Lajmërime

Në 70 vjetorin e genocidit të popullsisë çame

ChameriaMasakrat greke, ja çfarë ndodhi në Çamëri

Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në zonën e Paramithisë më 27 qershor 1944 nga ushtarët greke që nuk bënin më pjesë në formacionet ushtarake. Forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes. Sipas dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një batalion tjetër i EDES-it hyri në Pargë, ku u vranë 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944, u plaçkit qyteti Spatar dhe u vranë 157 vetë. Gra të reja dhe vajza u përdhunuan dhe ata burra që mbetën gjallë u grumbulluan dhe u dërguan në ishujt e Egjeut. Në bazë të statistikave që jep Shoqata Çamëria në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2771 civilë shqiptarë dhe konkretisht: në Filat dhe rrethina 1286, në Igumenicë dhe rrethina 192, në Paramithi dhe rrethina 673, në Pargë 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5800 shtëpi në 68 fshatra. Në një listë të hollësishme të humbjeve materiale përfshihen 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 25.000 tonë grurë dhe 8000 tonë vaj ushqimor.
Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar me forcë për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës. Disa qindra çamë u vendosën gjatë bregut të Himarës dhe Borshit, disa të tjerë krijuan fshatra krejtësisht të reja, si Vrina afër kufirit grek.

Miranda Vickers, “Reprezalja greke dhe ndërkombëtarizimi i çështjes çame”

Ja si i përzunë shqiptarët nga Çamëria

Vëzhgues ndërkombëtare kanë konstatuar brutalitetin e përdorur gjatë dëbimeve të çamëve. Joseph Jakobs, shef i Misionit Amerikan në Shqiperi (1945-1946) shkruan: “Në mars 1945 njësi të forcave të shpërndara të Zervas kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filatit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shqiptare. Sipas të gjitha të dhënave që kam mundur të mbledh mbi çështjen çame, në vjeshten e 1944-ës dhe gjatë muajve të parë të 1945-ës, autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke debuar rreth 25.000 çamë – banorë të Çamërisë nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabit toka dhe pronat. Qindra meshkuj çamë të moshave 15 deri 70 vjeç u internuan në ishujt e detit Egje. U dogjën në total 102 xhami”. Autoritetet greke miratuan më pas një ligj që sanksiononte shpronësimin e pronave të çamëve, duke iu referuar bashkëpunimit të bashkësisë së tyre me forcat pushtuese të Boshtit, si një arsye kryesore për marrjen e këtij vendimi.

Documents of the US Department of State, No.84/3, Tirana Mission, 1945-1946, 6-646

 

Comments Off on Në 70 vjetorin e genocidit të popullsisë çame
Translate »