Veprimtari

Festat e 7-8 Marsit mbledhin së bashku gratë e Torontos

Në një atmosferë shumë festive, të dielën më 13 mars 2011, në Toronto u festua Dita ndërkombëtare e Gruas dhe festa e Mësuesit. Sipas programit, moderatorja e këtij aktiviteti Dr. Lindita Bushi iu uroi mirëserdhjen të ftuarave në sallë dhe ftoi presidenten e Shoqatës për të përshëndetur gratë e pranishme.

Dr. Kondaj e filloi përshëndetjen me urimin: Gëzuar nga zemra Ditën ndërkombëtare të Gruas dhe festën e Mësuesit, dy festat e bukura të muajit Mars për ne shqiptarët. Ajo përshëndeti së pari më të moshuarat e sallës, të vendosura së bashku në një radhë: Znj. Meshan, Znj Lirika, Znj. Muazez, Znj. Gjyle, Znj. Hismete, Znj. Sefire, Znj. Marika, Znj. Faika e Znj, Drita, duke ftuar për një duartrokitje të fuqishme për këtë brez sakrificash qe u desh të vijnë edhe në emigracion në mbështetje të familjeve të tyre por dhe të komuntietit tonë.
Më tej, ajo vazhdoi fjalën e saj duke prezantuar anëtaret e palodhura të kryesisë: Znj. Arta Tafaj, Dr. Lindita Bushi, mësuese Rajmonda Demaj, Znj. Emiljana Zenelaj si dhe të renë Borelda Mila që për arsye pune nuk ishte e pranishme. Këto gra janë si punonjëse të zonja në profesionin e tyre ashtu edhe aktiviste e familjare të mira që kontribojnë vullnetarisht për komunitetin.

3. 8-marsi_7

Në këtë sallë modeste, me një përfaqësi grash nga të gjitha trevat: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Çamëri, aktiviste që i kanë dhënë jetë komunitetit tonë, nëna fisnike e atdhetare, edukatore të brezit të ri, specialiste të fushave të ndryshme, biznesmene, ishin të ftuar edhe disa gra nga Londoni, Hamiltoni, Kitcheneri, me të cilat është forcuar një bashkëpunim i mirë gjatë muajve të fundit, një gërshetim brezash e krahinash, nëna, bija, nuse e mbesa bashkë.
Ishin ftuar mësuesja e gjuhës shqipe Znj. Nikoleta Kostadin si dhe Znj. Nezi Verçani, të cilat kanë kaluar ditë tepër të vështira me humbjen e bashkëshortëve të tyre dhe i falenderojmë që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre.
Të ftuar nderi kishim një vajzë të lindur e rritur në Kanada nga prindër shqiptarë, por që flet bukur gjuhën shqipe e që është krenare për origjinën e saj shqiptare, Znj. Mika Amiti Midolo, gazetarja e mirënjohur e kanalit televiziv CP-24.
Nuk mund të leme dot pa përmendur të rinjtë e zellshëm Enton Biba, që u përgjigj për këngët dhe vallet e i cili ka dhënë kontributin e tij të vazhdueshëm për Shoqatën dhe studenten me rezultate Zigrida Mila e aktivizuar dhe ne veprimtari të tjera me komuntietin, që për nder të 8 Marsit shkroi një poezi qe ia kushtoi gjithë nënave e motrave.
Kohët e fundit kemi marrë disa mesazhe edhe nga amerikania e verbër, Carrie Hooper, e cila ka mësuar të flasë shqip në një kohë shumë të shkurtër dhe përshëndeti këtë aktivitet me një poezi për nënën të recituar me pasion nga Znj. Antigoni Papastathi.

Le të kthehemi pak në origjinën e këtyre festimeve: 8 marsi u zgjodh si Dita Ndërkombëtare e Gruas në nderim të rrobalarëseve të Nju Jorkut, të cilat dolën në protestë në vitin 1857 për të kërkuar të drejtat e tyre. Dita e parë Nacionale e Gruas, u festua në SHBA më 28 shkurt 1909.
Në vitin 1910, të paktën 100 gra nga vende të ndryshme të botës, nën kryesimin e Klara Cetkinit, u mblodhën në Kopenhagen të Danimarkës. Në këtë mbledhje u vendos që 8 marsi të caktohej si Dita e Gruas, që do të festohej në të gjithë botën. Në Shqipëri, për herë të parë kjo ditë është kremtuar në vitin 1942 nga grupe të vogla grash. Por kombit tonë asnjëherë gjatë gjithë historisë së vet nuk i kanë munguar gratë e shquara që janë aq të shumta por mbi të gjitha qendron nëna e gjithë botës, Nënë Tereza.

7 marsi, Dita e mësuesit është një festë e cila i kushtohet krejt personelit edukues. Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar ngase deri atëherë mësimet mbaheshin në shtëpi private në mënyrë të fshehtë.

Në ditët e sotme gruaja shqiptare ka sfida të mëdha për të kapërcyer. Të jetosh në Kanada, sfidës për mbajtjen e në familjeje të mirë e të bashkuar, rritjes së fëmijëve të edukuar, përfaqësimin dinjitoz dhe ngritjen profesionale, i shtohet edhe ajo e sigurimit të vazhdimësisë së vlerave më të mira kombëtare, e ruajtjes së gjuhës shqipe, të simboleve tona kombëtare e pse jo dhe shtimi e shumimi i familjeve shqiptare.

