte ndryshe, të gjithë prisnin gati për mjeshtren e madhe Irini Qirjako e cila u ngjit në skenë dhe i përshëndeti të gjithe duke përgëzuar komunitetin tonë për ftesën, gjallërinë dhe organizimin. Flamuri i madh që qendroi në ballë të skenës ishte pikërisht dhuratë e këngëtares së madhe e cila përmendi se ishte hera e parë që ajo sillte një dhuratë kaq simbolike që përmban më shumë sesa vetëm ngjyrat kuq e zi.
Nën tingujt e muzikës dhe zërit të fuqishëm salla u ndez menjëherë. Njerëzit filluan të kercejnë e të këndojnë njëzëri. Harruam të gjithë se ku ishim e secili nga ne mendonte se jashtë dyerve të lokalit gjendej Shqipëria dhe jo Kanadaja. Më pas një tjetër mjeshtre e madhe shqiptare, mbretëresha e valles Lili Cingu, e cila me madhështinë dhe elegancën e saj bëri gjithë sallën të çohej sërisht në këmbë dhe ta ndiqte vallen qoftë duke kërcyar, duartrokitur apo me kamera e aparate fotografike.
Programi vazhdoi me një variacion Irini Qirjako, Lili Cingu, Jovan Tere, treshja e Torontos etj. si dhe Ergys Tafilica, i i riu Dj që me aq korrektësi qendroi deri në fund të mbrëmjes duke kontribuar plotësisht vullnetarisht.
Si gjithmonë, i riu Gazmend Kondaj, i pranishëm në çdo aktivitet të Shoqatës, me aparat në dorë për të dokumentuar e fiksuar çdo moment të festës e gëzimit. Entuziazmi ishte i paparë dhe festuesit nuk kishin më dëshirë të uleshin në tavolina pas kërcimeve të gjata që shoqëronin njera pas tjetrës këngët.
Midis një kënge dhe tjetrës u shkëmbyen edhe disa dhurata simbolike me të ftuarit kryesorë dhe me mjeshtret e mëdha të skenës.
Anëtarja më e re e kryesisë, Borelda Mila, organizoi një short me disa çmime e gift-certifikata të dhuruara nga sponsorët tanë zemërgjerë, Bujari e Dashnori nga Travel Only, stilistët Drita Halili, Bashkimi me Alitin nga Floka Salon, Ferziu e Fariu nga DBKbk salon, Igli nga Igli Salon & Spa, Mariano nga Sunrise Bar & Grill, çifti Brari nga European Patisserie etj.
Një moment emocionues ishte edhe prerja e tortes së kuqe me shkabën dykrenare të “qendisur” me mjeshtëri nga çifti Brari. Dr. Kondajt nuk i shpëton asnjë detaj: ajo thërret dy anëtarët e këshillit të nderit si dhe nga një përfaqësues nga çdo trevë shqiptare: Çamëria, Maqedonia, Kosova e Shqipëria të cilët bashkojnë duart për të prerë simbolikisht tortën e 99 vjetorit të pavarësisë që u shoqërua nga duartrokitje te fuqishme, shumë fotot e xhirime nga pjesëmarrësit.
Ta gëzojmë pavarësinë e Shqipërisë tonë të dashur. Por surprizat dhe një festim edhe më madhështor pritet për 100 vjetorin e atdheut. Një shekull i tëre Nënë Shqipëri!
Faleminderit të gjithë atyre që bënë të mundur këtë organizim përkujtimor si dhe të gjithë pjesëmarrësve. Bashkimi bën gjithmonë fuqinë…