Veprimtari

Festimi i Pavarësisë së Kosovës në London

Ditën e dielë, në datën 13 Shkurt 2011, një grup i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos, i kryesuar nga Dr. Ruki Kondaj dhe i përbërë nga anëtarët e kryesisë: zj. Raimonda Demaj e z. Hytbi Tarelli, megjithëse ishte një ditë e ftohtë dimri me borë, mori udhën e gjatë për në qytetin e bukur të Londonit, Ontario, rreth 170 kilometra në perëndim të Torontos, për të marrë pjesë në mbrëmjen festive të organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze Iliria, me rastin e 3 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Dr. Kondaj përshëndeti të pranishmit e shumtë në emër të kryesisë së Shoqates sonë, duke i falenderuar organizatorët në London për ftesën që na bënë. Ajo qysh në fillim theksoi se “kjo mbrëmje të zgjon emocione të thella që tregon se sa shumë e kanë pritur e aspiruar jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por i gjithë kombi shqiptar, pavarësinë e Kosovës.”

Më tej ajo theksoi se “shpallja e pavarësisë ishte vullneti i popullit shqiptar të Kosoves, me mbështetjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo që janë, por edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.Përshëndetja e zonjës Kondaj shkaktoi emocione në salle dhe u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.

 

djali

Sallën e zbukuronin shumë flamuj kuq e zi si dhe shumë kostume të bukura kombëtare. Më të larmishme e bënë këtë festë edhe recitimet e këndëshme në gjuhën shqipe të një grupi fëmijësh shqiptarë të Londonit.

Mbrëmja kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore midis bashkatdhetarëve tanë atje, nën tingujt dhe ritmet e bukura të muzikës popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Festa vazhdoi me lojra të ndryshme, shkëmbime bisedash, njohjesh mes bashkatdhetarëve që i uronin njeri-tjetrit: Gezuar Festën e Pavarësisë!

Nuk munguan as fotografitë e shumta që ne bëmë atje në kujtim te Festes se Kosovës martire.

Vonë, pas mesit të natës, grupi ynë u kthye në qytetin e Torontos.

Comments Off on Festimi i Pavarësisë së Kosovës në London
Translate »