Veprimtari

Festimi i 7-8 Marsit me mësuesit e fëmijët shqiptarë

Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Torontos organizoi festat e 7-8 Marsit në mjediset e Casa Ricca Banquet Hall më 11 mars 2012. E veçanta e kësaj feste ishte pjesëmarrja e lartë e familjeve shqiptare që nga nipat e mbesat, deri te gjyshërit e gjyshet, me plot fëmijë e të rinj. Jo vetëm pjesëmarrja por edhe angazhimi i drejtpërdrejtë i të vegjëlve në një program artistik me këngë e valle, e bëri edhe më të bukur e emocionuese këtë festë. Mesazhi i shoqatës ishte shumë i qartë; prania e fëmijëve në këtë veprimtari të 7-8 Marsit ishte që ata të mësonin më shumë për këto dy festa shumë të rëndësishme të popullit shqiptar. E kush më mirë se fëmijët mund të japin një urim të sinqertë për prindërit dhe mësuesit.

Në emër të shoqatës përshëndetën anëtarët e kryesisë Arta Tafaj dhe Ilir Çela. Më tej përshëndetën mësuesja veterane Ajdica Bicja dhe mësuesi e ish-kryetar i shoqatës Tefik Abdullai. Programi u moderua si gjithmonë nga studentja Zigrida Mila në bashkëpunim me nxënësen Uarda Këllezi.

Një program i pasur artistik u paraqit nga vullnetarja Ina Xoxa, e cila me shumë pasion e dashuri përgatiti korin e fëmijëve me këngë shqipe të orkestruara nga muzikanti Vasil Kristaqi. Grupi i valleve Shqiponjat e vogla këtë herë erdhi me version e valles Borëbardha dhe 7 xhuxhat dhe vallen Shqipëri o nëna ime, të përgatitura nga koreografi i mirënjohur Ramazan Këllezi.

Anëtarja e kryesisë dhe njëkohësisht mesuese Rajmonda Demaj recitoi një poezi për nënën. Mjeshtrja e madhe Lili Cingu edhe kësaj radhe kënaqi të pranishmit me Vallen e Tiranës, e cila u duartrokit shumë nga spektatorët. Dr. Ruki Kondaj, presidente e shoqatës, nderoi mjeshtren Lili Cingu me një certifikatë mirënjohjeje për kontributin e saj të çmuar në komunitetin shqiptar në Toronto. Certifikata pjesëmarrje iu shpërndanë të gjithë fëmijëve të pranishëm në dy veprimtaritë e rëndësishme të organizuara nga shoqata, Festa e Flamurit 2011 dhe 8 Marsi 2012.

Comments Off on Festimi i 7-8 Marsit me mësuesit e fëmijët shqiptarë
Translate »