Më tej Dr. Bushi prezantoi me profesionalizëm programin duke drejtuar me radhë përshendetjet nga Znj. Teuta Guci, biznesmenja që i ka dhënë kontribut shoqatës për vitin 2010 dhe është nderuar me çmim argjendi, znj. Rajmonda Demaj në emër të mësuesve të gjuhës shqipe e cila bëri dhe një historik të shkurtër të shkollave shqipe në Toronto, Znj. Mika Amiti Midolo e cila ishte shumë e kënaqur për ftesën dhe organizimin e festës. Më tej nxënësja Elena Kostadin bëri një rectim dhe nxënësja Erinda Moglica luajti një valle popullore me motive të jugut.
Pati edhe shumë supriza të këndshme, llotari dhe dhurata të dhururar nga artisti i mirënjohur Hytbi Tarelli dhe pronarja e sallonit të bukurisë Drita Halili. Një falenderim i veçantë iu dha sponsorëve të këtij aktiviteti Bashkim Breznica e Alit Qerimi pronare të Floka Salon. Nën tingujt e këngës “Për ty atdhe” të gjitha pjesëmarrëset u bashkuan duke kënduar me këngëtarin e më pas hodhën valle nga të gjitha krahinat shqiptare.

Gjatë mbrëmjes u shpërndanë 4 çmime inkurajuese. Një çmim special iu dha znj. Meshan Çini për të cilën mes emocioneve të fuqishme Dr. Gerta Sazani prezantoi shkurt një histori të dhimbshme dhe heroike të jetës së saj. Emocioni u shtua edhe më shumë kur në podium doli vajza e saj Edlira dhe më tej artistja Margarita Makri e cila theksoi se bukurinë e shpirtit kësaj gruaje nuk ia prishi as burgu dhe as torturat. Znj. Meshan falenderoi e prekur Shoqatën tonë për këtë nder të madh që i dha gëzim të veçantë në këtë ditë feste.
Çmim tjëter ishte ai për mësuesen e vitit znj. Nikoleta Kostandin e cila thaksoi se do të vazhdojë të punojë parreshtur për tju mësuar shqip nxënësve shqiptarë në Toronto.
Me tej në salle filloi interesimi për gatimet tradicionale nga gjithë krahinat të përgatitura me pasion nga amvisat shqiptare: fli Kosove, dhallanike, kërnacka, revani, bakllava, byreqe, dredhanike, qofte, fasule, sallatra te ndryshme, tavë kosi, përshesh me pulë, rosto viçi etj.

 

8-marsi_6

Në mes votimeve për gatimin më të mirë dhe konkurencës së lartë të flisë dhe revanisë, Zigrida njoftoi pjesëmarrëset se çmimin e gatimit më të mirë e fitoi receta e fasuleve me mish të thatë (pastërma) gatuar nga Znj. Alide Bekiri e cila mori çmimin simbolik “Shefja shqiptare e vitit 2010”.
Në fund u la votimi për gruan e vitit, iniciativë e nxitur nga Dr. Lindita Bushi me cilësinë e koordinatores së këtij aktiviteti, e cila u mirëprit me shumë mesazhe pozitive nga gra shqiptare brenda e jashtë Torontos që votuan online dhe në sallë gjithashtu. Në fund të votimit, Dr. Bushi shpalli se këtë çmim e morri Dr. Kondaj e cila duke falenderuar të pranishmet theksoi se ky çmim i dedikohet jo një gruaje të vetme por të gjitha grave shqiptaro-kanadeze, është si një bashkëbisedim me gratë dhe të rejat, është një identifikim i potencialeve njerëzore dhe një ftesë e hapur për bashkëpunim.

Kjo atmosferë feste u mbyll me urime të ngrohta e përshtypje shumë të mira nga pjesëmarrëset me dëshirën për tu rimbledhur përsëri në aktivitete të tjera të komunitetit tonë.

Shoqata jonë, që në nëntor mbushi 20 vjet, ka rritur numrin e grave të zgjedhuar në kryesi me mbi 50%, duke rritur e forcuar edhe më shumë gjallërinë dhe veprimtarinë e komunitetit. Sa më i fortë të jetë zëri i grave, aq më i fuqishëm do të bëhet komuniteti shqiptar. Një punë të palodhur në mbështetje të këtij aktiviteti kanë dhënë edhe bashkëshortet e anëtarëve të kryesisë: Lura, Rina, Teuta, Aferdita, Eranda dhe zonjat Marika e Sefire, bashkëshortet e anëtarëve të këshillit të nderit të cilat i falenderojmë per dedikimin e tyre. Falenderojmë Znj. Gjinovefa Xhangolli për sigurimin e sallës, Znj. Ermira Biba dhe Znj. Veselina Bellaj për punën e palodhur gjatë tërë festës si dhe gjithë pjesëmarrëset e tjera që e bënë sukses këtë aktivitet. Një falenderim i veçantë i shkon Pasqyrës Shqiptare me producentin Ilir lena, si gjithmonë i palodhur në shërbim të komunitetit shqiptar në Kanada.

Comments Off on Festat e 7-8 Marsit mbledhin së bashku gratë e Torontos
Translate »